Policia e Durrësit ka zbardhur detaje të reja në lidhje me arrestimin e tre personave që dyshohen si vrasës me pagesë. Ndër të tjera, burimet policore kanë bërë të ditur se të arrestuarit janë Gazmend Dervishin, Dritani Nikollin e Bruno Shehun.
Uniformat blu kishin marrë informacion se ata po përgatisnin vrasjen e një të riu në Manzë. Për këtë ata kishin marrë 10 mijë euro. Sot ata i janë afruar shenjestrës me një makinë, një Mercedes me targa të huaja H –TB 564. Sapo i janë afruar viktimës kanë parë praninë e policisë, kanë braktisur makinën dhe kanë tentuar të fshihen.
Policia u gjeti armën me të cilën do të kryenin vrasje, një kallashnikov, dy maska dhe dy bidonë me benzinë, me të cilën do të digjnin makinën pas krimit.
Me vete tre të arresturit kishin edhe foton e shënjeshtrës, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Ai do të vritej si pasojë e një konflikti të vjetër mes dy fiseve. Të paktën 10 persona janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje, ndërsa porositësi i vrasjes nuk është kapur ende.