Quantcast
Channel: Portali FLURUDHA
Viewing all articles
Browse latest Browse all 5466

Hilë Mosi, poeti që u bë drejtor policie dhe një konflikt i tij me At Gjergj Fishtën

$
0
0
Historia e patriotit Hilë Mosi, poeti që ishte drejtor policie dhe ministër
Nga Hilë Lushaku*

Burri i madh i kombit shqiptar, i pakursyeshmi për shqiptarinë, Hilë Mosi, u lind në Shkodër më 22 prill 1885 (një burim i dytë shënon vitin 1883). Mësimet e para i mori në shkollën teknike italiane dhe në kolegjin e Jezuitëve në Shkodër. Pas kësaj ka vazhduar mësimet në gjermanisht në Klagenfurt të Austrisë. Në vitin 1902 qe punësuar në shoqërinë “Dija”, e cila botonte në atë kohë fletoren “Vëllaznija”. Më 27 dhjetor 1904, themeloi të paren shoqëri studentësh me titullin “Lirija”, në Klagenfurt të Austrisë, e cila më vonë mori emrin “Dija”. Këtë e shpreh vetë Hilë Mosi në letrën që i dërgoi Odhise Paskalit, kryetar i shoqërisë “Studenti Shqiptar” në Torino të Italisë, më 1929, ku i premtoi se do të bashkëpunojë me grupin drejtues dhe e inkurajon për këtë nismë. Në viti 1907, gazeta “Drita”, botoi artikullin “Çonju”, shkruar nga Hilë Mosi, me të cilin u drejtohet bashkatdhetarëve të jenë vigjilentë dhe të mos dëgjojnë premtimet e ndryshme dhe gënjeshtrat, por të bashkohen, t’i hapin qeset dhe të ndihmohet puna e shenjtë për fitoren e lirisë nga shqiptarët. Më 1908 u kthye në atdhe dhe bëhet pjesëtar i çetës komite të Mihal Gramenos, në Korçë. Këtë vit themeloi në Shkodër klubin “Gegnija” të cilin e ka përfaqësuar në kongresin e Manastirit në vitin 1908 (ndërkohë ishte edhe delegat i Shkodrës në këtë kongres), ku u zgjodh sekretar i kongresit. Pas kongresit të Manastirit ka qëndruar një vit në Korçë, duke kontribuar me aktivitetet patriotike e kombëtare te djalëria korçare në shoqërinë “Vëllazërija”, të cilën e pati themeluar ai vetë. Sipas një burimi të shtypit të asaj kohe bëhet e ditur se, në periudhën 1909-1910, Mosi ka qëndruar edhe në Stamboll, ku së bashku me Dervish Himën botuan gazetën “Shqiptari”. Më 1910, Hilë Mosi mori pjesë në kryengritjen e Mbishkodrës, ndërkohë është anëtar i komitetit “Shoqëri e Zezë” që luftonte për lirinë e Shqipërisë. Edith Durham në ato ditë lufte të tmerrshme ka qenë pranë luftëtarëve të Malësisë dhe u takua me Hilë Mosin të cilin e përshkroi: “Hila i thatë dhe i zeshkët nga luftimet e shumta, me një qeleshe të bardhë shqiptare në kokë, rrasur mbi majë të kokës, me flokë pisë të zinj, dukej një figurë mjaft piktoreske. Ai ishte gjithashtu poeti i kësaj lufte dhe shkruante vargje në fletore shënimesh edhe nën zjarrin e betejës”. Përshkrimi i Durham për luftën e katolikëve shqiptarë të Triepshit, të cilët u mundën, ndonëse Hilë Mosi me shokë kishin luftuar për shumë ditë kundër ushtrive turke, madje të ndodhur në mjerim edhe për ushqime, ilaçe municione”, përcillet me realizëm por edhe me dhembshuri. Më pas Hilë Mosi ka shkuar në Sofje për të botuar në shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht e italisht proklamatat për t’i bërë të njohur opinionit botëror dëshirat e Shqipërisë. Edhe më 1911, kur