Gjykata e Barit në Itali ka shpallur fajtor një biznesmen, i cili akuzohej se kishte paguar prostituta për të marrë pjesë në festat e organizuara nga ish-kryeministri, Silvio Berlusconi, dhe e ka dënuar atë këtë të premte me 7 vite e 10 muaj burgim.
Biznesmeni Giampaolo Tarantini akuzohet se siguronte prostitutat për Bersluconin, si një mënyrë për të rënë në sytë e kryeministrit dhe për të fituar më pas kontrata të majme publike.
Ish-kryeministri Berlusconi, tashmë 79 vjeç, i cili udhëheq ende partinë e tij konservatore “Forza Italia” por i larguar nga qeveria prej 2011-s e më pas i dënuar nga postet publike, nuk ishte i pranishëm në seancën gjyqësore.
Veç biznesmenit, janë akuzuar edhe 6 persona të tjerë, përfshirë Sabina Beganoviç, një zonjë e dyshuar si shoqëruese, e cila shpesh herë është mbiquajtur nga mediat italiane si “Mbretëresha Bee”. Prej tyre, 3 janë dënuar, përfshi edhe Beganoviçin me 16 muaj heqje lirie, ndërsa 3 të tjerët janë liruar.