Quantcast
Channel: Portali FLURUDHA
Viewing all articles
Browse latest Browse all 5466

Kadare, shkrimtari i madh i kombit dhe universal

$
0
0
Nga Agron Fico

Në nderim të 80-vjetorit të ditëlindjes
  1. Atdhetar i zjarrtë
“Ti Shqipëri më jep nder,
Më jep emrin shqiptar…” -këndonte poeti i madh kombëtar, Naim Frashëri.
“Mëmëdhe quhet toka
Ku më ka rënur koka…” ia priste poeti tjetër, Çajupi.
“E së dashtunës botës sonë…” do të shkruante te “Meshari” Buzuku, i pari shkrimtar shqiptar.
Filip Shiroka, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Asdreni, Fan Noli do t’i drejtoheshin me apoteozë nderimi Atdheut.
Letërsia shqiptare ka pasur dhe ka si bosht fatet e Atdheut, të kombit të vet. Ajo ka pasqyruar qëndresën dhe luftën kundër armiqve të ndryshëm, sfidat e ndryshme të historisë.
Shkrimtari i madh Ismail Kadare solli një qëndrim dhe estetikë të re në lëvrimin e kësaj teme madhore. Te poezia “Përcjellja e vargjeve”, poezi misionare, shkruan:
Në secilin prej jush
Ca gjak dhe copra nervash vura,
Dhe një dorë baltë Shqipërie…
Në galerinë e pafund të personazheve, të motiveve dhe temave, vendin kryesor e zë Atdheu, me historinë dhe kulturën e lashtë, fytyrën europiane, qëndresën përballë valëve të pafund të pushtuesve të shumtë dhe të ndryshëm, që kishin emrat romakë, bizantë, sllavë, otomanë, grekë, italianë, gjermanë, etj. Kudo që shkon, kudo që ecën, sado larg qoftë, i ftuar në njërin ose tjetrin kontinent, Ismail Kadarenë e djeg malli, ndjehet krenar për Atdheun e shtrenjtë, për Shqipërinë:
Më ka marrë malli për Shqipërinë;
Për atë qiell të madh, të gjerë e të thellë,
Për vrapin e kaltërt të dallgëve adriatike,
Për retë që në muzg si kështjella digjen,
Për alpet mjekërbardha e mjekërgjelbëra…
Për qiparisat, kopetë, e varret.
Malli më ka marrë, malli më ka marrë,
Për shqiptarët.
(Kadare: “Pa formë është qielli”, 2005 f.44)
Në korpusin kadarejan disa-vëllimesh, në poezi dhe prozë, në publicistikë dhe esetë e shumta, Atdheu, kombi shqiptar shpalosen madhërishëm. Tek romani “Kështjella” trajtohet qëndresa shqiptare ndaj pushtuesit turk; ndërsa te romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” tregohet se toka e shenjtë shqiptare përvjell eshtrat e pushtuesve të huaj. Shqipëria nuk iu nënshtrua as Perandorisë osmane, as asaj sllave, por as perandorisë komuniste, siç përshkruhet fuqimisht tek romani i bujshëm “Dimri i vetmisë së madhe”.
Në një të rrokur tërësore mund të thuhet se vepra e Kadaresë është një simfoni betoviane për Shqipërinë, për kombin e lashtë dhe me rrënjë të thella në kulturën medhetare, iliro-shqiptare.
Shqiptarët, thotë shkrimtari, janë “autorë dhe bashkëautorë në disa nga thesaret më të çmuara që janë krijuar në këtë planet”. (“Autobiografia e popullit në vargje”, f.15)
Ismail-Kadare-005
  1. Gjeni i letrave shqipe dhe shkrimtar universal
Pas Luftës së Dytë Botërore shkrimtari Isamil Kadare u shfaq në qiellin letrar shqiptar si ylli polar i saj. U afirmua, me krijimin e një korpusi letrar të pamasë, si gjeni i letrave shqipe. Merita themelore është se Kadare krijoi një metodë dhe stil të veçantë, origjinal, që ngërthen magjinë e artit dhe letërsisë klasike antike, realizmin europian dhe befasinë e letërsisë së Amerikës latine, ose siç e quan kritika profesionale europiane, “metoda kadarejane”.
Qysh në romanin “Kronikë në gur” u dukën xixat krijuese të një talenti të fuqishëm. Ai qytet magji, Gjirokastra, në penën krijuese të Kadaresë, u transformua si parathënie e një talenti të jashtëzakonshëm. Duke parafrazuar një bashkëqytetar të shkrimtarit, akadamikun me përmasa europiane Prof. Eqrem Çabej, do të shtoja se “Si duket një fat i mirë ia ka falur Shqipërisë që të bëhet Ai shkrimtar, të cilin Shqipëria do t’ia falë një herë botës.”
