Quantcast
Channel: Portali FLURUDHA
Viewing all articles
Browse latest Browse all 5466

Kritika ndaj lajmit të rremë – e vjetër sa vetë mediat

$
0
0

Histori
Prej më shumë se 400 vjetësh, lexuesit akuzojnë gazetarët se po gënjejnë. Në fazën e parë të shtypit të shkruar, lexuesit ftoheshin të bënin kujdes e madje të ishin kritikë e të kontribuonin në korrigjimin e lajmit. Më pas, gjërat evoluan e lindi gazetaria moderne me kode e rregulla profesionale, por raporti me të vërtetën duket se ka mbetur e do të mbesë sërish i destinuar të jetë i debatueshëm
Armand Plaka
Kjo pikëpamje nuk është as e rrallë e as origjinale. Mirëpo ndërsa akuza që u bëhet gazetarëve sot është e diskutueshme, në shekullin e 17 ka pasur arsye të qenësishme të mos e vije në dyshim vlerën e fjalëve të shkruara apo të shtypura
Duke iu përmbajtur epokës historike që po trajtojmë dhe bazamentit historiko-gjeografik të këtij vëzhgimi, mund të themi se shumë herët, rezultatet e negociatave të paqes (së Vesfalisë, 1648) apo fitoret e paarritura kurrë në betejat ushtarake detare, mbollën një bazë të mirë për një skepticizëm të shëndoshë, përballë (pa)besueshmërisë së njoftimeve e lajmeve që qarkullonin në atë kohë në përgjithësi


Rëndom dëgjojmë sot akuza të tilla që shpesh profesionistët e fushës i bëjnë të skuqen e që lidhen me gënjeshtrat, manipulimet mediatike, lajmet e pabaza e më keq akoma, keqdashëse e dezinformuese.
Një këndvështrim historik mbi këtë çështje, bazuar në studimet që ofrohen në mediat gjermane, vendi ku ka lindur dhe Gutenbergu i famshëm apo dhe shtypi i mirëfilltë, i cili mori spunton madhore në shekullin e 17, nga zhvillimet dramatike që ofronte e ashtuquajtura “Lufta tridhjetëvjeçare”, mund të themi se ky pretendim ka lindur bashkë me këtë zanat.

Kjo pikëpamje nuk është as e rrallë e as origjinale. Mirëpo, ndërsa akuza që u bëhet gazetarëve sot është e diskutueshme, në shekullin e 17 ka pasur arsye të qenësishme të mos e vije në dyshim vlerën e fjalëve të shkruara apo të shtypura.
Këtë në atë kohë e dinin edhe vetë të paktët “gazetarë” që qarkullonin, e të cilëve nuk u vinte aspak turp ta pranonin e ta vinin në dukje si fenomen – një vendim ky që ka pasur pasoja deri në ditët e sotme.
Kështu nis historia e shtypit të shkruar në Europë me një lutje për kujdes e vetëpërmbajtje: “Mund të shfaqen gabime e të pathëna. E lusim lexuesin e shumënderuar të na falë”, shkruante dikur Johann Carolus, botuesi i periodikut të parë të shtypur mbarëbotëror, para rreth 400 viteve.
Botuesi nga Strasburgu, që duket se ka ndjekur standarde të larta etike e profesionale qysh në atë kohë, shiti që nga viti 1605 një botim me titull Relation.
Interesante është të shohësh se më tej Carolus i ftonte lexuesit e vet me lutje që “të korrigjonin pa u stepur edhe vetë autorin”, nëse ata vinin re në shkrime ndonjë lajm apo lajmërim të pavërtetë.

Një lloj sjellje e tillë kaq “fair” ndaj gabimeve e të pavërtetave të gazetarëve e botuesve, u ofrohej lexuesve nga shumë prej gazetave në fillim të shekullit të 17.
Nga njëra anë të paktat lajme që qarkullonin i nënshtroheshin në mënyrë redaksionale verifikimit për vërtetësi. E në atë kohë botuesit nuk posedonin as korrespondentë të vetët e mundësi të tjera alternative për verifikimin e lajmit.
Nga ana tjetër, nuk mbetej realisht as kohë në dispozicion – pasi edhe sikurse dhe sot e kësaj dite, lajmet duhej të tingëllonin sa më aktuale. Botuesit e gazetave me nuhatjen që do të duhej të kishin, nisën të shtypnin çdo lajm që u vinte e çdo lajm që shitej, pa dyshim.
 Si funksiononte sistemi?

