Quantcast
Channel: Portali FLURUDHA
Viewing all articles
Browse latest Browse all 5466

Anketimi: 15% e shqiptarëve s’kanë asnjë libër në shtëpi

$
0
0

Një anketim i bërë nga Shoqata e Botuesve në rreth 2500 individë, në 7 qytete të vendit, ku një pjesë e anketuar janë nga call center, fasoneri, shkolla te mesme, institucione të larta, librarë etj ka dhënë një atmosferë të zymtë mbi peshën e librit në Shqipëri. Të rinjtë lexojnë librat që bëjnë zhurmë; lexueset më të forta janë femrat; rreth 15% e shqiptarëve s’kanë asnjë libër në shtëpi etj…
Nga Marjana Ymeri
A lexojnë shqiptarët? Lexojnë shumë, pak, aspak? Zakonisht kësaj pyetjeje njerëzit tentojnë t’i përgjigjen duke u nisur nga përvojat personale. Një mësues të thotë për nxënësit e vet, që “ata mezi lexojnë librat e shkollës”, një i ri “po, lexojmë, por me shokët rrallë diskutojmë për libra”, një prind të flet për fëmijët “përpiqemi dhe ia blejmë librat, por i ngatërron tableti dhe telefoni tani”. Kurse nëse pyet botuesit, zakonisht përgjigjja e tyre varet nga shitjet e librit (që është natyrisht një tregues): para panairit shitjet nuk janë mirë, gjate panairit të librit kontakti me lexuesin, shitja e librave, publiciteti dhe gjithçka tjetër, i bën me optimistë. Gjithsesi, këto mbeten opinione ne nivele empirike.
Modelet e leximit të gjithë botën na japin këtë pamje globale: në njërën anë, sasia e informacionit është në rritje dhe shoqëritë kanë qasje të shpejtë në informacion; në tjetrën, shumë njerëz nuk janë në gjendje, për arsye të ndryshme, objektive dhe subjektive, të marrin këtë sasi të madhe të informacionit. Kjo shoqëri ka  kërkesa të reja për njerëzit. Në çdo rast, leximi ka mbetur kërkesa kryesore. Dhe në këtë situatë “kriza e leximit”, është një fakt i pranuar sot në gjithë botën. Hartohen strategji për leximin, ndërmerren nisma për ruajtjen e  numrit të lexuesve, për shtimin e tyre, për të fituar lexues të ri, duke stimuluar interesin për leximin, organizuar bashkëpunimin mes shtëpive botuese, bibliotekave dhe shkollave, me një fjalë bëhen përpjekje të dobishme për të edukuar dhe konsoliduar zakonet e leximit.
“Editoria dhe qasja e lexuesit në librin e printuar në Shqipëri” ishte një projekt që na u ngarkua nga Shoqata e botuesve shqiptarë. Për të pasur një panoramë të leximit, është e nevojshme të mbështetesh jo vetëm në vëzhgime empirike por edhe në statistika. Vëzhgimi ynë kufizohet në rreth 2500 individë të intervistuar, nga mosha 17-60 vjeç, që kanë plotësuar në anonimitet pyetësorët e shpërndarë, në 7 qytete të vendit, Tiranë, Shkodër, Vlorë, Elbasan, Durrës, Korçë, Lezhë. Nr. i të anketuarve në rininë universitare është 1047. Pjesa tjetër janë të anketuar nga call center, fasoneri, shkolla te mesme, institucione të larta, librarë.
Sigurisht përfundimet nuk mund të përgjithësohen por mund të sjellin disa tregues të besueshëm për leximin dhe zakonet e lexuesve shqiptarë. Është e nevojshme që studime të tilla të bëhen nga institucione të specializuara për të mbuluar një zonë më të gjerë gjeografike, një fashë më të gjerë moshash dhe shtresash shoqërore dhe sidomos një numër më të madh të intervistuarish. Është po kaq e domosdoshme të bëhen çdo vit, për të bërë krahasimet e duhura dhe për të reflektuar në politika shtetërore dhe private. Ky studim është i gjatë dhe do të botohet së shpejti. Unë do të kufizohem ne disa përfundime të para, të cilat japin gjithsesi disa përgjigje për pyetjet e shtruara më lart.
Pyetësori është i përbërë nga 29 zëra: të dhëna për moshën, gjininë, arsimin, mundësitë ekonomike, parapëlqimet për leximin, gjinitë letrare, llojet e librave, frekuentimin e bibliotekave, kanalet e blerjes së librave, mjetet e ndikimit në zgjedhjen e librave, rolin e rrjeteve sociale etj., mënyrat e kalimit të kohës së lirë etj.