Letërsia europiane dhe botërore e ka pranuar Kadarenë si krijuesin e vet më të talentuar. Dëshmi është dhënia e Çmimit “Man Book International”, duke lënë prapa emrat e njohur të letërsisë botërore Gabriel Garsia Markez, Gunter Gras, Margaret Atvud, Filip Roth. Kadare konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mirë europianë dhe krahasohet me Gogolin, Kafkën dhe Oruellin
Nw tetor 2009, Spanja e Servantesit, autorit të romanit emër-madh “Don Kishoti, i dha shkrimtarit Ismail Kadare, në mes të një ceremonie solemne, çmimin “Princi i Asturias”. Në vendim theksohej se juria kishte vendosur të vlerësonte shkrimtarin shqiptar për “zërin universal kundër totalitarizmit” dhe se shkrimtari e meriton këtë çmim edhe për “bukurinë dhe përkushtimin social të krijimit të tij letrar.” Në proces-verbalin e jurisë shkruhej se “Ismail Kadare tregon me gjuhën e përditshme, por plot lirizëm, për tragjedinë e vendit të tij.” (Cit. “Beautiful America”, A. F. Fico, f. 197.)
.Vepra e Kadaresë është përkthyer në më shumë se 40 vende të ndryshme, në gjuhët kryesore të botës. Librat e shumta, dhjetëra artikuj kritikë për krijimtarinë shumë-vëllimshe, pranimi në mjaft institucione shkencore dhe kulturore, në akademi të njohura, etj. dëshmojnë katërcipërisht për vlerësimin europian-botëror të këtij gjeniu të letrave shqipe.
  1. Kadare është misionari i madh i lirisë së individit dhe lirisë së popujve, kampion i demokracisë
Në romanin “Hija” shkrimtari trajton artistikisht mungesën e lirisë në shtetin totaliar të Shqipërisë. Nëpërmjet fatit tragjik të një artisti të dështuar të kinematografisë shqiptare të kohës, përvijohet shkatërrimi i individit nën një regjim të egër, gjer në asgjësimin e tij shpirtëror dhe intim, kthimin në një robot, sipas modelit të “njeriut të ri”. Sarkazma e mprehtë dhe situatat e krijuara e mbushin lexuesin e vëmendshëm me urrejtje për atë rend-makinë dhe ndjen nevojë jetike për një rend të lirë për individin.
Shkrimtari me gjuhën ezopike të letërsisë ka fshikulluar egërsinë e diktaturës, ku skenat makbethiane të Shekspirit duken sikur ringjallen në skenat rrënqethëse, intrigat e stërholluara për të mbuluar krimet në “Pallatin e kuq”, siç përshkruhen te “Pasardhësi”, por edhe te poema “Pashallarët e kuq”, te novela “Përbindëshi” etj.
Shkrimtari i madh që përcolli kaq e kaq mesazhe lirie dhe demokracie, shqetësohet edhe për prapësitë e këtyre 25 viteve në ndërtimin e demokracisë në Shqipëri dhe ngre zërin e fuqishëm poetik:
Mesnata shkon, Tirana dot nuk fle.
Po flet përçart si shpirt që kërkon ndihmë…
Fryn erë e dimrit, si ulkonjë e ngrirë,
Ajo që s’jep përgjigje për asgjë.
(“Tirana në dimër” në vëllimin e Kadaresë “Pa formë qielli”, 2005, f.215)
Shkrimtari i madh Ismail Kadare me personalitetin e vet kompleks si shkrimtar i shquar, erudit, studiues i pasionuar dhe gjuhëtar-krijues ka hyrë përjetësisht në panteonin e njerëzve të ndritur të kombit shqiptar. Vepra shumë-vëllimshe e Kadaresë është e një standarti klasik, dhe mbi të vezullon dafina e çmimit “Nobel”, paçka se burokratët e komisionit suedez të çmimeve janë tëpërgjumur dhe tëshurdhët. Opinion  shqiptar padrejtësinë ndaj Kadaresë, e vlerëson si padrejtësi ndaj kombit shqiptar
Titulli i ri nga president ii Francës Hollandë  “Komandant i Legjionit të nderit” shkrimtariti Ismail Kadare në vargun e shume e shume titujve, vlerësimeve akademike dhe nderimeve të larta , gëzon  kudo që janë  shqiptarët.
Në 80-vjetorin e ditëlindjes së shkrimtarit të madh, jemi të gëzuar dhe krenarë për veprën e tij letrare farfuritëse. Ashtu si francezët dikur mbanin kapele me shkronjat N.B. (Napoleon Bonoparti) dhe austriakët me shkronjat F.J. (Franc Jozef) besoj se do të vijë koha që edhe shqiptarët të mbajnë mbi krye me krenari kapele me shkronjat e ndritura si xixillonja të arta I.K. (Ismail Kadare).

Viewing all articles
Browse latest Browse all 5466


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>