Me provat në dorë se rasti i tij është i montuar, Lube Boshkovski i kërkoi gjykatës që rasti “Rover” të kalojë në duart e prokurores speciale publike. Boshkovski thotë se posedon audio regjistrime dhe transkripte, se bëhet fjalë për proces të montuar policor- politik, i përgatitur nga një funksionar i lartë në polici. Provat pohon se i ka marrë në muajin mars, ndërsa janë pjesë e materialeve të përgjuara që i posedon LSDM-ja.
“Ato drejtpërdrejtë lidhen me mënyrën dhe personat që kanë marrë pjesë në përgatitjen e procesit Rover, të provave e kështu me radhë. E dini se këto prova deri më tani nuk u publikuan dhe nuk do të doja të komentoj për përmbajtjen e tyre. Me ligj prokurori special publik në mënyrë të qetë do t’i shqyrtoj këto dhe pastaj do të marrë qëndrimin. Ne do t’i dorëzojmë, edhe pse ka indikacione se ato tani më janë dorëzuar së bashku me materialet e përgjithshme të përgjuara”, deklaroi Konstantin Kratovaliev, Avokat i Lube Boshkovskit.
Prokurorja Raiçeviq u pajtua për mos-nisjen e seancës gjyqësore, pasi do të pritet vendimi i Prokurorisë Speciale. “Mua nuk më mbetet asgjë tjetër përveç që të tërhiqem nga shqyrtimi i lëndës”, tha ajo në gjykatë.
“Për propozimin e këtillë mbetet që unë si prokurore publike që deri më tani përfaqësonte akuzën, t’i drejtohem institucionit të Prokurorisë Publike për mendim – kush është kompetent të veprojë me këtë lëndë, a ka pika të përbashkëta me ligjin për Prokurori Publike dhe nëse do të veprojë ndonjë prokuror tjetër kompetent publik në periudhën e ardhshme”, tha Lidija Raiçeviq Vukova, Prokurore Publike.
Boshkovski vuan dënimin me burg prej 5 vitesh për mit-marrje prej 100 mijë euro, para zgjedhjeve të vitit 2011. Regjistrimet lidhur me këtë rast ishin pjesë e bombave që i publikoi Zaev. Në njërën prej tyre bisedojnë Mijalkov dhe Latas.
Për të tretën herë duhej të fillonte gjykimi për vrasjen e Marijan Tushevskit dhe Kiro Janev në vitin 2001, i njohur si Rover. Herën e parë lideri i “Të Bashkuar për Maqedoninë” u dënua me 12 vite burg për ndihmë në vrasje me paramendim, ndërsa vitin e kaluar në gjykimin e dytë dënimi u zvogëlua në 10 vite burg. Tani Boshkovski pritet të gjykohet për të tretën herë.
Maja Jovanovska