Një nga vëzhgimet e para, pas analizës cilësore të pyetësorëve: rëndësia e librit si një mjet formimi, kulturor, njohjes së botës, argëtimi, emocionesh etj. ka ndryshuar: është bjerrë pesha e tij. Ai perceptohet në mënyra të ndryshme nga mosha të ndryshme. Mosha e mesme, 50-60 vjeç,  e konsideron prioritet për zhvillimin e vetes, kulturimin, informimin, rritjen e aftësive të komunikimit, ndërsa të rinjtë e shohin si  një mundësi argëtimi, më pak kulture dhe sidomos më pak promocional në karrierën e tyre, pra, në një farë mënyre e reduktojnë vlerën e tij.
Dihet se sjelljet ndaj librit e leximit janë të kushtëzuara nga faktorë të shumtë të mjedisit, faktorë kulturorë, socialë etj. Midis tyre, së pari vihet në dukje ndikimi i nivelit të arsimimit dhe niveli socio-ekonomik.
Në këtë kontekst është shqetësues ky perceptim i librit nga ana e rinisë dhe ulja e treguesve te leximit. Sapo te rinjtë hyjnë në universitet bie dëshira e tyre për lexim, pikërisht atëherë kur pritej të ndodhte e kundërta, sepse ata presin që të hyjnë në botën e punës. Po të krahasosh statistikat për nivelet e leximit të nxënësve të shkollës se mesme, me ato të rinisë studentore, vë re menjëherë që kuota bie në më pak se 50 %.
Si arsye kryesore për këto tregues shënohet mungesa e kohës së lirë, mungesa e mjeteve financiare, telefoni dhe grupi shoqëror ku bëjnë pjesë. Një rol të veçantë dhe nganjëherë vendimtar luan e ashtuquajtura kulturë e ekranit, që përfshin TV, videot dhe kompjuterin, pak veta shënojnë edhe nje arsye tjetër: “mungesën e librave interesante për botën e tyre”. Sigurisht, të gjitha këto qëndrojnë por ne mendojmë, duke gjykuar rreth pyetësorëve dhe sidomos pyetjes: “a ju pëlqen të lexoni”, në marrëdhënie me pyetjen tjetër, “sa libra lexoni ne vit”? në përgjigjet e të cilave ku shumë herë një mospërputhje, ata shprehen se “ju pëlqen të lexojnë”, por ndërkaq, “lexojnë një deri në tri libra në vit”. Dhe nëse ata shkruajnë që libri i tyre i fundit që kanë lexuar ështëShtëpia e kukullave ose Romeo e Zhulieta, atëherë mund të jesh e bindur, pa pare ende se nga cili fakultet vjen ky pyetësor, që bëhet fjalë për fakultetin e filologjisë. Ndërsa nëse shkruan se Tom Sojeri është libri që ai ka lexuar së fundmi dhe i ka pëlqyer më shumë, mund të arrish në përfundimin se aty ka mbetur edhe leximi i tij. Pra, mendojmë se ka një demotivim të rinisë në përgjithësi, kanë ndryshuar qëllimet dhe preferencat e tyre, që shprehet me fjalët e një të riu nga një universitet publik. Në pyetësorin e tij, ai kishte shkruar: “njerëzit e pushtetshëm, njerëzit e pasur, njerëzit e biznesit, nuk janë bërë të tillë për hir të librave që kanë lexuar”. Pra, kjo flet për mungesën e modelit të mirë në shoqëri. Kjo na kujton një personazh të librit Numri zero, të Ecos, që thotë se “Nëse dëshiron të jesh fitimtar, duhet të dish vetëm një gjë e të mos humbasësh kohën për të mësuar gjithçka. Kënaqësia e erudicionit është vetëm për humbësit. Sa më shumë të dish, aq më keq mund të të shkojnë gjërat.”
Një tjetër vëzhgim është që të rinjtë nuk bëhen pjesë dhe as krijojnë një komunitet që lexon, shumë rrallë mund të qëllojë që në një tryezë të diskutohet për librin e ri, por ndërkaq ata e ndjekin njëfarë “mode” në të lexuar dhe kjo duket nga titujt pothuaj po ata që përmendim në rubrikën: “cili libër ju ka pëlqyer më shumë këtë vit”. Vjet p.sh., ishte në modë libri i John Grwn, Faji në yjet tanë, disa të tjerë përmendin ende Tre metra mbi qiell, që ka disa vjet që është botuar, por që në fakt kur u botua për herë të parë në Itali, u bë një fenomen editorial por lëvdata më e madhe që iu bë ishte se bëri që “adoleshentët të kthejnë sytë nga libri”. Sipas tyre, ata lexojnë një libër që ka bërë zhurmë, për të mos u veçuar, por kjo nuk i bën ata lexues të vërtetë, në literaturë këta përcaktohen si lexues rastësorë. Sipas të rinjve, rrjetet sociale luajnë një rol të dyfishtë – në njërën anë, ata i pengojnë njerëzit të lexojnë, ndërsa në anën tjetër, ata ndihmojnë në shkëmbimin e opinioneve dhe sjellin informacion në lidhje me librat, autorët, botimet e reja, shpesh i shtyjnë njerëzit të shkruajnë, poezi në radhë të parë, por edhe tregime etj.