u rikthye në Shqipëri, mori pjesë në kryengritjen e Malësisë së Madhe. Shpallja e pavarësisë e gjeti në Trieste, ku punonte për çështjen shqiptare. Më 1913 është sëmurë rëndë nga lodhja dhe vuajtjet që kaloi në luftë, prandaj detyrohet të shkojë në Itali, Trieste, për kurim shëndetësor. Ndonëse pati shkuar për kurim nuk ndërpreu veprimtarinë në të mirë të atdheut, duke u angazhuar në organizimin e Kongresit të Triestes, i cili e zgjodhi Mosin kryetar të tij. Pas kurimit, nga mesi i vitit 1913, kthehet në vendlindje, në Shkodër, dhe boton fletoren “Shqypnija e Re”. Ndërkaq, sipas gazetës “Përlindj’ Shqipëniës”, veprimtari i pathyeshëm i “Çështjes Kombëtare Shqiptare”, Hilë Mosi, ka qenë në grupin që priti në Shkodër përfaqësuesit e Qeverisë së Vlorës, në gusht të vitit 1913. Në përbërje të këtij “delegacioni ishin: Prenk Bib Dodë Pasha, Luigj Gurakuqi, Ethem bej Vlora dhe Hysen bej Vrioni”. Kjo pritje u shtrua në shtëpinë e Preng Pashës, ku Mosi mbajti fjalën përshëndetëse. Aty morën pjesë edhe përfaqësues nga Shkodra, Malësia e Madhe, Mirdita, Lezha e Zadrima, të cilët kishin ardhur për të deklaruar bashkimin e këtyre territoreve me njëri-tjetrin në përkrahje të qeverisë së Ismail Qemalit. Po në vitin 1913, organizoi klubin “Lidhja Kombëtare”, me qëllim të bashkojë elementet e ndryshëm. Në këtë vit ka qenë shumë aktiv në shtypin e kohës, duke qenë i pranishëm me shkrime të shumta, ku ka shpalosur idetë e tij për organizimin e shtetit të ri shqiptar, me përbërje kombëtare, për domosdoshmërinë e një kuvendi kombëtar, i cili duhet të mblidhet në Shkodër. Ndër të tjera ai ka shtjelluar në shtyp idenë e mbretërisë shqiptare. Në nismën për krijimin e klubit “Lidhja Kombëtare”, pati përkrah edhe Ibrahim Gjyrezin, Ismail Xhabinë dhe Luigj Naraçin e shumë intelektualë të tjerë, por klubi u shpërnda shpejt nga konfliktet ndërmjet tyre. Për jetëshkrimin sa më të plotë e vlen të konstatojmë faktin se në gusht të vitit 1913, Hilë Mosi u fejua dhe u përgëzua me urime të sinqerta nga shumë miq të tij. Në shkurt 1914, Hilë Mosi do të ftohet nga qeveria e Esad pashë Toptanit për ta vendosur drejtor të Përgjithshëm të Sigurisë së Shqipërisë. Për këtë emërim, gazeta “Ushtima e Krujës”, (organ i padeklaruar i qeverisë së Esad pashë Toptanit), shkroi: “I dëgjueshëm luftëtar, si revolucionar dhe poet, zotni Hilë Mosi u thirr prej qeverisë dhe u shënua për direktor në Drejtorinë e Përgjithshme të Sigurimit, të cilën shërbim e pranoi dhe nisi të veprojë, duke i shërbyer atdheut me shumë se sa i ka shërbyer gjer më tash. Shqipëria është e lumtur kur ka në shërbim të dukshëm ato bijtë e saj, të cilët i kanë ruajtur nderin dhe fizionominë e kombtarnimit me penë dhe me hutë, si zotni Hilë Mosi, të cilin e urojmë dhe i dëshmojmë jetë të gjatë e punë të modershme e të mbarë”. Shërbimi në këtë detyrë nuk pati jetë të gjatë, pasi Këshilli Ndërkombëtar i Kontrollit kishte marrë drejtimin e shtetit shqiptar. Hila prapë iu përkushtua aktivitetit kulturor. Që atë vit ai themeloi shoqërinë laike “Vaso Pasha”. Pas pushtimit malazias të Shkodrës, më 