Kandidatja për presidente të ShBA-ve, Hillary Clinton nga përvoja e di se sa e rëndësishme është përzgjedhja e ushqimit gjatë fushatave presidenciale.
“The Independent” raporton se kur ajo ishte ndalur në një dyqan në Little Rock, mori vetëm një domate për ta ngrënë, ndërsa i tha ekipit të saj që të përkujdesej që në dhomat e hotelit ku do të qëndronte ajo të ketë hapësirë të mjaftueshme për joga, transmeton Koha.net. Aktualisht, ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, është duke iu nënshtruar një diete për humbjen e peshës dhe po përdorë shumë speca djegës.
Që nga kandidimi i saj në muajin prill, Clinton ka hyrë në një dietë si dhe ka filluar të jetë strikte në rregullat e palestrës, duke shpresuar që të bie në peshë, por edhe të mos lejojë shtimin e saj, me shpresë se do të zvogëlojë netët pa gjumë gjatë fushatës.
“Ajo është duke bërë diçka drejtë, që unë s’kam mundur ta kuptoj se si bëhet… Qëndrojnë në formë të mirë gjatë fushatës politike me anë të gastronomisë”, është shprehur ish-guvernatori i Vermontit, Howard Dean, i cili ka thënë se kishte shtuar rreth 15 kg gjatë fushatës presidenciale në vitin 2004.
Të gjithë kandidatët i kanë sekretet e tyre se si të qëndrojnë në formë gjatë fushatës presidenciale.
Presidenti i Amerikës, Barack Obama shpesh është ankuar për ushqimet e skuqura, që është një element kryesor gjatë fushatës, por me anë të angazhimit të rregullt në palestër, madje edhe kur udhëton, e bën që të jetë në formë të mirë fizike.