Një efektiv i Policisë së Kosovës ka shprehur publikisht qëndrimin e tij kundër urdhrave dhe veprimeve të policisë.
Ajet Duli në mënyrë demonstrative hoqi dorë nga uniforma duke deklaruar se distancohet nga veprimet e qeverisë, policisë dhe gjyqësorit karshi Albin Kurtit.
Në një letër publike dërguar medieve, mes të tjerash ai shkruan:
“Dua që publikisht të deklarohem se distancohem nga këto veprime të qeverisë, gjyqësorit dhe Policisë së Kosovës karshi veprimeve ndaj Albin Kurtit dhe djemve e vajzave qe janë pjesë e kësaj lëvizjeje. Si ish-i burgosur politik, si pjesëtar i UCK-ës e tani si pjesëtar i Policisë se Kosovës, si dhe si veprimtar e aktivist shumëvjeçar nuk mund të qëndroj indiferent në këto çaste, kur po merren masa ndaj këtyre aktivistëve që janë e tashmja dhe e ardhmja më sublime e këtij populli. Nuk dua më të jem pjesëtar e kësaj policie që rreh shqiptarët, as me mbajt speca. Jo më ‘pendrek’ (shkop gome) mbi shqiptarët, boll kemi ngrënë nën Serbi!”.