Liridon KADRIU
DEL BOTIMI III I PËRKTHIMIT TË KUR’ANIT
Kur’ani – botimi III
Në vigjilje të përvjetorit të tridhjetë të përkthimit të parë e të plotë të Kur’anit në gjuhën shqipe, në korrik të këtij viti doli nga shtypi botimi III i përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe nga akademik Feti Mehdiu.
Tridhjetë vjet më parë falë urtësisë dhe punës së palodhshme të akademik Feti Mehdiut edhe shqiptarëve iu mundësua që librin e shenjtë Kur’anin ta kenë dhe ta lexojnë në gjuhën e tyre amtare. Në vitin 1985, për herë të parë botohet përkthimi i Kur’anit në gjuhën shqipe me botues: Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës me përkthyes akademik Feti Mehdiu.
Botimi i dytë i këtij përkthimi është bërë në vitin 1999, i titulluar: “Kur’ani dhe hija e tij shqip”. Botimi i II-të ishte bërë me angazhimin e botuesit “Logos-A” nga Shkupi, kurse shtypi është realizuar në Stamboll. Botimi i III-të i dalë këto ditë nga shtypi është botuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës nën patronatin e myftiut Naim Tërnava. Shtëpia botuese: “Dituria Islame”.
Karakteristikë e këtij botimi është se nuk e ka origjinalin në arabisht, por vetëm tekstin e përkthimit në gjuhën shqipe. Fillon me kopertinën e përkthimit të parë të Kur’anit në gjuhën shqipe të botuar në vitin 1985, pastaj me ilustrimin e kopertinës së përkthimit të dytë të botuar në vitin 1999 në Stamboll. Vazhdon me këtë kronologji: Kur’an-i i botuar në shqip Prishtinë, 2015, me emrat e treguesve të botimit, përgatitjes teknike dhe vitit të botimit, logoja e shtëpisë botuese, një paragraf i kushtohet se kujt i dedikohet ky përkthim, në f. 5 vjen përmbajtja e sureve, në faqen 9 nis me suren e parë hyrëse- Al-Fatiha-Hyrja dhe përfundon me suren Al-Nas-Njerëzit në fq. 525. Pas përkthimit një faqe i dedikohet udhëzimit se ku duhet të bëhet sexhdja. Ndërsa vijon me fjalën e myftiut Tërnava, e cila është në gjuhën shqipe dhe arabe.
Në faqen 536 është fjala e përkthyesit, akademik Feti Mehdiut e titulluar: “Me rastin e botimit të tretë”. Ndër të tjera përkthyesi shprehet: “Ky botim, i treti vjen pak më ndryshe nga dy botimet e para. Botimi i tretë nuk është i radhitur, por është punuar në bazë të botimit të vitit 1999. Është korrektuar nga korrektorë shtesë. Tekstin në gjuhën shqipe e kam rishikuar personalisht, pas sugjerimeve të korrektorëve dhe redaktorëve e dashamirëve vullnetarë, e vullnetmirë, dhe e kam përfillë një pjesë të atyre sugjerimeve. Respekt të veçantë për Bashkësinë Islame të Republikës së Kosovës për gatishmërinë që të jetë bartës i botimit të tretë, për të shënuar 30-dhjetëvjetorin e botimit të parë në vitin 1985.
Në faqet 538-540 është treguesi i emrave, në f. 541, gjegjësisht në faqen e fundit janë paraqitur emrat e korrektorëve, recensentëve dhe të operatorëve teknik.
Ky botim i III-të i përkthimit të Kur’anit vjen si një margaritar i veçantë në vigjilje të 30-vjetorit të përkthimit të parë e të plotë të Kur’anit në gjuhën shqipe nga i vyeshmi dhe bujari, akademik Feti Mehdiu. Besojmë që këtë vit nga i njëjti përkthyes do dalin nga shtypi dhe kompleti i haditheve të Muhammedit a.s. të seleksionuara nga Imam Buhariu, prandaj me plotë të drejtë konstatojmë se akademik Feti Mehdiu me përkthimin e librit të shenjtë Kur’anit dhe koleksionit të Imam Buhariut (haditheve të pejgamberit a.s.) mund të llogaritet lirshëm si njëri ndër kontribuesit më të mëdhenj të publicistikës islame, jo vetëm në Kosovë, por në tërë trojet shqiptare.