Nga Majlinda BUSHJA
Media, qoftë e shkruar apo elektronike dhe së fundi ajo online janë mjete të rëndësishme komunikimi dhe informimi për opinionin publik. Në kohën e sotme larmia e tyre dhe zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë, ka sjell edhe një bollëk informacionesh, ku një vend jo pak të rëndësishëm zë “ kronika e zezë”. Madje, atë e hasim çdo ditë në ekranet televizive, në median e shkruar dhe atë online, pa dallim. Ajo, jo vetëm zë një hapsirë të rëndësishme të mediave në përgjithësi, por spikat gjithmonë edhe më shumë për shprehjet e saj steriotipe, struktura të ngurta, që tashmë janë bërë të zakonshme për veshin tonë. Jo vetëm kaq, kronikat janë të stërzgjatura, dhe shpesh kjo bëhet për t’i shtuar radhët shkrimit, por jo për të përmirësuar cilësinë e tij. Shrehje të tilla si “ policia erdhi në vendin e ngjarjes për të bërë hetimet”, “autorët e vrasjes janë larguar në drejtim të paditur”, “dyshohet se vrasja është bërë për larje hesapesh” janë shprehje të rëndomta që përdoren nga gazetari, e që ju hapin vend thashathemeve. Herë pas here ndeshemi me pasaktësi të informacioneve të gazetarit ( ngatërrim i emrit apo mbiemrit, moshës, së viktimës, etj) nga vullneti i mirë për të dhënë lajmin i pari dhe me korrigjimin e tij të mëvonshmëm. Megjithatë, kjo sjellje joprofesionale nuk vjen vetëm nga dëshira për ta dhënë lajmin i pari, por edhe nga joprofesionalizmi i gazetarit që çon në këto rezultate. Ndodh që, autorët e kronikave të hyjnë në rrugë qorre, duke shkruar për të “dhëna” nga policia apo hetuesia etj, duke tejkaluar pa asnjë arsye kërkesat e kronikës , pa iu referuar burimeve të adresuara. Si burime lexojmë apo dëgjojmë shpesh trillime si, “Burime nga zyra e policisë”, “nga burime konfidenciale”, “nga burime të mirë informuara”, etj. Në mjaft kronika ka mendime të paargumentuara, përsëritje idesh, përsëritje fjalësh, fjalë për fjalë, çka tregon për mosprofesionalizmin e gazetarit.
Siç e përmenda dhe më sipër, është bërë mëse e zakonshme në ditët e sotme të lexojmë artikuj ku gazetari ndër të tjera shton në radhët e shkrimit të tij “dyshohet se ngjarja ka ndodhur për larje hesapesh”. Një frazë e tillë i hap vend thashathemeve, hamëndësimeve duke ngritur shumë pikëpyetje, ku çdo qytetar është i prirur të gjykojë sipas këndvështrimit të tij pa u bazuar në fakte konkrete mbi ngjarjen e ndodhur, por në bazë thashathemesh për shkak të paqartësisë që përcillet përmes shkrimit. Çdo gazetar e di që primare në punën e tij të përditshme është të qenit sa më objektiv përpara lexuesëve dhe shikuesëve të vet, por të qenit objektiv komplikohet nga fraza steriotipe që gazetari përdor, të cilat jo vetëm ulin cilësinë e shkrimit por ju lenë vend thashathemeve, duke prekur ndonjëherë dhe njerëz të pafajshëm që nuk kanë gisht në një ngjarje, por që hamendësohet se ata mund të kenë gisht në të. Ngjarjen e mbulon misteri pavarsisht se mbi të më vonë hidhet dritë në bazë faktesh. Një lëmsh i tillë i krijuar nga gazetari në një kronikë televizive, apo në shtypin e shkruar jo vetëm nuk i shërben punës së tij, por prezanton para opininit publik një gazetar të paaftë, pasi nuk është detyrë e gazetarit dalja nga misioni i tij, por të qenit brenda tij, për aq kohë që ai ka vendosur të bëj detyrën e vështirë të gazetarit.
Puna e gazetarit, marrja përsipër e këtij misioni, veçandërisht atij që ka marr përsipër bërjen e “kronikës së zezë” është e vështirë, pasi e vë atë përpara ngjarjeve kriminale, skenave të krimit, vrasjeve të gjithfarëlloji të ndodhura orar pa orar, ku atij i duhet të raportoj me gjakftohtësi, pa emocion, pavarsisht dramacitetit të situatës, kohës dhe vendit të ngjarjes. Por, pavarsisht vështirësive në të cilat gjendet për marrjen e informacionit, dhe dhënies së lajmit asgjë nuk justifikon joprofesionalizmin, për sa kohë gazetari është i vetëdijshëm për shkallën e vështirësisë së profesionit të tij dhe marrjen e përgjegjësive personale. Pasi ka ndodhur në nxitim e sipër për dhënien sa më shpejt të lajmit, “apo psikoza e dhënies së lajmit i pari në gazetari”, që gazetari të thyej normat etike të gazetarisë duke “dhunuar” të drejtat e individëve “të ndaluar” që duhet të konsiderohen “të pandehur” jo para, por pas vendimit të gjykatave. Apo prania e “të ndaluarëve” në kronikat televizive pa u shpallur fajtor nga gjykata, por vetëm në rolin e “të ndaluarit” dhe “të dyshuarit” për vrasje apo ngjarjen kriminale të ndodhur.
Nëse gazetari krijon një situatë “kaotike” paraprake në lidhje me një ngjarje, ai jo vetëm nuk informon opinionin publik si duhet brenda normave dhe rregullave gazetareske, por lë hapsirë për “vringëllimën e gjuhëve keqdashëse”, që presin të përfitojnë nga situata të tilla mjegulluese, për t’i kthyer ato në favorin e vet. Apo siç thotë populli “Ujku mjegull do”. Prandaj të qenit objektiv në gazetari dhe përgjegjësia nuk janë çështje dëshire për gazetarin, por normë që rrjedh nga nevoja për saktësi dhe qartësi në shërbim të së drejtës, në shërbim të qytetarëve. Çdo justikim është i pranueshëm, në bazë të fakteve konkrete dhe të qarta, pasi joprofesionalizmi dhe gabimet njerëzore janë dy gjera të ndryshme. Në të tilla situata lind pyetja: Përse ndodhemi në këtë situatë, kur e mira do ishte të ndodheshim në një situatë tjetër?
Pavarsisht se, media sot po përjeton një krizë ekonomike pasi tregu i vogël dhe media kanë një mospërputhje mes tyre, për shkak të numrit të lartë të mediave, kjo nuk duhet të bëhet shkak për cilësinë e dobët të kronikave televizive, apo atyre në shtypin e shkruar dhe pasaktësive, frazave steriotipe që rrëfejnë përtesën e gazetarit për të shkruajtur brenda rregullave gazetareske. Patjetër që për gjithçka ka një shkak, apo shumë të tilla, dhe një ndër to e më thelbësori është kriza ekonomike. Pagat e papaguara në kohë, apo të papaguara fare, nuk ofrojnë gazetarët profesionistë, duke u bërë shkak në të njëjtën kohë edhe për një punë jocilësore në aspektin gazetaresk duke e çuar atë në nivele jo fortë të kënaqshme, dhe pa standardet e duhura. Por sot duhet të zgjohemi, që e nesërmja në gazetari, të jetë më e mirë se e sotmja, pasi syri kritik ndriçon, por vetëm për ata që duan të shohin.