Quantcast
Channel: Portali FLURUDHA
Viewing all articles
Browse latest Browse all 5466

Përhapja e Islamit në trojet shqiptare gjatë shekujve XV-XVII

$
0
0

Zejni S. Mazllami, 
doktorant në Universitetin “Shën Qirili dhe Metodi”- Shkup

Studimi i kulturës dhe historisë islame në përgjithësi, dhe përhapjes së Islamit ndër shqiptarët në veçanti paraqet një orvatje dhe punë komplekse e serioze. Shkrimet e deritanishme nga ky rrafsh janë të mangëta edhe në sasi edhe në cilësi dhe nuk plotësojnë as nevojat elementare shkencore. Shumica e studiuesve shqiptarë prezencën e Islamit dhe muslimanëve nuk e shohin para shek. XV, kurse disa te tjerë mendojnë se kontaktet e Islamit me truallin shqiptar janë shumë me të vjetra. Pushteti qendror dhe provincial osman e nxiti dhe përkrahu përhapjen e Islamit, por nuk e detyroi asnjë të krishterë të pranonte atë, për arsye se kjo binte ndesh me parimet Islame. Përhapja e islamit në trojet shqiptare u zhvillua me ritme të ngadalshme duke pasur parasysh kohën dhe rrethanat politike. Në shek. XV, muslimanët në trojet shqiptare nuk ishin tjetër vetëm se disa ishuj të vegjël në detin e krishterë.. Në shek. XVI, përhapja e Islamit tregoi ritme te shpejta, sidomos në Shqiperinë e Mesme dhe në Kosovë. Arsyet e pranimit të Islamit dhe ndikimi i tij në jetën e shqiptarëve, duhet të shihen nga më shumë këndveshtrime, sado që një këndvështrim te duket i kompletuar, ai eshtë i paradënuar të jetë i gabuar.

Prezenca e Islamit në truallin shqiptar para shek. XIV-XV: Kulturën, qytetërimin dhe praninë e muslimanëve e kemi të pranishme në viset bregdetare shqiptare që në shek. VIII. Nga këto kontakte tregtare, ushtarake, diplomatike e religjioze kemi ndikime të mëdha reciproke[1].Konsiderohet se paraqitja e Sari Salltëkut dhe puna misionare e tij paraqesin një përiudhë shumë të rendësishme për përhapjen e Islamit në Rumeli, e veçanerisht në trojet tona shqiptare, para ardhjes së osmanëve. Historia nuk e ka dhenë fjalën e fundit për çështjen e Sari Salltëkut[2].Vendosja e qeverisjes osmane në tokat shqiptare u shoqërua me ndryshime të thella jo vetëm ne fushat politike, ekonomike, shoqërore, por edhe në strukturën fetare të popullsisë. Përkatësia e krishterë e shqiptarëve (katolikë dhe ortodoksë) filloi të cenohej në dobi të Islamit, fe zyrtare e Shtetit Osman[3].
Shek XV,  njihet si periudha e përhapjes së Islamit në trevat ballkanike, pavarësisht se ai në këtë kohë shfaqej i izoluar. Nga 44 qendrat qytetare të Ballkanit, vetëm në 28 prej tyre kishte muslimanë. Depërtimi në shkallë të gjerë i fesë Islame në radhët e popullit shqiptar gjeti shprehje pikësëpari në qytete. Me vendosjen e sundimit osman, qytetet shqiptare filluan të funksionojnë si qendra administrative, ekonomike dhe kulturore të sistemit të ri politik. Në përshtatje me rolin e tyre ekonomik e shoqëror, në qytete u përqendrua jo vetëm shumica e personelit administrativ e ushtarak, por edhe misionarët, ulematë e predikuesit Islamë, në fillim të ardhur e më vonë vendas së bashku me institucionet e kultit (xhamitë, mejtepet) numri i të cilave gjithnjë ishte në rritje[4].Ndër shqiptarët ka qenë shumë i përhapur edhe i ashtuquajturi kriptokristianizëm. Ka pasur shqiptarë që kundrejt zyrtarëve deklaroheshin si muslimanë, ndërsa në të vërtetë mbeteshin të krishterë. Kjo ekzistencë e dyfishtë muslimano-krishterë praktikohej natyrisht në ato vise që nuk ndodheshin në afërsi të qendrave administrative osmane[5].Në shek. XV, besimit të krishterë i takonin mbi 95% e popullsisë në trojet shqiptare. Popullsia e pakët muslimane pothuaj se e gjitha jetonte nëpër qytete[6].Gjatë viteve 1421-1455, në Manastir kishte 2265 shtëpi(familje) gjithsej, prej të cilave 1390 ishin muslimane; në Shkup jetonin 4275 familje, 2580 ishin muslimane; Tetova numëronte 1095 shtëpi, nga të cilat 300 ishin muslimane; kurse Kërçova numëronte 930 shtëpi, vetëm 65 prej tyre ishin muslimane[7].

