Quantcast
Channel: Portali FLURUDHA
Viewing all articles
Browse latest Browse all 5466

Të rinjtë myslimanë gjermanë e gjejnë shpëtimin te hip-hopi

$
0
0

Kultura – Hakani pati shumë pak kontakte me gjermanët, për të cilët thotë se e nënvleftësojnë kulturën turke, ndërsa prindërit e vet menduan vetëm si të bënin para. Kjo e la të ngecur mes dy kulturave. Hip-hopi e ndihmoi atë që të shprehte ndjenjat si i lënë mënjanë, por gjithashtu e lidhi me grupe të tjera të margjinalizuara jashtë Gjermanisë
Në mes të viteve 1990, ndërsa hynte e dilte nga burgu, Killa Hakan u bashkua me grupin “Islamic Force”, pionier në muzikën hip-hop të emigrantëve turq në Gjermani. Grupi regjistroi vetëm një album dhe më pas u shpërbë, kjo rrjedhojë e vdekjes së një prej anëtarëve të tij. E megjithatë ai rezultoi i suksesshëm. Shumë emigrantë turq e identifikuan veten me problemet në Gjermani.
“Ne kemi shumë probleme”, shpjegon Hakani, prindërit e të cilit emigruan në lagjen periferike të Berlinit, Kreuzberg, nga Turqia përpara katër dekadash si punëtorë. Ashtu si edhe shumë familje të tjera turke, të cilat mësynë vendin e madh perëndimor, edhe të tijtë u izoluan brenda komunitetit turk dhe kurrë nuk menduan që të integroheshin, pasi planet ishin që të riktheheshin sërish në vendlindje.
Ai pati shumë pak kontakte me gjermanët, për të cilët thotë se e nënvleftësojnë kulturën turke, ndërsa prindërit e vet menduan vetëm si të bënin para. Kjo e la të ngecur mes dy kulturave. “Babai im rrinte në shtëpi aq gjatë sa për të ngrënë diçka e për të më rrahur.” Hip-hopi e ndihmoi Hakanin që të shprehte ndjenjat e tij si i lënë mënjanë, por gjithashtu e lidhi atë me grupe të tjera të margjinalizuara jashtë Gjermanisë.