Nga analiza e statistikave në përgjithësi, (statistikat e përmendura lidheshin me të rinjtë), del një e dhënë alarmuese: gati gjysma e të intervistuarve, rreth 48% lexon vetëm 1 libër në vit.  Dhe këta nuk janë vetëm punonjësit e fasoneve, të call center (që përgjithësisht janë studentë dhe vërtet nuk kanë kohë të lirë), po janë studentë me kohë të plotë, nxënës të shkollës së mesme dhe punonjës në institucione.
Këtu ka përputhje zakonisht  midis kësaj te dhëne dhe pyetjes tjetër: rreth 40% e te intervistuarve pyetjes “A ju pëlqen të lexoni libra” i përgjigjen: “pak ose aspak”. dhe pohojnë që lexojnë 1 libër në vit. Në literaturë këta quhen lexues të dobët. Unë do të shkoja më tej, në fakt këta janë jolexues. Një lexues që lexon një libër në vit, është vetëm një lexues rastësor. Dhe këtë nuk mund ta lidhësh në asnjë moment me arsimimin. Ne kemi intervistuar rreth 180 punonjës të fasoneve, nga të cilët do të prisnim një nivel më të ulët arsimimi, rreth 80 % pohojnë që kanë mbaruar një shkollë të mesme, të tjerët kanë një shkollë tetëvjeçare. Ndërsa në intervistuarit e tjerë, rreth 85 % ose kanë mbaruar arsimin universitar ose e vijojnë atë (me përjashtim  te 230 maturantëve të shkollave te mesme te kryeqytetit).
13 % e të intervistuarve lexon më pak se 3 libra në vit, edhe këta janë lexuesit e dobët, që hyjnë e dalin ndonjëherë në librari për të marrë ndonjë libër të tipit bestseller.
18 % janë personat që lexojnë 6-8 libra në vit, këta janë lexues të mirë.
Vetem 21 % e të intervistuarve mund të klasifikohen si lexues të fortë, pra që lexojnë 12 e më shumë libra në vit, por a mund të bazohet botimtaria shqiptare, politikat editoriale, të prodhimit të marketingut e të shpërndarjes mbi këtë numër të vogël lexuesish të fortë?
Dhe mos harrojmë familjet: pasja e një biblioteke qoftë edhe modeste është një tregues i fortë për interesimin ndaj librit. Nuk kanë biblioteke në shtëpi, pra asnjë libër 15 % e te anketuarve, 61% kanë nga 10-60 libra, 9% kanë mbi 60 libra, kurse 15% e të anketuarve kanë më shumë sesa 100 libra. Pa dyshim këtu duhet të llogarisim që shumë prej tyre, përfshijnë edhe tekstet shkollore.
Për sa i përket gjinisë, nuk ka të dhëna që të çudisin, si edhe në vende të tjera femrat janë lexuese të mira. Ato mund të konsiderohen edhe lexuese të forta, por  konsumi i librave prej tyre lidhet më shumë me letërsinë romantike, romanin me dashuri, si e quajnë.
Burimet e informacionit për librat. Të rinjtë përmendin internetin si burim të informacionit rreth librave, si dhe miqtë e tyre, të afërmit, televizionin. Të rinjtë janë më të prirë për të gjetur versionet online falas të librave se sa për të blerë ato.
Është interesante dhe mjaft dëshpëruese përgjigja e të intervistuarve për sa i përket frekuentimit të bibliotekave. Madje edhe studentët që e kanë te detyrueshëm anëtarësimin në bibliotekë (80 % e tyre janë anëtarë të bibliotekave universitare) pohojnë se shkojnë në bibliotekë rrallë (ndër 4 përgjigje: asnjëherë,  rrallë, shpesh, gjithmonë). Nga pjesa tjetër e të anketuarve pra, nga 75 % vetëm 5 % shkojnë shpesh në bibliotekë, te tjerët nuk shkojnë fare. Kjo tregon: se bibliotekat janë të varfra, se ato nuk promovohen si vende kulture edhe pika sociale siç është p.sh. modeli i bibliotekave në vendet anglo-saksone dhe në Evropën veriore ku veprojnë gati si një shërbim i vërtetë social dhe ku përveç librave, teknologjisë së përparuar dhe zonave të studimit, ofrohen programe e aktivitete që synojnë trajnimin dhe përmirësimin e aftësive personale – informatike, gjuhësore, të leximit – gjatë gjithë jetës.

Viewing all articles
Browse latest Browse all 5466


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>