Katër partitë nuk arritën konsenzus për zgjedhjet e 24 prillit. Megjithatë, marrëveshja nga Përzhino nuk është e vdekur dhe nëse të gjitha partitë mbeten të përkushtuar në të, është e mundur të mbahen zgjedhje korrekte dhe demokratike, në pajtim me standardet evropiane, vlerësoi mbrëmë Johanes Han pas përfundimit të takimit të përbashkët me liderët e partive nënshkruese të marrëveshjes nga Përzhino.
"Vlerësoj se tre partitë do t'i përmbahen kësaj marrëveshje. Por, pres të gjitha partitë t'i përkushtohen kësaj marrëveshje, sepse ajo mbulon shumë elemente të cilat janë të vlefshme për të ardhmen e vendit, dhe sepse duhet të vazhdojnë të punojnë në të. Njëheri, përsëri i bind të gjithë se institucionet evropiane do të mbeten të përkushtuar dhe t'i ndihmojnë vendit. Për këtë shkak kërkova nga Vanhaute të mbetet dhe të vazhdojë me përpjekjet për ndërmjetësim në bisedat kur bëhet fjalë për situatën me mediat", tha Han.
Ai bindi se nëse partitë arrijnë marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, do të vendosen përfaqësaues të institucioneve evropiane për monitoring të përgatitjeve për zgjedhje dhe të procesit zgjedhor, si dhe të tërë situatës në vend. Han me këtë rast deklaroi se të enjten ka biseduar me drejtorin e ODIHR-së dhe me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së dhe të dy i kanë konfirmuar se nëse të gjithë në vend janë të përkushtuar, është e mundur të mbahen zgjedhje korrekte, transparente dhe demokratike në pajtim me standardet evropiane. Në këtë kontekst, përkujtoi edhe në kumtesën e tyre të përbaskët se besojnë në këtë nëse ndërmeren masat e domosdoshme, dhe nëse Komisioni zgjedhor shtetëror i merr mjetet e nevojshme që të angazhojë personel, për çka, siç tha, nga lideir i VMRO-DPMNE-së u propozua të ndahen resurse dhe pajisje që të garantohet cilësia e zgjedhjeve.
"Por tani mbetet që partitë politike të marrin vendim përfundimtar. Mund vetëm t'i nxis të gjithë të marrin pjesë në zgjedhje. Arritje është të ketë zgjedhje të lira. Duhet të kujdesemi që këto zgjedhje të zbatohen në pajtim me pritjet tona, respektivisht standardet dhe nëse ky është rasti, i nxis të gjitha partitë të marrin pjesë në zgjedhje, me qëllim që të garantohet gjendja poltiike", tha eurokomisari Han.
Ai përkujtoi se vendi është në gjendje shumë të rëndë strategjike, pasi këtu është edhe kriza e migrantëve në Evropë, e cila vazhdon dhe se në shumë vende evropiane ekziston tendencë në rritje për mbylljen e kufijve, e kjo, thotë ai, mund menjherë të shprehet në situatën këtu në vend.
"Për këtë shkak besoj se Qeveria, tërë elita politike, Parlamenti duhet të përkushtojnë kujdes të domosdoshëm në këtë situatë serioze. Por, këtu bëhet fjalë edhe për situatë ekonomike, po ashtu edhe për perpsektivë evropiane dhe evroatlantike, për çka nevojitet Qeveri e fuqishme dhe e vendosur, e cila do të mund të marrë vendime", tha Han.
I pyetur nëse mund të garantojnë zgjedhje korrekte dhe demokratike për më 24 prill, ai tha se mund të bindet se ODIHR për periudhën përgatitëse në zgjedhjet do të sistemojë 24 vëzhgues të përhershëm, ndërsa për zgjedjet në vend si Turqia janë angazhuar 30 vëzhgues të përhershëm.
Për demokraci të mirë dhe funksionale nevojiten qeveri funksionale dhe opozitë e fuqishme, tha Han, i pyetur nëse do të pranojnë zgjedhje pa opozitë.
Lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski theksoi se në takimin tre nga partitë kanë qenë për atë që që të merren vesh të gjitha hollësirat për plotësimin e tërësishëm të marrëveshjes nga Përzhino dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në datën veçmë të kontraktuar - 24 prilli, ndërsa vetëm një parti, respektivisht një njeri ka ardhur me qëllim të të anulohen zgjedhjet.
