Quantcast
Channel: Portali FLURUDHA
Viewing all articles
Browse latest Browse all 5466

Pushteti i pestë, interneti dhe mediat

$
0
0
Ron Salaj

Kur në Parkun Kombëtar Yellowstone në SHBA, disa ekologë vendosin që të rikthejnë ujkun në këtë park, pas një mungese 70 vjeçare, diçka e mahnitshme ndodhë: nga prania e shumtë e drerëve në parkun Yellowstone për një kohë të gjatë, vegjetacioni natyror fillon të pakësohet. Me mbërritjen e ujqërive në park, këta fillojnë ti sulmojnë drerët duke ia ndërruar kështu edhe sjelljet e tyre, dhe duke i detyruar drerët që të shmangin disa pjesë të parkut, sidomos pjesët me hapësira të gjëra ku ujqërit mund të sulmojnë më lehtësisht. Menjëherë këto pjesë fillojnë të rigjenerohen me vegjetacion të ri natyror. Me ripërtrirjen e vegjetacionit të ri, zogjë të ndryshëm fillojnë të vijnë dhe specie të ndryshme ujore fillojnë të shtohen. Me shtimin e specieve tjera si miu, lepuri, etj, menjëherë fillon të shtohet prania e shqiponjave, bukëlave dhe dhelpërave. Ndryshimi ekologjik vazhdon edhe më tej, ku ujqërit fillojnë të ndryshojnë edhe rrjedhjen e lumenjëve, të cilët pastaj fillojnë të formojnë liqej të vegjël, ku përreth tyre fillojnë, gjithashtu, të ndërtohen ekosisteme të reja. Pra, me një ndërhyrje të vetëm, me futjen e disa ujqëve në park, e gjithë ekologjia dhe gjeografia fizike e Parkut Yellowstone u transformua dhe u ndryshua. Dhe ky fenomen në ekologji quhet trophic cascade apo kaskata trofike.

A nuk ka ndodhur e njëjta gjë në “ekologjinë e mediave” pas hyrjes së vrullshme të internetit?A nuk ka ndodhur mu i njëjti transformim?Ngjajshëm sikurse në Parkun Yellowstone.Me futjen e internetit, sidomos me shtrirjen e tërësishme përmes WiFi dhe 3G, zhvillimin e Web-it 2.0, si dhe telefonave të mençur dhe aplikacioneve tjera, ekosisteme të reja filluan të zhvillohen, psh. Facebook, Twitter, YouTube, etj. Me zhvillimin e këtyre ekosistemeve virtuale teknologjike, fillojë të ndryshojë edhe mënyra e prodhimit të lajmit apo mbulimi i ndonjë ngjarje të caktuar, si pasojë e së cilës filluan të zhvillohen portale të ndryshme të cilat gjithmonë e më shumë po sjellin lajme në mënyrë më dinamike dhe interaktive, por shpesh edhe të pa verifikuar, duke vënë gjithmonë në pah shpejtësinë dhe ekskluzivitetin e lajmit sesa përmbajtjen e tij; shpesh herë këto janë lajme të huazara nga media të ndryshme sociale. E gjithë kjo rrjedhë e madhe e informacionit, sidomos në rrjete te ndryshme sociale, ka ndikuar në mobilizim të shpejtë të grupeve ndaj çështjeve të ndryshme shoqërore, si per shembull: protestat e fundit në Maqedoni, mobilizimi kundër armëve kimike në Shqipëri, Lëvizja Occupy apo Pranvera Arabe. Ky mobilizim shpeshherë ndodhë si rezultat i fenomenit information cascade apo kaskatë e informacionit. Autori dhe profesori amerikan i Internetit dhe teknologjisë, Clay Shirky, e përshkruan kështu fenomenin e kastatës së informacionit: “gjëja më mahnitëse është kur mjetet e informimit online, sidomos rrjetet sociale, përdoren për ti inkurajuar njerëzit të dalin në rrugë për të protestuar, përmes kaskatave të informacionit, në të cilën një grup njerëzish të cilët janë të pakënaqur me shoqërinë apo me vendime politike fillojnë të protestojnë. Pas një kohe të caktuar, kaskata të ndryshme të informacionit fillojnë të publikohen në rrjete sociale, duke inkurajuar, kështu, grupe tjera të njerëzve që ti bashkangjiten protestës. Si pasojë, protesta fillon të rritet, duke bindur edhe më shumë njerëz që ti bashkangjiten protestës.” A nuk ka ndodhur diçka e tillë në trazirat e vitit 2004 në Kosovë, ku kaskata e informacionit nuk ka ndodhur në rrjete sociale, por përmes televizionit?