Përhapja e Islamit në shek. XVI: Në shek. XVI, tokat shqiptare bënin pjesë në elajetin e Rumelisë. Ato u ndanë në disa sanxhaqe. Numri, shtrirja dhe emërtimi i tyre ka ndryshuar herë pas herë. Sanxhaqet ku bënin pjesë tokat shqiptare ishin : Sanxhaku i Vlorës, Dukagjinit, Elbasanit, Ohrit, Shkodrës, Prizrenit, Vuçitërnës, Shkupit dhe Manastirit[8].Në gjysmën e parë të shek. XVI, tokat shqiptare ruanin pamjen e tyre të krishterë. Popullsia muslimane rritej në menyrë të ngadalshme nëpërmjet pranimit të Islamit nga banorët vendas. Gjatë gjysmës së parë të shek. XVI. përhapja e Islamit eci ngadalë. Kjo dëshmon se osmanët nuk e përdorën dhunën e drejtpërdrejtë për kthimin e të krishterëve në muslimanë dhe se përhapja e Islamit nuk u krye përmes kolonializimit[9].
Në vitet 1519-1523 në Manastir jetonin 560 shtëpi, nga të cilat 50 ishin muslimane; në Shkup jetonin 4.820 shtëpi gjithsej, 3115 ishin muslimane; Tetova numëronte 1.295 shtëpi, prej të cilave 420 ishin muslimane; Kërçova kishte 1205 shtëpi, 480 ishin muslimane. Në vitet 1566-1582, Manastiri numëronte 935 shtëpi gjithsej, 275 ishin muslimane; në këtë kohë Shkupi kishte dyfishuar numrin e popullsisë, prej 10.425 shtëpive sa numëronte 7.425 ishin muslimane; Tetova kishte 2160 shtëpi, 1600 ishin muslimanë; Kërçova tashmë kishte ngelur vetëm me 580 shtëpi, edhe atë 375 muslimane dhe 205 të krishtera[10].Përhapja e fesë Islame në fund të shek. XVI, kishte shënuar sukses të madh, sidomos në qytete të rëndësishme, si: Shkodra (thuajse 100%); Peja (90%); Vuçitërna (80%); Elbasani (79%); Tetova (71%); Kërçova (65.5%); Kruja (63%); Berati dhe Prishtina (me nga 60%); Prizreni (55.9%); Dibra (51%); Tepelena (50%), etj [11].

Literatura e shfrytëzuar :
1. Akademia e Shkencave e Shqiperisë, Historia e popullit shqiptar, Vëllimi I, Tiranë 2002.
2. Petrika Thëngjilli, Shqiptarët midis Lindjes dhe Perëndimit (1506-1839), Tiranë 2003.
3. Ali Basha, Nëpër gjurmët e Islamit, Tiranë 2005.
4. Peter Bartl, Shqiptarët (nga mesjeta deri sot), Tiranë (pa vit botimi).
5. Аеқсaндaр Cтојaнносқи, Грaдовите во Мақедонија од XIV вeқ до XVII веқ, Сқопје 1981.
7. Nexhat Ibrahimi, Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, Shkup 1999


[1]Nexhat Ibrahimi, Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, Shkup 1999, f.208-209
[2]Nexhat Ibrahimi, Islami…., f. 236
[3]Akademia e Shkencave e Shqiperisë, Historia e popullit shqiptar, Vëllimi I, Tiranë 2002, f. 587
[4]Ali Basha, Nëpër gjurmët e Islamit, Tiranë 2005, f. 256-257
[5]Peter Bartl, Shqiptarët (nga mesjeta deri sot), Tiranë (pa vit botimi), f. 61
[6]Petrika Thëngjilli, Shqiptarët midis Lindjes dhe Perëndimit (1506-1839), Tiranë 2003, f. 16-19
[7]Аеқсaндaр Cтојaнносқи, Грaдовите во Мақедонија од XIV вeқ до XVII веқ, Сқопје 1981, c. 66 
[8]Historia e popullit shqiptar, Vëllimi I, f. 515
[9]Petrika Thëngjilli, Shqiptarët…,f. 25-29
[10]Аеқсaндaр Cтојaнносқи, Грaдоbите…, c. 70-71
[11]Historia e popullit shqiptar, Vëllimi I, f. 590

Viewing all articles
Browse latest Browse all 5466


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>