1915, Hilë Mosin, ushtria malazeze e internoi në Podgoricë, së bashku me 25 shokë të tij, patriotë të dëshmuar. Më 1916, sapo ushtritë malazeze u largua nga Shkodra, Hila u kthye në vendlindje dhe organizoi shoqërinë “Vëllaznija” të Shkodrës, duke qenë ndërkohë kryetar i saj. Misioni i kësaj shoqërie ishte bashkimi i djalërisë së krishterë e myslimane shkodrane, në të mirë të kauzës së Shkodrës e të Shqipërisë që duhej bërë. Kjo shoqëri pati aktivitet të madh në Shkodër dhe këtë veprimtari Hila e ka pasqyruar edhe në revistën e vet, të quajtur “Agimi”. Në kohën e pushtimit austriak, të pjesës më të madhe të tokave të Shqipërisë Etnike (1916-1918), Hilë Mosi ishte shef (drejtor) i Policisë në Shkodër. Sipas kronikut të besueshëm, Hamdi Bushatit, (autor i librit “Shkodra dhe motet”), më 15 prill 1916, Hila ka komunikuar me parinë myslimane të Shkodrës për të zbatuar urdhrat e pushtetit ushtarak të feldmareshalit Trollman. Kjo pari qe ftuar në “Xhaminë Plakë” të qytetit, për të kundërshtuar rekrutimin e të rinjve shkodranë nga pushtuesi austriak dhe dërgimin e tyre në frontet e luftës jashtë Shqipërisë. Po kështu, zaptimi i banesave për ushtarakët, sekuestrimi i pasurive e artikujve ushqimorë për nevoja të trupave ushtarake qe bërë i padurueshëm. Takimi ka vazhduar edhe më 16 prill dhe Hila i ka ftuar pjesëmarrësit të shpërndaheshin, por kjo është refuzuar prej tyre. Pas kësaj një grup prej 200-300 kalorësve ushtarakë austriakë ka ndërhyrë forcërisht ndaj qytetarëve dhe i ka arrestuar të gjithë me forcën e bajonetave të armëve, duke i keqtrajtuar. Në fushë të kulturës, Hila në periudhën e Luftës së Parë Botërore, 1916-1918, dha kontributin e tij në ”komisinë letrare shqipe” të Shkodrës, si anëtar i saj. Më 1920, veprimtari i shquar, Hilë Mosi, u përfshi në Komitetin “Mbrojtja Kombëtare” dhe u zgjodh senator i Shkodrës. Në vitin 1921, ai u zgjodh deputet i Shkodrës dhe me këtë rast ka falënderuar publikisht në media të gjithë miqtë dhe dashamirësit që e kanë uruar për zgjedhjen deputet. Më 3 mars 1921 Hilë Mosi zgjidhet sekretar i Këshilli Kombëtar (Parlamentit). Kryetar ishte Xhemal efendiu (Naipi), kurse Spiro G (J). Koleka u zgjodh nënkryetar. Këtë vit, më 1921, ai qe delegat dhe përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, në Gjenevë. Pas kthimit nga Gjeneva, në tetor 1921, Hila i dha një intervistë drejtorit të gazetës “Shkumbini”, ku ka shpjeguar arritjet e delegacionit në Lidhjen e Kombeve, duke vlerësuar veçantë meritën për prezantimin dinjitoz të problemeve shqiptare përballë egërsisë së grekëve. Po kështu ka bërë të ditur se delegacioni shqiptar ka mundur të bindë Lidhjen e Kombeve për të dërguar një komision të posaçëm në Shqipëri që të kontrollojë zbatimin e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Në tetor 1921, pak ditë pas emërimit, refuzoi publikisht postin e ministrit të Arsimit (më 28 tetor 1921 falënderoi gjithë miqtë që e uruan për emërimin). Për shkak të angazhimeve të shumta nuk mundi të kryej detyrën e kryetarit të shoqërisë “Vllaznija”, prandaj u caktua kryetar nderi i saj.