Grupi amerikan “Soulsonic Force” e frymëzoi për emrin “Islamic Force”. Në pamje të parë mund të duket si emër fundamentalist, por reperi e bën të qartë se nuk ka lidhje me fenë. Më shumë kjo është një mënyrë për të bashkuar apelin e punëtorëve turq në Gjermani me vuajtjet e afrikano-amerikanëve gjatë lëvizjes për të drejtat e tyre.
“Si fëmijë, në njëfarë mënyre, ne zbuluam se prindërit tanë ishin njëfarëlloj skllavi. Ne donim që të nisnim një lëvizje, por gjithashtu dhe të krijonim muzikë”, thotë 42-vjeçari.
Hip-hopi që në SHBA nisi si një formë proteste urbane, shpejt u bë zëri i getove europiane, thotë Hisham Aidi. Autori i “Muzikës rebele: Rraca, perandoria dhe kultura e re e të rinjve myslimanë” shton se kjo “është muzika e të margjinalizuarve, që kapërcen shtetin komb dhe kufijtë kombëtarë”.
Kjo rrymë muzikore u bë e njohur në Gjermani në vitet 1980 dhe u përdor nga emigrantët për të apeluar gjendjen e tyre të vështirë, të përjashtuar nga shumica. Ndërsa numri i myslimanëve vazhdon të rritet në këtë vend (parashikohet që në vitin 2030 ata do të përbëjnë 25% të popullsisë), këngëtarët adoptuan një ton më të ashpër.
Me dyndjen e emigrantëve të shumtë myslimanë, janë shtuar përplasjet me vendasit. Gjermanët e kanë të vështirë që t’i pranojnë të ardhurit, edhe pse nga politika është bërë thirrje që ata të shfaqen më tolerantë.
Hip-hopi erdhi në Gjermani nga grupe amerikane si “Public Enemy”. Këngë si “Fight the Power” u flisnin njerëzve që e ndienin veten jashtë shoqërisë gjermane. “Kjo rrymë muzikore u jepte një zë atyre personave në shoqëri, që nuk kishin formë tjetër përfaqësimi”, shpjegon gazetari muzikor Falk Schacht. “Thirrja e tyre është: unë këtu jam, më dëgjoi.”
Pastaj ai pësoi evolucionin e vet brenda vendit. Të këndosh hip-hop nuk kërkon ndonjë edukim muzikor dhe as t’i biesh ndonjë vegle. Kështu fëmijët nisën që të mësonin njëri-tjetrin duke dëgjuar nga artistë të tjerë. Përveç gjuhës gjermane në këngë nuk munguan as shprehje në arabisht, turqisht apo gjuhë të tjera emigrantësh.
“Advanced Chemistry” ishte një nga grupet e para që nisi të bënte rap, i ndikuar nga hip-hopi njujorkez. Por tekstet e tij tregonin realitetin gjerman. Këngëtarët kritikonin trajtimin që u bëhej, ku edhe pse pasaportat e tyre ishin gjermane, prapë shikoheshin si emigrantë.
Kjo lloj muzike frymëzoi edhe reperin tjetër nga Munihu, Ali As, me origjinë nga Pakistani. “Unë kujtoj kur po kaloja njëherë me nënën time në Goethe Platz të Munihut, kur një grup të dehurish nisën të na godisnin me guralecë, vetëm sepse ne ishim emigrantë”, kujton ai.
Karrierën e nisi në vitin 1999. “Atëherë po studioja teatër, por vendosa t’i ndërprisja studimet. Nuk kishte rëndësi se sa gjerman unë isha, se sa borgjez, gjithnjë trajtohesha si i huaj. S’kishte rëndësi se çfarë bëja, prapë trajtohesha keq. Kështu që më mirë mendova të merrem me atë që kam qejf”. Tekstet e Aliut janë sarkastike. Në këngën e tij “Deutscher / Ausländer” (Gjermanë / Të huaj) ai vë në pah hipokrizitë e vendasve, që nga njëra anë bëjnë si tolerantë, e nga ana tjetër kritikojnë islamin. Ai tallet me pijanecët që gjykojnë amoralitetin e tyre që studiojnë Kuranin.
Por një tjetër repist, Bushido, ka marrë shumë kritika për mesazhin që përcjell në vend. Këngëtari me origjinë tuniziane, është mjaft i famshëm dhe krijon provokime dhe ankth mes rinisë gjermane. Në këngën e vitit 2013, “Stress ohne Grund” (Stres pa arsye), përveç të sharave seksiste, Bushido bën thirrje të vriten politikanët e njohur gjermanë. Për këtë tekst ai u padit, por më pas akuzat u hodhën poshtë nga gjykata. Madje në media është shkruar për lidhjet e tij me mafien. Në këngën e 2006 “11 September” (11 Shtatori), mesazhi i tij ishte se ai e ndiente veten taleban. Në Gjermani nuk dinë çfarë të bëjnë me të. Pas sulmeve të Parisit, i riu publikoi një foto me fjalën Paris dhe tekstin në “Twitter”, “Tani fillon gjithçka”. Vetë reperi thotë se të gjitha këto debate i bën që të njihet dhe muzika e tij të shitet.
Por punonjësi social nga Berlini, Olad Aden, shprehet se muzika me mesazhe negative ndikon keq te fëmijët e rrugës. “Adoleshentët e sotëm mendojnë se kultura afrikano-amerikane ka të bëjë vetëm me prostituta, drogë dhe armë. Ka një lloj mahnitjeje me imazhin e të fortit me hip-hopin në Berlin. Çdokush dëshiron të jetë më i forti, më i çmenduri, më gangsteri”, thotë Adeni nga zyra e tij në Wedding, një tjetër enklavë emigrantësh në kryeqytet.
Sekou Neblett, një tjetër repist i njohur, thotë se tani këngëtarët duan që të tregojnë se janë fuqizuar, se janë ata që drejtojnë dhe kontrollojnë.
Kurse Hakan rikujton “viktimën”, reperin berlinez Deso Dogg, i cili u bë pjesë e IS-it. “Ai nuk kishte lidhje me rap-in këtu në vend. Thjesht ishte në kërkim të drejtimit të vet. Kur shpëtoi nga vdekja, pas një aksidenti me makinë, ai nisi të bënte propagandë për shtetin islamik dhe rekrutonte të rinj pa mbështetje.” Artisti tjetër Aidi thotë se politikanët nuk duhet ta shikojnë hip-hopin si burim terrorizmi. “Nuk të bën arti dhe muzika radikal, siç thonë politikanët, që nuk kanë qejf të flasim për politikëbërjen.”
Së fundmi, grupe si KIZ, “Antilopen Gang” dhe “Zugezogen Maskulin” po kritikojnë shtetin gjerman dhe shoqërinë se u kanë kthyer shpinën emigrantëve. Më 2015-n, në Gjermani aplikuan për azil më shumë se 1 milion emigrant.
Prapë se prapë, edhe pse hip-hopi gjerman bëhet më i ashpër, ai po fiton më shumë popullaritet, duke dobësuar mesazhin e protestave urbane. “Sot, shumica e fansave nuk i marrin mesazhet politike seriozisht. Këte lloj muzike e dëgjojnë në çdo festë diplomimi”, thotë specialisti i muzikës, Staiger. Shpresa e repistëve në këtë moment krize është që të largohen tutje stereotipat për emigrantët myslimanë dhe atyre t’u jepet një mundësi për të treguar vlerat.

Viewing all articles
Browse latest Browse all 5466