Prokuroria njoftoi dje se është goditur një grup i organizuar i shpërndarjes së drogës në kryeqytet, kryesisht për klientët VIP, njerëz të njohur të artit dhe muzikës, siç ishte edhe rasti i çiftit të këngëtarëve Cozman dhe Tuna që u kapën me 20 gramë hashash në makinë. Përgjimet e kryera kanë çuar agjentët e Antidrogës dhe hetuesit e Prokurorisë tek drejtuesit e bandës, tre prej të cilëve vëllezër. Përgjatë muajve prill-korrik ata janë arrestuar njëri pas tjetrit, deri në rastin e fundit pas arrestimit të këngëtarit Ylber Abdullahu (Cozman), që furnizohej po nga ky grup me 7 persona tashmë të arrestuar.
Të arrestuarit e grupit
Hetimet u intensifikuan gjatë muajit qershor të këtij viti me përgjime dhe survejime të të dyshuarve. Mësohet se janë ndjekur edhe personat që i shitën 20 gramë hashash Cozman-it në muajin korrik. Në përfundim të operacionit të koordinuar nga Prokuroria dhe Policia e Tiranës, u arrestuan Marsel Xeba, i dyshuar si organizator i kësaj veprimtarie, si edhe bashkëpunëtorët e dyshuar Ilirjan Xeba dhe Andi Xeba (vëllezërit i tij), Xhuljo Qejvanaj, Noel Papuli, Skerdi Xhelo, Lavdërim Xeba. “Fillimisht është regjistruar procedimin penal për veprën “prodhim dhe shitje lëndësh narkotike” në prill 2015, në bazë të informacionit të referuar nga ana e Policisë së Shtetit. Në vijim të veprimeve hetimore, në këtë procedim penal u bashkuan edhe disa referime të tjera për persona të ndryshëm, të mbërritura në periudhën qershor-korrik 2015, pasi në bazë të të dhënave të siguruara, u krijuan dyshimet e arsyeshme se operonin së bashku në shpërndarjen e lëndës narkotike kanabis sativa, në zonat kryesore të Tiranës, përfshirë ish-Bllokun dhe në lokale nate tepër të frekuentuara”, tha prokuroria për këto hetime.
Kodet dhe skema për drogën
Më 13 mars 2015, patrulla e policisë së Komisariatit nr. 3 lokalizoi në rrugën “Milan Shuflai”, prapa lokal “Brilant”, një automjet me targa AA180HB, në të cilin një person po shiste lëndë narkotike hashash. I riu i moshës 22-25 vjeç u largua me vrap sapo pa policët, në drejtim të ish- “Zogut të Zi”. Gjatë kontrollit të vendit, te matësit elektrikë të pallatit, mes kabujve, u gjetën 23 qese të vogla farmaceutike, me 37,6 gramë kanabis. I dyshuar për këtë veprimtari ishte një i ri me emrin Marsel dhe çdo dozë apo cigare e shiste me 1 mijë lekë, kryesisht në zonën e “Rrugës së Durrësit”, “Barrikadave”, “Shkolla e Kuqe”, “Don Bosko”, “Zogu i Zi” dhe në vende të tjera. Drogën e fshehte në çantë, makinën “Ford”, bokset e pallateve, motor dhe në banesën e tij te “Fusha e Aviacionit”, kurse klientela ishte e përzgjedhur dhe fikse. Porositë merreshin në telefon, rrjetet sociale ose nëpërmjet takimeve. “Përdoreshin kodet “telefoni është gati”, “atletet janë gati” dhe shitja bëhej edhe në lokale të njohura”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Më tej u identifikua se i dyshuari ishte Marsel Xeba dhe u vu në ndjekje, teksa bashkëpunonte me Andi Xeba dhe Ilirjan Xeba (vëllezërit e tij) si dhe Skerdi Xhelon. Më 25 qershor i ka shitur 21 qese hashashi Xhuljo Qejvanajt dhe Noel Papulit, që u kapën nga Patrullat “Shqiponja”. Më 4 korrik policia kapi Andi Xebën me drogë në makinë dhe në të brendshme, ku tha se e mbante për përdorim vetjak.
Cozman e bleu drogën tek Xeba, para se të arrestoheshin të dy
Në orët e para të mëngjesit të ditës së 4 korrikut, kur u kap Andi Xeba, Policia e Komisariatit nr. 3 dhe “Shqiponja” ndaloi makinën e këngëtarit Ylber Abdullahu (Cozman), që udhëtonte me të dashurën e tij Tuna, po këngëtare. Gjatë kontrollit iu gjetën rreth 20 gramë kanabis që e mbante edhe në të brendshme. Nga hetimi rezultoi se Cozman e ka blerë drogën nga ky grup i arrestuar, por që në dëshmi ka thënë se nuk i njihte. Blerja ishte kryer tek Piramida. Tuna u la e lirë, kurse Cozman doli në gjykatë për masë sigurie, ku paraqiti një raport mjekësor nga spitali i Prishtinës, ku i lejohej si narkoman përdorimi i sasisë deri në 20 gramë hashash. Gjykata e la të lirë këngëtarin me garanci pasurore 5 mijë euro.
Të arrestuarit:
Marsel Xeba
Ilirjan Xeba
Andi Xeba
Xhuljo Qejvanaj
Noel Papuli
Skerdi Xhelo
Lavdërim Xeba