Por si funksiononte sistemi? – Ata i blinin informacionet nëpërmjet korrierëve e sistemeve postare. Ato vinin shpesh në formën e letrave të shkruara, nga dërgues në pikat kyçe të tregtisë në Europë, ku agjentët apo menaxherët e caktuar mblidhnin në mënyrë gjysmëprofesionale me postë apo korrierë, lajme edhe nga rajone të tjera të botës, duke i seleksionuar e më pas shitur te të tretët.
Një sistem delikat në fakt e që shfaqte shumë probleme. Mund të ndryshonin kështu numrat e njësive ushtarake e trupave në terren fare lehtësisht, nëpërmjet një falsifikimi apo ndryshimi numrash – e nuk ishte e rrallë që ushtria suedeze për shembull të shfaqej kështu në Luftën Tridhjetëvjeçare (1618 – 1648) “e rritur me disa 1000 herë”, siç do të konstatonin të habitur më vonë shumë gazetarë.
Sulltanët osmanë në gazetat europiane zinin shpesh vendin e korrespondencave në lajme dhe qytete apo rajone që ndodheshin larg, shpesh shkruheshin siç duhej, vetëm atëherë kur ata rrethoheshin dhe fitonin kësisoj një vëmendje speciale mediatike që fokusohej ditë të tëra te to.

Nëse shohim ritmin e postës, Carolus dhe kolegët e tij do të duhej të mblidhnin sa mundnin lajme “të reja” e të nevojshme, derisa gazeta e tyre të mbushej apo derisa të fronte orari për mbylljen e redaksisë. Shpesh ata mblidhnin deri në mëngjesin e ditës pasardhëse lajmet që u nevojiteshin.
Shumë përfytyrime për mbledhjet e tyre të redaksisë, fatkeqësisht nuk ekzistojnë, por shumë gjëra merren me mend, sepse hierarkia dhe diskutimi duhet të kenë qenë të ethshme.

Sipas konstatimit të një profesori gjerman të gazetarisë, Daniel Belligradt, që është marrë konkretisht me rastin e ish-kolegut, Carolus, ky i fundit vetë ishte i sigurë se për stafin e vet, shkaku kryesor i gabimeve qëndronte në faktin se çdo numër gazete kryesisht “duhej të bëhej gati natën para mbylljes së redaksisë”. Përkundër kësaj tendence, nuk mund të bëhej dot asgjë, veçse të tregoheshe i ndershëm.
 Shumë njoftime formuloheshin në mënyrë spekulative
Në gazetat e asaj kohe, shpesh gjenden komente që vënë në lojë cilësinë e sigurinë e lajmeve. Kështu, në njërën syresh të vitit 1632, thuhet se: “Nga shkruesit e gazetave vjen lajmi / duhet të ketë qenë i vërtetë / e jo një poezi”. E vërteta në lajmet e prezantuara dhe njoftimet, shpesh duhej raportuar individualisht në mënyrë kritike.

Pasi “partishmëria”, pra njëanësia dhe vlerësimet oportune, pretendoheshin në atë kohë në çdo rresht, edhe pse botuesit shiheshin si bashkëpunëtorë të zellshëm të “lajmeve”, e që i përpunonin ato me themel lajm pas lajmi.
Shumë njoftime e lajme ishin në fakt të formuluara në mënyrë spekulative. Për balancim, botuesit i shoqëronin ato me një vërejtje plotësuese, që bënte thirrje për ta trajtuar me kujdes e me dyshim një lajm konkret, që ngjallte gjithashtu nga ana tjetër edhe shumë fantazi: “N.T.”, shkurtimi i fjalës latine non testatum, shihej në fund të lajmit, çka të bënte me dije se lajmi pra, nuk mund të verifikohej apo nuk mund të mbulohej me burime të sigurta.
Nocioni që vijon edhe sot e kësaj dite nëpër disa gazeta e ka ndoshta pikërisht nga ajo periudhë origjinën e tij të përdorimit. Kush lexonte rregullisht gazeta, mund të vinte re shumë nga këto raporte të paverifikuara.
Lajmet e korrigjuara e kontradiktore, i mbanin lexuesit në mënyrë permanente skeptikë – leximi i gazetave ishte një trajnim mendor për perceptimin kritik ndaj botës.
Duke iu përmbajtur epokës historike që po trajtojmë dhe bazamentit historiko-gjeografik të këtij vëzhgimi, mund të themi se shumë herët, rezultatet e negociatave të paqes (së Vesfalisë, 1648) apo fitoret e paarritura kurrë në betejat ushtarake detare, mbollën një bazë të mirë për një skepticizëm të shëndoshë, përballë (pa)besueshmërisë së njoftimeve e lajmeve që qarkullonin në atë kohë në përgjithësi.
“Gazetat e reja nuk përhapën vetëm marrëzi”

