Eqrem bej Vlora, dëshmitar poliglot i kohës dhe bashkëformues i historisë kulturore shqiptare
Mirlinda Shala
Si bir i njërës prej familjeve më të pasura fisnike në jug të Shqipërisë, Eqrem bej Vlora vjen në këtë botë më 1 dhjetor 1885, në qytetin bregdetar Vlorë. Në këtë kohë Vlora i jep një vezir të madh Perandorisë Osmane. Ai qysh si fëmijë përgatitet për shumëgjuhësinë e botës së tij të mëvonshme. Mësuesi gjerman i shtëpisë, zoti Feigenwinter nga Baseli, i jep gjermanisht dhe frëngjisht, si edhe lëndë të tjera shkollore, ndërsa mësuesi turk Yusuf Riza Efendiu nga Stambolli ia mëson gjuhët orientale, si turqisht, arabisht dhe persisht. Kjo i shërben atij, kur ai më 1899, nën përcjelljen e zotit Feigenwinter, ndërmerr një udhëtim të gjatë nëpër një numër qytetesh; në Trieste, Agram, Budapest, Vjenë, Munih, Lindau, Cyrih, Lucernë dhe, në fund, në Basel, ku ai e jep provimin shtetëror të shkollës fillore dhe për gjimnazin e ulët. Gjatë jetës së tij, Eqrem bej Vlora mëson gjithsej nëntë gjuhë.
Fisnikëria të obligon
Njëra ndër kthesat më të rëndësishme në jetën e Eqrem bej Vlorës është koha në gjimnazin elitar Theresianum në Vjenë, nga 1899 deri më 1903. Por, rrugës për atje, të cilën e kalon me kushëririn e tij, ai nuk e di ende që kjo kthesë paraqet «humbjen përfundimtare të një kohe të lumtur». Ditët fëmijërore pa brenga kanë mbaruar. Në Vlorë, ai është rritur në një botë të mbrojtur mirë, tani duhet të përshtatet në një botë të huaj, shprehitë e së cilës nuk i njeh. «Ne nuk e kishim as përvojën më të vogël të komunikimit me njerëz të tjerë dhe e kishim gjithnjë drojën se mos po bënim ndonjë gabim», shkruan ai. Pas maturës, ai shkon edhe një herë në një vend të panjohur. Në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, Stamboll, ai studion për drejtësi dhe religjion. Studimet atë e shpijnë në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Stamboll dhe në Ambasadën Osmane në Saint Petersburg. Me xhaxhain e tij, Ismail Qemali, përfaqësuesin më të njohur të pavarësisë së Shqipërisë, e ndanë pasionin dhe dashurinë për mëmëdheun. Kështu, ai i bashkohet lëvizjes për pavarësi të Rilindjes Kombëtare për ta vënë në jetë ëndrrën e jetës për një Shqipëri autonome. Pas shpalljes së pavarësisë më 1912, ai bëhet zëvendëskryetar i Senatit në Vlorë dhe angazhohet edhe më vonë në mënyra të ndryshme dhe i palodhur në politikën e vendit.
Kujtim nga perspektiva të ndryshme
Në udhëtimet e tij, Eqrem bej Vlora e njofton shkrimtaren bavareze, përkthyesen dhe studiuesen e Shqipërisë, Marie Amelie von Godin. Rezultat i miqësisë me baroneshën nga Munihu janë një numër projektesh të përbashkëta. Si për shembull, përkthimi në gjermanisht i Kanunit të Lekë Dukagjinit. Godin ka kontribuuar gjithashtu që Vlora, pas dekadash qëndrimi në ekzil, t’i shkruajë kujtimet e jetës së tij dhe t’i botojë në dy vëllime, në Munih, më 1968 dhe 1973.
Të zhytesh në kujtimet e Eqrem bej Vlorës domethënë ta studiosh historinë e kulturës shqiptare. Ai nuk është vetëm një dëshmitar i epokës më të rëndësishme për popullin shqiptar, por ai e ka trasuar rrugën për të, është një bashkëthemelues dhe bashkëformues i saj. Një kronist energjik, i cili tregon sa janë të mpleksuara me njëra-tjetrën ideologjitë dhe pushtetet dhe se çfarë bën kjo me të dhe prejardhjen e tij fisnike. Vlora me memoaret e tij ia del ta krijojë një tablo nga kujtimet e fëmijërisë, shkollimit të tij multikulturor dhe shumëgjuhësor, udhëtimeve të largëta, trasimin e rrugës së bërjes së Shqipërisë shtet dhe të kënaqësive që pasuan, çrregullimeve dhe luftës për pushtet, nxitjen e psikozave të luftës, shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, deri tek emërimi i Ahmet Zogut si president i Shqipërisë, në vitin 1925.
Kjo tablo nga histori private dhe publike shpërfaqet në shumë pamje. Ai nganjëherë i afron pamjet mu pranë, sikur si lexues të ishe pjesë e ngjarjeve të mbarsura historike nëpër epoka dhe, para së gjithash, në kapërcyell të shekullit XX të shtetit që gjendej akoma në pëlhurën e lindjes. Nganjëherë ai distancohet kaq fort në perspektivë, sa i ndien vërtet dekadat që kanë ikur ndërmjet ngjarjeve dhe momentit të hartimit të memoareve.
«Top loje i fatit në vende të huaja»
«Unë çmendesha pas Shqipërisë: Malet e saj të zhveshura, rrafshinat e moçalisura, fushat e djerra, pyjet e rrallë më dukeshin të mrekullueshëm. E dashuroja gjithçka që bënte pjesë aty». Sa e do ai vendin e tij, aq edhe është i bindur që një jetë në këtë vend nën sundimin komunist bëhet i pamundur. Ai e braktis Shqipërinë shkurt para marshimit të komunistëve në Tiranë dhe arratiset në Itali. «Pas shumë zhgënjimeve, rrjedha e ngjarjeve na ka përzënë nga stuhia e Luftës së Dytë Botërore në uraganin e zaptimit komunist të pushtetit. Me mijëra bashkatdhetarë të mi dhe unë janë hedhur në bregun e vendeve të huaja nga dallgët e çliruara. Filloi një luftë e re për mbijetesë!». Jeta në ekzil për Eqrem bej Vlorën është një kalvar. «Kjo luftë është më e rëndë, shumë më e rëndë se sa ajo që do të duhej ta kalonim në vendin tonë».
Në parathënien e memoareve, Vlora vëren: «Për kohën pas 1925-tës dhe për ditët e zymta, në të cilat jam bërë një top loje i fatit në vende të huaja, dëshiroj të shkruaj në vëllimin e tretë…» Por, nuk mbërrin deri këtu, sepse ai vdiq papritur më 29 mars 1964, në Vjenë. Në fjalitë e fundit të kujtimeve të tija, Vlora bëhet privat. Pasditen e një dite para se të vdiste, ai shkruan disa fjalë të ngrohta për gruan e tij, e cila duhej ta linte në Shqipërinë komuniste. Nga 1964 deri 2014, mbetjet e tij mortore prehen në një varrezë në Vjenë. Më 30 mars 2014, kufoma e tij ekshumohet për t’u rivarrosur në vendlindjen e tij, Vlorë.