Gjithsesi, vlen të analizohet ndryshim i dinamikës së lajmeve, me të cilin fillon gjithashtu të ndryshojë edhe sjellja e lexuesve.Këta të fundit fillojnë të preferojnë lajmet e shkurtëra të ilustruara me foto dhe video, para opinioneve dhe analizave të gjata, si dhe reportazheve apo hulumtimeve të mirëartikuluara. Në anën tjetër, mediumet online fillojnë të servirin sa më shumë lajme rozë dhe kontraverze – vlenë të theksohen polemikat ndërmjet personazheve publike në rrjete sociale apo fenomenet “Vali Corleone” dhe “Kallashi” të cilat u ngritën falë një mitizimi të rrejshëm që ju bë përmes mediave – në mënyrë që këto media pastaj të tërheqin audiencën në platformat e tyre.  Por, ky transformim nuk mbaron me kaq. Sepse, në prapaskenë, pas gjithë këtij transformimi fillon të ndërtohet edhe një bizes i tërë, ku çdo lajm i ri do të sillte një klik të ri, dhe sa më shumë klikime të ketë një portal, aq më shumë do ti vlerësohej hapësira reklamuese. Dhe sa më shumë hapësira reklamuese të ketë një portal aq më shumë do të rriten të ardhurat financiare. Sigurisht se pyetja e parë që të vie në mendje është: çka ka të keqe nga kjo? Padyshim se modeli i gjenerimit të të ardhurave financiare nuk përbën problem për aq kohë sa gazetaria dhe roli i saj nuk sakrifikohen vetëm për të përfituar të ardhurat financiare. Por, në momentin që gazetaria dhe media në përgjithësi degradohen, humbin etikën profesionale dhe kultivojnë kiçin kulturor, me qëllimin e vetëm për gjenerimin e të ardhurave financiare, atëherë kjo përbën një problem, e aq më shumë kur njihet roli i medias në emancipimin e shoqërisë në fusha të ndryshme.

Pra, në një kohë të tillë është e pafalshme që media, sidomos ajo online për shkak të përmasave të mëdha që po i merr, po sakrifikon zërin e paknaqësisë vetëm që të jetë mbi altarin e garës për audiencë. Është e pafalshme që media sot në vend që të vë në pah gënjeshtrat dhe manipulimet politiko-ekonomike të liderëve tanë (sigurisht që ka ende media që tentojnë ta bëjnë këtë)  shumë nga lajmet që ne i shohim sot serviren në formën e argëtimit. Është poashtu e pafalshme sesi mediat dhe drejtuesit e saj, në këtë krizë morale, politike, ekonomike dhe shoqërore, si dhe në mungesë të një klase politike të mirëfilltë, nuk arrijnë dot të marrin rol emancipues në trajtimin e shumë çështjeve themelore: dhuna dhe jo-barazia që bëhet ndaj femrave, diskriminimi ndaj komunitetit Rom, thirrjet homofobike ndaj komunitetit LGBTI, shtypja e punëtorëve dhe dhunimi i drejtave të tyre nga sektori privat, aferat korruptive veçanërisht në arsim dhe shëndetësi apo pabarazia e thellë shoqërore. Padyshim se disa nga temat e lartëpërmendura trajtohen nga media të caktuara, por jo në nivelin dhe dinamikën e duhur, si dhe pa ndonjë agjendë apo paanshmëri. Gjithashtu, trajtimet e këtyre temave janë sporadike dhe shpesh luajnë kundërefekt duke i rikthyer këto tema në normalitet të shoqërisë, duke ndihmuar që jonormaliteti të kthehet në normalitet dhe, si rrjedhojë, duke u pranuar më lehtë në shoqëri, pa ndonjë revoltim autentik ndaj temave të sipërpërmendura.
Sigurisht se kjo krizë mediatike është globale dhe nuk qendron vetëm për Kosovën. Vetëm në Prill të vitit 2010, atëherë kur Julian Assange, hakeri, gazetari dhe themeluesi i Wikileaks, publikoi videon e famshme “Collateral Murder” (“Vrasja Kolaterale”), bota e kuptoi se sa e ndyrë kishte qenë lufta në Irak. Apo rasti tjetër, i publikuar poashtu nga Wikileaks, ku tregon sesi mbeturina të ndryshme toksike janë hedhur në Bregun e Fildishtë nga korporata multinacionale Trafigura.Të gjitha këto, së bashku me mijëra publikime tjera, janë një rikujtesë e turpshme sesi mediat mainstream (televizionet, gazetat dhe radiot) kanë dështuar në misionin e tyre të informimit të drejtë të publikut. Padyshim, këtu nuk duhet të anashkalohen Edward Snowden dhe Chelsea Manning: i pari ishte një ish-punëtor i Agjencionit për Shërbim Kombëtar të Amerikës, i cili rrjedhi informacionet sekrete mbi programin “Pesë Sytë”, i cili përbënte rrjetin e spiunimit të internetit më të madh në botë, që përfshinte SHBA-të, Britaninë e Madhe, Australinë, Kanadën dhe Zelandën e Re. Ndërsa Manning, ishte analiste e intelegjencës ushtareke amerikane e cila i ofroi miliona dokumente Wikileaks mbi shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë luftës në Irak dhe Afganistan. Manning u dënua me 35 vjet burg nga SHBA-të, Snowden gjendet në Rusi ku i është ofruar statusi i azilit, ndërsa Assange mbetet ende i izoluar në Ambasadën e Ekuadorit në Londër. Janë pikërisht hakerët, whistleblowerët, blogerët dhe gazetarët e pavarur, të cilët pavarësisht rrezikshmërisë së lartë, sot kanë formuar “pushtetin e pestë”, dhe të cilët po shërbejnë në rolin kritik, të informimit të drejtë dhe transparent, rol që dikur i takonte “pushtetit të katërt” (mediavemainstream). Ndoshta vetë-organizimi i pavarur i një “pushteti të pestë” në Kosovë mund të sillte pak shpresë për një media më transparante, më kritike, dhe që do ti shërbejë informimit të drejtë dhe të paanshëm.Mund të tingëllojë utopike, por absolutisht jo e pamundshme.

Viewing all articles
Browse latest Browse all 5466