Marrëveshja e mbrëmshme mes 4 partive kryesore politike në vend, e cila caktoi edhe ministrat e rinj, nuk i ka lënë shije të mirë analistit Arsim Zekolli, i cili nuk i beson marrëveshjeve të tilla.
Në një intevistë për Portalin Albeu ai shprehet se, “në Ballkanin politik vlen rregulli se sa më pompoze e euforike të jenë lajmet pozitive, aq më depresive dhe zhgënjyese janë rezultatet post-festive. Nuk kam fare dyshim se kjo do ndodhë edhe pas episodit të fundit të fluskë-serialit Przhino që ndodhi mbrëmë”.
Ai citon edhe marrëveshje të tjera të ndodhura më herët në Ballkan, të cilat nuk kanë vlejtur për asgjë.
“Në Ballkanin politik vlen rregulli se sa më pompoze e euforike të jenë lajmet pozitive, aq më depresive dhe zhgënjyese janë rezultatet post-festive. Nuk kam fare dyshim se kjo do ndodhë edhe pas episodit të fundit të fluskë-serialit Przhino që ndodhi mbrëmë. Për ne më me shumë eksperiencë, kjo gjendje përkujton dhjetëra e dhjetëra “marrëveshje paqësore” në Bosnje që asnjëherë nuk u realizuan dhe përfunduan me një Dayton që vetëm jo nuk i ndali luftimet por nuk zgjodhi paqen. Përkujton lojërat e Slobodan Miloseviçit, i cili periodikisht rrihte e pastaj bënte koalicionime me rivalët opozitarë, siç ishte rasti me Vuk Draskoviq dhe futjen e tij në qeveri para luftës në Kosovë. Përkujton Marrëveshjen e Ohrit që në vend se të relaksonte raportet ndëretnike instaloi aparthejd të institucionalizuar sipas intereit maqedonas dhe me “amin” nga BDI dhe garantorët ndërkombetarë, ShBA, BE. Së fundmi, përkujton edhe skenarin e krijimit të qeverisë së Kosovës ku në gjysmën e parë të vitit bashkësia ndërkombëtare publikon skandalet e PDK e LDK, ndërsa në gjysmën e dytë i promovon si apostuj të paqes e stabilitetit”, ka thënë për Portalin Albeu analisti Arsim Zekolli.
Por cili është mësimi që duhet nxjerrë nga ngjarje të tilla politike që bëhen nën “bekimin” e faktorit ndërkombëtar?
“Emëruesi i përbashkët dhe mësimi që duhet nxjerrë nga kjo qasje e bashkësisë ndërkombëtare është se për deri sa marrëveshjet bëhen mes faktorëve te kriminalizuar që garantojne stabilitet mercenari, nuk do të kemi qetësim të gjendjes. Problemi pra nuk është te marreveshjet, por te nënshkruesit e brendshëm dhe të jashtëm. Kjo vlen edhe për këtë episod të mbrëmshëm dhe futjen e LSDM-së në koalicion qeveritar me VMRO, BDI dhe PDSH. Ajo që është e përbashkët për keto katër parti është se, baza reale elektorale e tyre janë ambasadat perëndimore dhe institucionet bankare ndërkombëtare, dhe ato përgjegjësinë, frikën dhe drojen e mbajnë ndaj tyre, jo ndaj zgjedhësve. Ky sumarizim i shkurtër përshkruan të tashmen dhe të ardhmen, që garanton vazhdimësinë e pakënaqësive të qytetarëve”, vijon Zekolli.
Sa i përket zgjedhjet së Oliver Spasovskit në krye të ministrisë së Punëve të Brendshme dhe deklaratave të Nikolla Gruevskit se “nëse ndodh sërish e njëjta ngjarje që ndodhi në Kumanovë qeveria do veprojë njësoj”, Zekolli shprehet se tani e tutje çdo sulm ndaj shqiptarëve do të bëhet në emër të të katërta partive që firmosën marrëveshje, VMRO, LSDM, BDI dhe PDSH.
“Ajo që shqetëson realisht është deklarata e kryeministrit Gruevski dhënë mbrëmë ku u shpreh se, “ngjarjet e Kumanovës qeveria i zgjodhi me sukses dhe efikasitet. Nëqoftëse në të ardhmen ndodh që të ketë të tjera situtata këtilla, qeveria shpejt, me sukses dhe efikasitet do ti zgjidh ata, kuptohet, se nëse ndodhin”. Toni evident kërcënues i kësaj deklarate duhet nënvizuar dhe mbajtur mend. Posaçërisht në rethanat e reja, pas zgjedhjes të zyrtarit të LSDM-së si Ministër i Punëve të Brendhsme. Për dallim nga interevencat e mëparshme qe bëheshin nga policia Gruevski-Ahmeti, intervencat e mëtutjeshme, gjakderdhjet dhe terrorizimi i qytetarëve të Kumanovës dhe Shkupit tani do bëhen në emër të katër partive dhe bashkësisë ndërkombëtare. Prandaj, druaj se me zgjedhjet e mbrëmshme, Gruevski fitoi garanca dhe imunitet për duar të lira në provokime të incidenteve në të cilat do pësojnë shqiptarët, ndërsa do përfitojnë partitë etno-maqedonase VMRO e LSDM dhe te kriminalizuarat BDI dhe PDSH”, përfundon analizën e tij analisti Arsim Zekolli.