Tregtia online është një fenomen në rritje. Njerëzit anë e mbanë botës përdorin faqet online për të blerë produkte duke filluar që nga veshjet e deri tek produktet e konsumit si pasta e dhëmbëve apo make up-i.
Një studim i kryer së fundmi nga Bussines Insider tregon se sa të prirur janë konsumatorët ndaj blerjeve online, sidomos kur bëhet fjalë tek produktet e kujdesit personal.
Sipas raportit në vitin 2020, amerikanët pritet të shpenzojnë plot 350 miliard dollar për produktet e shëndetit dhe kujdesit personal. 11% e këtyre shitjeve parashikohet të kryhen online.
Tregtarët më të mëdhenj siç janë Amazon dhe Sephora janë duke përdorur dixhitalizimin për të shitur dhe shpërndarë produktet e shëndetit dhe kujdesit personal, në mënyra që janë më të përshtatshme për konsumatorët. Nëse doni të dini më tepër ja se cilat janë përfundimet kryesore të këtij raporti:
Volumi i shitjeve online të produkteve të shëndetit dhe kujdesit personal pritet të rritet me një ritëm më të lartë se shitjet në dyqanet tradicionale të po këtyre produkteve. Tregu i këtyre produkteve online do të rritet me 13% nga viti 2015 në vitin 2020.
Ka disa arsye që konsumatorët preferojnë të blejnë produktet e shëndetit dhe kujdesit personal online. Ndër to janë çmimet e ulta dhe lehtësia në blerje.
Blerja online është shumë më e përshtatshme për konsumatorët, sidomos kur ajo kryhet në sajë të abonimeve. 38% e konsumatorëve amerikanë, të cilët blejnë rregullisht produkte online, deklarojnë se janë të abonuar në një shërbim blerje.
Konkurenca mes tregtarëve online për shitjen e produkteve është ende tepër e fortë. Është e qartë që Amazon është lider në këtë fushë por një numër i madh konsumatorësh zgjedhin një sërë uebfaqesh specifike dhe jo shumë të njohura. Ata preferojnë dhe blerjen direkt në dyqanet online të markave. /Pcworld.al