Rasti i Kumanovës duket si një rast i fabrikuar, duke marrë parasysh dorëheqjet e Ministres së Punëve të Brendshme dhe drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim. Kjo ishte përgjigjja që e dha Shkelzen Maliqi, në pyetjen e gazetarit të TV ERA, gjatë debatit të organizuar sot nga Qendra për Demokraci dhe Zhvillim.
Maliqi gjatë fjalimit të tij u rikthye në një shkrim të tij të vitit 2000, të titulluar: “A do të shpërthejë edhe Maqedonia”, ku tha se disa tema fatkeqësisht vazhdojnë të mbeten aktuale. Problemet e Maqedonisë, tha Maliqi, nuk janë të sodit, dhe do jenë edhe në të ardhmen. Ai tha se partitë shqiptare duhet të kenë disa pika të përbashkëta ku bashkëveprojnë kundër palës tjetër.
“Kjo deri tash nuk ka ndodhë dhe maqedonasit kanë ditur ta shfrytëzojnë këtë situatë, pushteti sidomos,me metoda të ndryshme korruptive. Faktori shqiptar, partitë, politikanët, duhet të kenë durimin dhe vizionin historik, pasi disa sende nuk janë zgjidhur, por mund të zgjidhen në favor të tyre nëse ka mençuri”, ka thënë Maliqi gjatë fjalimit të tij.
Maliqi ishte ligjërues në debatin e dytë në kuadër të sezonit të dytë të “Shkollës për Lidership” dhe ligjëroi në temën “Rreth pozitës strategjike të Maqedonisë: Shans i humbur i Shkupit të bëhet Bruksel i Ballkanit?”, ndërsa aktualisht është këshilltarë i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.