Afrim Sulejmani, polici i arrestuar në aksionin policor të 9 dhe 10 majit në lagjen e trimave në Kumanovë, është lënë i lirë pasi nuk janë gjetur prova që dëshmonin përfshirjen e tij me grupin e armatosur. Në një deklaratë për Alsat M Sulejmani thotë se gjatë tërë kohës para prokurorit ka dëshmuar pafajësinë e tij. Ai shpjegon edhe mënyrën se si ishte arrestuar nga kolegët e tij.
“Momentin që dolëm nga shtëpia, unë u paraqita si kolegë i tyre, por pavarësisht kësaj, ata kishin një sjellje jo korrekte ndaj meje. Më përfshinë si një nga anëtarët e grupit të armatosur, sikur një që ka marrë pjesë ne logjistikën e tyre. Por më në fund doli drejtësia dhe u vërtetua pafajësia ime. Nuk ka pasur prova ndaj meje, asnjë argument nuk ka qenë në favor të prokurorisë kundër meje. Për këtë arsye edhe jam liruar nga akuza, pasi nuk kam pasur as të vetmin kontakt me grupin e armatosur”, tha Afrim Sulejmani, Polic i arrestuar më 09 maj në Kumanovë.
Megjithëse Ministria e Brendshme ditën e arrestimit e kishte shkarkuar nga puna, si pjesëtar i policisë, Sulejmani tash pas lirimit, kërkon që të kthehet në vendin e tij të punës.
“Për mua ishin pesë muaj të mjerueshme, kushtet të tmerrshme. Me gjithë dëshirë do të isha kthyer në punë, mezi pres të kthehem. Duhet t’i tregoj njerëzve se jam i pafajshëm dhe t’i kthehem detyrës. Mirëpo, presim çka do të vendos ministria e brendshme”, tha Afrim Sulejmani, Polic i arrestuar më 09 maj në Kumanovë.
Pas lirimit të Sulejmanit, në paraburgim ndodhen edhe mbi 30 persona tjerë të arrestuar për ngjarjet në lagjen e trimave. Edhepse nuk ka detaje për procedurën gjyqësore ndaj tyre, avokati Naser Raufi thotë se Prokuroria i ka siguruar palës mbrojtëse një pjesë nga bisedat e transkriptuara telefonike, por sipas tij bëhet fjalë vetëm për 10% të materialeve të transkriptuara. Raufi tha se Prokuroria Publike përsëri po shkel paragrafin 206 të Ligjit për procedurë penale, i cili garanton të akuzuarve njoftimin e akuzat para se të merren në pyetje. Në ngjarjet e 9 dhe 10 majit në Kumanovë u vranë 8 policë, 37 u plagosën, ndërsa qindra persona mbetën pa kulm mbi kokë. Gjatë luftimeve u vranë 10 pjesëtarë të grupit të armatosur, ndërsa mbi 30 të tjerë u arrestuan.