Quantcast
Channel: Portali FLURUDHA
Viewing all articles
Browse latest Browse all 5466

Kërkimi im për pistoletën prej ari të diktatorit Gaddafi

$
0
0
Reportazh – Kur rebelët libianë festuan vdekjen e Muammar Gaddafit, pistoleta prej ari e kolonelit u mbajt si një simbol i fitores së tyre, i pashë teksa e kalonin atë mes tyre. Katër vite më parë, jam kthyer në Libi për të gjetur burrin me pistoletën e artë
Gabriel Gatehouse


Në celularin tim kam një foto të shkrepur në Libi më 20 tetor 2011. Në të shfaqet një i ri me këmishë blu dhe kapelë bejsbolli në Jenikve të Nju Jorkut. Ai po buzëqesh ndërsa mbahet në shpatulla nga shokët e tij në qytetin Sirte.
Këta burra ishin luftëtarë rebelë nga Misrata. Kolonel Gaddafi sapo ishte kapur dhe vrarë. Në foto mund të shihet se si po kalojnë mes tyre një pistoletë të artë.
Ishte pistoleta personale e Gaddafit. Në atë moment u bë një simbol i fitores së rebelëve dhe një transferim i pushtetit në një Libi të re.
Vetëm katër vite më pas, vendi është në trazirë. Qeveritë rivale, mbështetur nga milicitë e veta, po luftojnë për kontroll. Libia po ndahet si ideologjikisht dhe gjeografikisht, në Lindjen kundër Perëndimit, islamikët kundër laicistëve.
Grupi që e quan veten Shteti Islamik po shfrytëzon vakumin e pushtetit dhe ka marrë kontroll të qytetit të lindjes së Gaddafit, Sirtes. Në mes të kësaj trazire, jam kthyer në Misrata. 200 kilometra në lindje të Tripolit, qytetit që tani funksionon si qytet-shtet thuajse i pavarur. Po kërkoj për burrin me pistoletën e arit. Dua të di se çfarë ka ndodhur me të dhe luftëtarët e tjerë që kapën Gaddafin.
Së pari do të takoj një mik të vjetër – Anuar Suan. Ai ishte një figurë kyçe në Misrata gjatë revolucionit. Kur Gaddafi u vra, luftëtarët e sollën trupin e tij tek Anuar dhe ai e vuri në një frigorifer dhe e shfaqi më pas publikisht. Baza e Anuar është pak a shumë e njëjtë me atë që kishte në ato ditë, një koleksion i kontejnerëve thuajse të shkatërruar në një copë tokë bregdetare që sheh nga Mesdheu.
Ne arrijmë në mbrëmje. Bie shi dhe bën ftohtë. “Situata nuk është e mirë”, thotë Anuar, teksa shohim fotot e vjetra dhe kujtojmë ditët e lumtura. “I prenë kokën gjarprit, Gaddafit. Por tani ka qindra gjarpërinj që po e zëvendësojnë. Ende po luftojmë për të njëjtën gjë: të gjejmë një drejtues të drejtë për Libinë. Por të gjithë duan të sundojnë. Ka armë kudo. Kjo është situata!”.
Kur i them se po kërkoj armën e artë të Gaddafit ai më përmend një emër në veçanti: Omran Shabaan, një nga luftëtarët që kapi Gaddafin. Në një video amatore të rebelëve, Shabaan dëgjohet ndërsa përpiqet ta ndalojë turmën që të mos e vrasë Gaddafin.
Një tjetër person që ishte atje atë ditë, Ayman Almani, më tregon videon që kishte bërë, e pashfaqur kurrë në publik. Në to shfaqen momentet e fundit të diktatorit më qartë se kurrë – teksa shihet i gjakosur dhe duke kërkuar mëshirë.
“Ai e meritoi këtë”, – thotë Ayman. “Islami na mëson të mos e keqtrajtojmë një të burgosur, por njerëzit u rrëmbyen dhe askush nuk mund t’i ndalonte”.
Omran Shabaan u bë një hero. Ai u fotografua me armën e artë dhe personifikoi shpresën se libianët mund të shëronin plagët e tyre pas muajsh luftime. Kjo nuk u bë.
Në vitin 2012, Shabani vetë u kap nga besnikët e Gaddafit në një qytet. Ata e rrahën dhe torturuan. Në kohën që u negociua lirimi i tij, ishte shumë vonë. Ai vdiq nga plagët në spitalin francez.
Anuar Suan më thotë se ai mendon që Shabaan e kishte armën me vete kur kjo ndodhi. Ndoshta arma është sërish në duart e besnikëve të Gaddafit? Atëherë i tregoj atij foton që kam të një burri me kapelë bejsbolli.
“Mohammed Elbibi”, dikush e njeh. Anuar thotë se ai nuk e di se çfarë ndodhi me Mohammed, por premton se do ta zbulojë. Një tjetër kontakt, mendon se pistoleta është ende në qytet, por nuk e di se kush e ka.
Së fundmi më japin një numër telefoni të Mohammed Elbibit dhe ai bie dakord të takohemi në shtëpinë e tij në qendër të qytetit. Ulemi dhe i tregoi foton e tij me armën e artë.
“Më kujtohet, – buzëqesh ai. – Isha 17 vjeç”. Ai më thotë se nuk kishte asnjë rol në rrëzimin e Gaddafit. Thjesht e gjeti armën e kolonelit në tokë afër vendit ku e kishin kapur. Por të ngatërruar nga çasti dhe duke e parë me armën në dorë, rebelët e tjerë menduan se ishte Mohammedi ai që e vrau. Ai u bë hero aksidental i revolucionit.
“Po arma?” e pyes. Rezulton se ai e ka ende. Ai ma tregon pistoletën 9 mm prej ari dekoruar me forma lulesh. Duket se është një dhuratë. Mohammed beson se një nga djemtë e Gaddafit ia ka dhuruar me rastin e 32-vjetorit të revolucionit që e solli atë në pushtet. Pothuajse 10 vjet më vonë, fotot e Mohammed Elbibit e shfaqin atë me të njëjtën pistoletë, këtë herë duke sinjalizuar fundin e periudhës së Gaddafit.
Por Mohammed është i shqetësuar rreth trofeut të tij. Ka ende besnikë të Gaddafit në vend dhe ai ka marrë kërcënime me vdekje. “Të lutem, thuaji botës që nuk e vrava unë Gaddafin”, – thotë ai.
Arma e Gaddafit mban mbishkrimin “Prodhuar në Belgjikë”. A e kishte imagjinuar Mohammed se gjërat do të shkonin kështu? “Nuk e mendoja këtë. Më vjen shumë keq. Kur shoh libianë që vrasin shoqi-shoqin, kjo është diçka e keqe. Kushdo dëshiron të bëhet si Gaddafi”.
*Burimi: BBC



Reportazhin mund ta shikoni KËTU

Viewing all articles
Browse latest Browse all 5466