Më 21 nëntor 1921, duke qenë në Shkodër, ka marrë një telegram urgjent nga kryeministri Pandeli Evangjeli, me përmbajtje: “për një mision me rëndësi të madhe”, duke i kërkuar ndërkohë të njoftojë nisjen, me qëllim që t’i dërgonte automobilin për ta pritur në Milot. Në ftesë nuk përmendej për çfarë problemi u thirr urgjent deputeti Mosi. Në vitin 1923 e gjejmë prefekt në Korçë, ku rezulton se patrioti Hilë Mosi, një poet flakadan i lirisë, më 3 gusht 1923, duke qenë prefekt në Korçë, mbajti fjalën mortore në nderim të të ndjerit Pandeli Cale, që u shua dhe u varros në Selanik.
Në vitin 1923, Hilë Mosi do të zgjidhet “asamblist” (deputet) i Qarkut të Shkodrës, por i mërzitur nga sjellja jo e mirë e disa shokëve asamblistë largohet nga Asambleja (Parlamenti).
Vërtetë, Hila deri më 1924, ishte deputet i Shkodrës, por në muajin prill të atij viti dha dorëheqje, me kërkesën e vet, për faktin se po përgatitej për prefekt i Korçës, ku do të shkojë më 16 maj 1924. Mirëpo, me vendim të Këshillit të Ministrave, të Qeverisë së Nolit, më 24 qershor 1924, pushohet nga detyra e prefektit të Korçës me motivacionin: “për arsye administrative lirohet nga detyra”, duke u zëvendësuar në këtë detyrë nga ish-ministri Spiro Koleka. Pak muaj më vonë, “Qeveria Noli”, Hilën do ta emërojë, më 2 tetor 1924, zëvendësisht prefekt në Gjirokastër.
Në dhjetor të vitit 1924, meqenëse ishte përkrahës i “Revolucionit të Qershorit”, u shtrëngua të emigronte jashtë vendit.
Në gusht 1925, pasi u amnistua nga Ahmet Zogu, së bashku me 59 të tjerë, midis të cilëve shumë policë e xhandarë, u kthye në Atdhe. Dhe, “Qeveria Zogu”, më 10 gusht 1925, Hilën e caktoi, përsëri, prefekt në Korçë. Në këtë rast është vlerësuar: “Ka kapacitet të mjaftë dhe virtytet të pëlqyeshme për plotësimin e detyrës”. Në këtë detyrë Hila qëndroi deri në fund të vitit 1926. Hilë Mosi, mbajti fjalën në ceremoninë e rivarrimit dhe nderimit të ish-ministrit të qeverisë së Përtashme të Vlorës, i ndjeri Pandeli Cale, me rastin e kthimit në atdhe, nga Selaniku, të eshtrave të tij, fjalim emocional sikurse tre vjet më herët, kur ai shua. Hila mbajti fjalën në kishën e Shëngjergjit, duke iu drejtuar të ndjerit: “Korça ku ti çele sytë, ku ti u rrite dhe derdhe gjithë aktivitetin tënd, e ka fatin të të mbledhë përsëri në gjirin e vet”. Pastaj do të dërgohet prefekt në Gjirokastër dhe nga atje, përsëri, do të kthehet në Korçë. Në detyrën e prefektit gëzoi respektin qytetar të atyre rretheve dhe ka marrë vlerësime shumë të mira nga strukturat superiore për përmbushjen zyrtare të misionit të prefektit.
Në fillim të vitit 1927, Hilë Mosi, u emërua inspektor i Kryesisë së Republikës, por sipas vendimit të kryetarit të Republikës, më 16 janar 1927, dhe me Vendimin e Këshillit të Ministrave, më 27 janar 1927, rezulton të ketë qenë i emëruar “Inspektor i Përgjithshëm i Administratës”, duke i dorëzuar detyrën e prefektit Zef Kadares, i transferuar nga Berati në Korçë. Sapo erdhi në këtë detyrë, Hila, realizoi transferimin e komiserit të Policisë së Korçës, mikut të tij, Zef Mirdita, në detyrën e “sekretarit të Inspektorisë së Administratës”.