Ai tha se nuk u pranua nga tre partitë tjera politike kërkesa për anulimin e zgjehdjeve dhe shtoi se prej nesër do të bëjnë konsultime më të gjera partiake dhe shoqërore për atë se cilat do të jenë hapat e tyre të ardhshme.
"Komisari Han në mbledhjet e sotme qartë na tha se kryetari i KSHZ-së e ka njoftuar se nuk ekzistojnë kurrëfarë pengesash për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill. Po ashtu, na informoi se nga OSBE-ja e kanë njoftuar se nuk ekzistojnë pengesa për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill. ODIHR po ashtu e ka informuar se nuk ka pengesa dhe se ka kohë që të përgatitet që zgjedhjet të mbahen më 24 prill. Vetëm një njeri po tenton ta vazhdojë krizën në Republikën e Maqedonisë dhe ta thellojë, pasi me sjelljen e tij jo vetëm se nuk mund të zgjidhet, por mund të thellohet kriza", deklaroi Gruevski.
Ai njeri theksoi, erdhi në negociata me kërkesë dhe insistim që të anulohen zgjedhjet.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, theksoi se ata kanë kërkuar të respektohet marrëveshja e qershorit dhe e korrikut dhe të gjitha arritjet e deritanishme, si dhe të vendosen interesat shtetërore para atyre partiake.
"Të gjitha palët kanë pasur dallime dhe për fat të keq nuk arritëm marrëveshje lidhur me datën e zgjedhjeve. Tre partitë politike u pajtuan për marrëveshjen dhe respektim të asaj që u kontraktua, ndërsa një nga partitë nuk u pajtua me datën e zgjedhjeve", tha Ahmeti.
Ai shtoi se vlerëson se për datën e zgjedhjeve duhet të arrihet konsenzus dhe potencoi se gjatë ditëve të ardhshme do të vazhdohet me negociata dhe biseda që të arrihet pajtueshmëri.
"Vlerësoj se të gjithë së bashku duhet të veprojmë. Duhet t'i vendosim interesat shtetërore mbi ato partiake dhe të bëjmë përpjekje për zgjidhje konsenzuale. Presim gjatë disa ditëve të ardhshme të reflektojnë të gjitha palët dhe të ndërmarrin angazhime dhe përgjegjësi njëkohësisht", theksoi Ahmeti.
Lideri i PDSH-së Menduh Thaçi i pari e braktisi takimin, por nuk dha deklaratë për media. Ai paraprakkisht para takimit tha se mbeten në qëndrimin që zgjedhjet e parakohshme nuk duhet të anulohen.
Lideri i LSDM-së Zoran Zaev pas përfundimit të takimit deklaroi se negociata kanë dështuar dhe se LSDM-ja nuk do të merr pjesë në zgjedhje nëse mbahen më 24 prill.
"Për ne nuk janë të pranueshme zgjedhje pa rregullim me kohë të mediave dhe pa azhurnimin me kohë zë Listës zgjedhore. Nëse mbahen zgjedhje më 24 prill, ne nuk do të marrim pjesë, ndërsa do të vazhdojmë të luftojmë për kushte korrekte, të rregullta dhe demokratike për mbajtjen e zgjedhjeve", tha Zaev.
Lehtësuesi në negociatat Piter Vanhaute tha se gjatë javëve të ardhshme do të vazhdojnë të punojnë në prioritetet urgjente, siç është çështja për mediat.
"Do të bëjmë gjithçka që të arrihet marrëveshje për këto çështje, ndërsa prej afër do të ndjekim edhe çka do të ndodh me zgjedhjet. Dëshirojmë të jemi të sigurtë se nëse vjen deri në zgjedhje, ato do të mbahen në mënyrën më adekuate", tha Vanhaute.
I pyetur nëse është e mundur të shkohet në zgjedhje pa opozitë, tha se do të presin të shohin se çka do të bëjë opozita gjatë disa ditëve të ardhshme.
Do të bisedojmë me opozitën dhe do të shohim se si do tl zhvillohet gjendja gjatë javëve të ardhshme", tha Vanhaute.
Paraprakisht, gjatë ditës, Han ka pasur takime të ndara me liderët e BDI-së Ali Ahmeti, PDSH-së Menduh Thaçi, VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski dhe LSDM-së Zoran Zaev. Në takimin e përbashkët morën pjesë edhe euroambasadori Aivo Orav dhe ambasadori i SHBA-së, Xhes Bejli. /koha