 Deri sa të mbërrinin akuzat konkrete për gënjeshtra e lajme të rreme, në fakt nuk do të kalonte shumë kohë. Juristi Christoph Besold në veprën e tij Thesaurus Practicus, këshillonte hapur e prerazi që të mos lexoheshin më gazetat, ndërsa pohonte: “Burra mendjelehtë po kujdesen për gjëra të reja. Burrat seriozë kujdesen për të sjellë në vijë punët e veta më parë”, shkruante ai më 1629-n.
Për të justifikuar këtë këshillë apo predikim, ai sjell në vëmendje rrezikun që vinte nga gazetat. Pasi: “Gazetat e reja nuk përhapin vetëm marrëzi e budallallëqe të pastra, por tani edhe sekrete pseudopolitike”.
Pak rreshta më pas, ai i përshkruan të tilla “marrëzi” dhe “sekrete pseudopolitike” konkretisht si “gënjeshtra”. Akuza shprehet për herë të parë qartazi, e nis kështu sharja e njollosja mediatike – që thellohet në vitet e dekadat në vijim, duke sjellë debatet e zjarrta dhe sigurisht dhe kundërakuzat.
Më 1676-n, juristi Ahasver Fritsch në një përmbledhje të vetën me titull “Diskurs mbi përdorimin e sotëm dhe keqpërdorimin e ‘lajmeve të reja’”thotë se: “Gënjeshtra dhe debate të rreme” kanë qenë vazhdimisht pjesë e raportimeve dhe gazetarët, sipas tij, po përmbushnin një “punë prej gënjeshtari”.
“Histori të pavërteta që janë shpesh përralla apo stisje”, kështu gjykonte në vitin 1690 Tobias Peucer në traktatin e tij “Mbi raportet gazetareske, duke u veshur lajmeve epitetin “gënjeshtra”.

Të tjerë zëra bashkëkohorë janë përpjekur të bëjnë diferencimin mes gënjeshtrës dhe lajmit apo njoftimit të transmetuar gabim apo të pavërtetuar.
Kështu, në vitin 1688, botuesi i një gazete, Daniel Hartmann, mbronte punonjësit e vet në këtë formë: “Është gjë tjetër të flasësh gabim / e tjetër të gënjesh. Pasi jo çdokush gënjen pra, kur flet gabim”.
Në mënyrë të ngjashme tingëllonte kjo edhe në rastin e Kaspar von Stieler, i cili i kategorizonte në gradë të ndryshme të së vërtetës lajmet e njoftimet që shpallte në gazetën e tij “Lust und Nutz” (Kënaqësia dhe dobia, 1695), ndërsa shkruante se kishte një “të vërtetë apo në dukje të vërtetë” dhe një tjetër gradë që ai e cilësonte si “e menduar e vërtetë”.
Edhe për Von Stieler, njoftimet e kategorisë “në dukje e vërtetë” dhe “e menduar e vërtetë”, nuk ishin gënjeshtra – edhe pse një “krijim i shpikur”.
Në shekullin e 19 lind gazetaria moderne
Për t’u mbrojtur nga të tilla “krijime të shpikura”, ai u rekomandonte lexuesve, por edhe gazetarëve, një mjekësi alternative. Sipas tij, ilaçi ishte përkatësisht: “Të mos i besohej çdo britme” (thirrje për lexuesin) dhe të mos ishin “lehtësisht besues” (thirrja për gazetarët).
Ndërsa lexuesi ftohej të sillej kritik me ofertën e prezantuar të lajmeve e materialeve të shtypura që i ofrohej, pra të përdorte në parim shumë burime informacioni, gazetarët nga ana tjetër, duhet t’i peshonin me më shumë kujdes burimet e informacionit dhe mundësisht t’i krahasonin me burime alternative. Problemi: lajmet e shitura apo të shkruara diku gjetkë për shumicën, do të duhej të verifikoheshin vetëm në formë të kushtëzuar.
Deri në vendosjen e këtyre standardeve redaksionale – të verifikimit profesional të lajmit në burime të ndryshme të besueshme – duhej të kalonin edhe dekada të tjera. Me fillimin e shekullit të 19, sidoqoftë, ia nisi gazetaria moderne me aplikimin e kritikës së saj burimore, sikurse dhe ne sot e njohim gjerësisht.
Akuza për gënjeshtra apo lajme të rreme e të manipuluara, megjithatë ka mbetur e njëjtë dhe madje ushtrohet dhe më e fortë, në raport me epokën që jetojmë, ku zhvillimi teknologjik e jo vetëm, mundësojnë një rafinim edhe të përpjekjeve për manipulimin jo vetëm mediatik.
Gazeta e parë e shtypur në botë
Johann Carolus (1575 − 1634) ishte një botues gjerman që njihet edhe si botuesi i gazetës së quajtur Relation aller Fürnemmen und gedenckëürdigen Historien (Platforma e të gjitha lajmeve të duhura e të denja). E njohur ndryshe si Relation, ajo është njohur tashmë nga World Association of Newspapers”, sikurse dhe nga shumë autorë si gazeta e parë e shtypur në botë. E botuar në gjermanisht, ajo u publikua së pari në Strasburg, i cili kishte në atë kohë statusin e një qyteti të lirë perandorak në të ashtuquajturën “Perandoria e Shenjtë Romake e Kombit Gjerman”./shqip

Viewing all articles
Browse latest Browse all 5466


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>