Pas kësaj detyre, më 19 nëntor 1927, u emërua ministër i Punëve Botore dhe zëvendësministër i Punëve të Jashtme, ku qëndroi deri në qershor 1928, i zëvendësuar nga Salih Vuçitërna. Ditën që mori votën ministeriale premtoi: “për të mbaruar sa më shpejt udhën e hekurt Tiranë-Durrës”. Gazeta “Shqypnija”, më 26 janar 1927, nën titullin “Një emërim i meritueshëm”, kushtuar Hilë Mosit, evidentoi të dhëna biografike, duke theksuar se: “…nisi punë në Ministrinë e Punëve të Mbrendshme si Inspektor i Përgjithshëm i Administratës; qe mjaft i njohur për veprimtarinë e tij patriotike dhe si përfaqësues e si nëpunës i shtetit të lirë; shpejt filloi të shkruajë në gazetat “Drita”, “Albania”, nën pseudonimet “Sokoli”, “Zog Sokoli”, “Lirijasi” dhe “Dushmani”, etj). Të evidencojmë edhe këtë fakt: Hilë Mosi, në tetorin e vitit 1927 përjetoi një fatkeqësi të rëndë familjare. Atij i vdiq i biri, Miri, për humbjen e të cilit do ta ngushëllojë edhe pushtetari sovran, Ahmet Zogu.
Në shtator të vitit 1928, Hilë Mosit iu besua një detyrë me rëndësi në Sigurim të vendit. Gazeta “Ilustrata Shqiptare”, informonte lexuesit se Hila “…u emërua drejtor i Përgjithshëm i Sigurisë Botore, në të cilën degë qi hapet rishtas asht tue vue themelet me ligjet e rregulloret qi po përgatit”. Në vitet 1929-930 Hilë Mosin prapë e shohim prefekt të Korçë, me shumë telashe në siguri të vendit dhe me një polici të dobët. Në këtë periudhë Policia e Korçës po merrte kritika të shumta për korrupsion, abuzime në detyrë, mungesë përgjegjësie dhe indisiplinime të shumta në detyrë. Ndërmjet policëve të akuzuar radhitej edhe komiseri i Policisë, Ilo Nano, të cilin Hilë Mosi e denoncoi në Ministrinë e Brendshme dhe në Prokurori se mbante lidhje me pronaren e një bordelloje me të cilën drekonte e darkonte shpesh herë. Lidhur me këtë ai ka pasur kundërshti me ministrin e Brendshëm, madje me shkresën e datës 13 shkurt 1930, nëpërmjet telegrafit, ka komunikuar me shifër dhe ka kërkuar dorëheqjen nga detyra, gjë e cila është refuzuar nga titullari i Ministrisë. Në këtë rast ministri nuk ka pranuar dërgimin në gjyq të komiserit por e ka transferuar me ulje në detyrë, duke shpjeguar se dërgimi në gjyq është kompetencë e titullarit të Ministrisë së Brendshme dhe jo e prefektit. Prefekti Mosi, duke argumentuar me referenca ligjore nuk ka kundërshtuar, por ka shkruar për rastin se: “…e interpretojmë si një lëndim moral që na le të supozojmë sikur ajo Ministri ka dyshim mbi veprimin t’onë edhe që nuk e gëzojmë më besimin e duhun pa të cilin nuk mundemi të kryejmë detyrën e ngarkueme në mënyrë që të goditun në ndërgjegjen t’eme do shtyhemi të paraqesim dorëheqjen t’onë”.
