Tradita shqiptare e varjes së kukullave të pellushit jashtë godinave, e cila i bën përshtypje shumë të huajve, por edhe vetë shqiptarëve, ka qenë në qendër të një reportazhi të përgatitur nga gazetarja e BBC, Elizabeth Gowing.
“Në shqip i quajnë thjesht majmunë, një fjalë që përdoret për kukullat e buta. Por përse i varin shqiptarët? Ka lidhje me fenë? Por përgjigja që vjen nga myslimanë apo katolikë është e njëjtë: feja nuk është e rëndësishme.
Pronarët e shtëpive e pranojnë: është diçka më serioze majmunët i mbrojnë nga syri i keq” shkruan gazetarja. Dikush i thotë gazetares se syri i keq është aq i fuqishëm sa mund të çajë një gur në dysh. Gowing takoi një usta, që ka punuar edhe në Londër, i cili thotë se beson shumë tek syri i keq. “Nuk e kisha varur majmunin tek godina dhe erdhi policia.
Po më shkaktonin probleme. Djali im shkoi dhe e bleu një majmun dhe tani nuk kemi më probleme” u shpreh ai. Gazetarja thotë se askush nuk di të shpjegojë se nga erdhi ideja fillestare, e cila u përhap pas rrëzimit të komunizmit.