Gjermania dhe Franca kanë rënë dakort mbi parimin e kuotave detyruese për pritjen e kërkuesve për azil nga vendet e Bashkimit Evropian, njoftoi sot në Bern të Zvicrës kancelarja gjermane Angela Merkel.
“Fola këtë mëngjes me presidentin francez, dhe pozicioni franko-gjerman që do t’i trasmetojmë institucioneve evropiane është që ne jemi dakort se duhet t’i bindemi parimit bazë, se ata që kanë nevojë për mbrojtje të mund ta marrin dhe se ne kemi nevojë për kuota detyruese brenda Bashkimit Evropian për të ndarë detyrat tona, ky është parimi i solidaritetit”, deklaroi Merkel në një konferencë për shtyp gjatë vizitës së saj në Zvicër.
“Sigurisht që fuqia ekonomike luan një rol të rëndësishëm sikurse madhësia e vendit, por nëse veprojmë ndryshe nuk mund t’a zgjidhim këtë problem”, shtoi kancelarja.
Nga ana e saj, presidenca franceze njoftoi në një komunikatë se “Franca dhe Gjermania do t’i paraqesin Brukselit propozime të përbashkëta për të organizuar pritjen e refugjatëve dhe një ndarje të drejtë në Evropë, si dhe përafrimin e normave për të përforcuar sistemin evropian të azilit”.
“Kjo iniciative franko-gjermane synon gjithashtu të garantojë kthimin e imigrantëve të parregullt në vendet e tyre të origjinës, dhe t’i japë mbështetjen dhe bashkëpunimin e duhur vendeve të origjinës dhe të tranzitit”, shtoi presidenca franceze.