Vlerat njerëzore e të diturisë që kishte Hilë Mosi, e veçanërisht fjala ligj i pashkelshëm, bënë që të emërohet ministër i Arsimit në kabinetin qeveritar të Pandeli Evangjelit. Me këtë rast gazeta “Ars”, e vitit 1930, informonte: “Prefekti i Korçës, Hilë Mosi, emërohet ministër i Arsimit në kabinetin qeveritar të Pandeli Evangjelit”. Në muajin mars 1931, nga posti i ministrit të Arsimit, Hilë Mosi, mbajti në Durrës fjalën në nderim të Llesh Topollajt, trupi i të cilit po transportohej nga Vjena në Tiranë, ku do t’i bëheshin nderimet e fundit). Ai mbajti fjalën e rastit edhe në ceremoninë e rivarrimit të Ismail Qemalit. Pas fjalëve të Leon De Ghilardit, Hilë Mosi, ndër të tjera, u shpreh: “Vëllezër shqiptarë, sot mbushen plot njëzet vjet që kur se Ismail Qemali, një nga bijtë më të çmuar të kësaj Vlore trime, mu këtu në këtë shesh shpalli vetësundimin e Shqipërisë edhe valëviti në ajrin e lirë flamurin tonë të shenjtë kombëtar…Me këtë vepër, Shqipëria, e cila për më shumë se katër shekuj kishte lënguar nën zgjedhën e huaj, në mes të zjarrit të luftës ballkanike, nën udhëheqjen e një plaku, i cili për së afërmi i kishte ndjekur lëvizjet kombëtare të rilindjes, qysh më 28 Nëntor 1912, u shpall si shtet i lirë e i pavarur…Këtë shtatore, që hijeshon varrin e Ismail Qemalit e që simbolizon flamurin kombëtar, si edhe ata luftëtarë që ranë theror për nder të tij, e deklarojmë monument kombëtar, edhe mirëmbajtjen e ruajtjen e saj ia ngarkojmë prefektit të Vlorës si kryetar i këshillit arsimor…Shqiptarë! Për një çast t‘i mbledhim zemrat tona rreth këtij veterani dhe t‘i betohemi se atë flamur që dora e tij shkundi nga pluhuri i robërisë, ne do të jemi gjithnjë gati ta mbrojmë e ta lartësojmë me mendjen, me zemrën edhe me gjakun tonë”. Në postin e ministrit të Arsimit ai ishte person me merita të dëshmuara nga periudha e studimeve. Të ndjekim disa fakte: Ishte shkrimtar e vjershëtar i njohur që nga viti 1906. Ai ka botuar: “Kangat Shqipe”, një vëllim me 64 faqe, me tekste këngësh të ndryshme; “Zanin e Atdheut”, një vëllim me vjersha patriotike; “Lotët e Dashurisë”, një vëllim me vjersha dashurie; “Kangët shqipe” një vëllim me 100 këngë; “Rroftë Atdheu”, “Martesa e Çartun”, “Femna-themel i moralit”, “Lulet e Prendverës” me vjersha e balada; “Cubat” një dramë e përkthyer nga Friedrich Schiller. Po kështu ai ka përkthyer edhe: “Ëerther” të Goethes, “Filja” (Hedvig) e Kornerit, “Gjergj Dandini” dhe “Burrë i mashtruar” të Molierit, “Shërbëtori i dy zotnivet” dhe “Dy shërbëtorët” e Goldanit. Përveç se krijues Hilë Mosi qe edhe një mjeshtër i metrikës shqipe, për të cilën ka hartuar edhe një material me rregulla të metrikës shqipe.
Në vitin 1928, Hila i shkroi një letër Ahmet Zogut ku prezantoi mendimet e tij “mbi shkeljet e rregullave gramatikore në gjuhën shqipe dhe masat që duhen marrë”.
at-gjergj-fishta
Sipas Atë Zef Pllumit, Hilë Mosi, ka pasur një konflikt me Patër Gjergj Fishtën, të cilin Mosi e përjetoi rëndë. Në libri e tij “Histori kurrë e shkruese!”, Atë Pllumi saktëson: “…kur u ba ministër i Arsimit Hilë Mosi shpalli programin e monopolizimit të shkollave dhe e vuni në rend të ditës për t’u zbatue sa ma parë.
Në shtyp, me “Hyllin e Dritës”, nisi një polemikë ndërmjet Patër Anton Harapit dhe Hilë Mosit. Hilë Mosi atëherë i shkroi nji letër të hapur revistës “Hylli i Dritës”, por asaj letre të hapun iu përgjigj Patër Gjergj Fishta me nji polemikë klasike tue thanë: “Gabove Hilë!”. Kështu Hilë Mosi mbet i vramë prej asaj polemike. Nuk kishte çka me i përgjegjë e çka me i thanë Patër Gjergj Fishtës edhe fill mbrapa dha dorëheqjen se u sëmurë. Nuk e di a s’mund prej damit që pat prej kësaj polemike, a diçka tjetër, por nuk vonoi edhe vdiq. Vendin e tij e zuri Mirash Ivanaj”. Hilë Mosi është cilësuar “mason” nga klerikët katolikë të Veriut, sepse Mosi ishte shqiptar mbi të gjitha.
