Rusia akuzon sërish Turqinë për kontrabandë nafte midis saj dhe të ashtuquajturit Shteti Islamik.
Agjencia ruse e inteligjencës ka publikuar së fundi fakte të tjera përmes të cilave thuhet se mbi 12 mijë kamionë të ngarkuar me naftë nga pjesët e Irakut dhe Sirisë që janë pushtuar nga ISIS në drejtim të Turqisë.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Sergej Urdskoi në një konferencë shtypi bëri me dije se trafiku i naftës vazhdon me intensitet drejt Turqisë, duke shtuar se pjesa më e madhe e kësaj kontrabande kryhen nga pika kufitare e Akhos, një zonë e populluar nga kurdët në Irak.
“Kontrabanda e naftës nga territoret e Shtetit Islamik në Siri vijon pavarësisht se kohët e fundit është vënë re një rënie e numrit të kamionëve transportues. Kjo falë edhe fushatës ruse të bombardimeve kundër xhihadistëve, nën objektivin e të cilave ka qenë edhe kjo tregti, që tashmë është ndaluar ndërkombëtarisht me një rezolutë të OKB-së”, tha gjenerali rus.
Mediat ruse kanë publikuar dëshminë e zëdhënësit të Frontit Popullor të Organizatës Badr, një prej milicive më të mëdha shiite, aktive në Irak. Karim al-Nuri tha në një intervistë për Russia Today se kishin zbuluar evidenca të forta që dëshmojnë se Turqia ndihmon me para dhe mjete logjistike xhihadistët e Shtetit Islamik.
Al-Nuri tha se në zonat e konfliktit, në disa raste janë gjetur pajisje elektronike në trupat e militantëve të vrarë. Ato përmbanin mesazhe apo fotografi autentike, ku faktoheshin komunikimet e të birit të presidentit turk Rexhep Taip Erdoan, i cili organizonte takime apo komunikonte me krerët e Shtetit Islamik. /Dita/