Fishta e ka kritikuar ashpër, madje ka shkruar shkrimin “Bujari”, në vitin 1907, i ndarë në tre pjesë: “Gjyshin”, “Tatën” dhe “Djalin”, meqë Mosi pati shkruar një artikull kundër klerit katolik shqiptar. Edhe veprën “Anzat e Parnasit”, Fishta e ka shkruar: “tue tregue se çfarë bujarit e prej kah vjen origjina e tij”. Cinizmi i Zef Pllumit, në vijim, është fyes teksa i referohet Fishtës kur shprehet se, Hilë Mosi është me origjinë nga katundet e Shllakut, “të cilët përgjithësisht zbresin në qytet vetëm me kërkesën sa me hangër nji copë bukë e mandej bëheshin tregtar, bujarë, etj”!?! Për hir të vërtetës duhet theksuar se në këtë numër të revistës është edhe letra e shkurtër që Mosi i ka shkruar Atë Fishtës: “I dashtun Atë, Më falni për lirinë, që kam marrë, tue Ju shkruem kaq haptas, edhe, në qoftë se këtë e baj, kjo rrjedh se un kam nji besim të pakufizueshëm mbi atdhetarinë edhe karrakterin t’Uej. Si shkrimtar i vjetër edhe veteran në fushën e atdhetarisë me nji fizionomi, në të cilën asht e gdhenun sinqeriteti e virtyti, Ju qysh në kohën e t’rinis s’eme, bashkë me të ndjerin Atë Shtjefën Gjeçofin, më keni inspiruem, bashkë me nderimin ma të math, edhe nji shpresë të gjallë e të ngultë nd’ardhmënin’ e kombit t’on. Ju, me moshën dhe jetën e pastër t’Ujen, burrë si motit, Jeni i vetmi personalitet, që mund t’imponoheni ndonjë rradakes së ndezun, e cila, tue qenë afekt nga pesimizmi, tue shkruem e tue predikuem, me pasjonin e natyrës së vet, e kujton se e edukon edhe udhëzon kombin , tue përtri mëninë dhe urrejtjen. Ai lloj njerit nuk asht vetëm i damshëm për kombin, por, mue më duket se asht i pa-dejë për me qenë mis i nji urdhri, ku virtyti e bamirësija duhet të jetë parimi i jetës. Me nderimet e përshëndetjet e mija më të përzemërtat, HIL MOSI”. Hilë Mosi ka qenë autor i teksit të “Hymnit të Milicisë paraushtarake”, titulluar “Hymni Djelmnisë Shqiptare”.
Veterani i përpjekjeve titanike për lirinë e kombit shqiptar, Hilë Mosi u shua më 21 shkurt 1933, në shtëpinë e tij në Tiranë. U varros në Shkodër me nderime të mëdha, më 22.02.1933. Pati një sëmundje të rëndë dhe të gjatë. Fjalën mortore në Shkodër e mbajti Mirash Ivanaj. Ndër të tjera ai u shpreh: “Ti shkove, o Hilë, tue mjerue familjen t’ande, tue lanë një tjetër vend të shprazët në mes të veteranëve, që janë aristokracia e luftëtarëve shqiptarë. Ti shkove, o Hilë, pa e pritë dritën në të cilën do të kryhet vepra madhështore e Mbretit, tonë, ditën në të cilën çdo shqiptar ka me kenë një ushtri e pathyeshme e çdo shkamb i maleve tona, e çdo pëllëmbë e tokës sonë një fortesë e papushtueshme”.
*Marrë nga libri “DREJTORËT E PËRGJITHSHËM TË POLICISË SHQIPTARE, 1913-2013” me autor Hilë Lushakun.
*Titujt janë redaksionalë

Viewing all articles
Browse latest Browse all 5466


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>