Quantcast
Channel: Portali FLURUDHA
Viewing all articles
Browse latest Browse all 5466

Për të madhin Skot, grua! Mos e humb shansin e Shqipërisë…

$
0
0
Nga Luljeta Lleshanaku

(Mbi librin “Majat e Shalës”, të Rose Wilder Lane)


Kur Roze Lane po vizitonte një kamp refugjatësh në Shkodër, qe bashkëqytetarja e saj Frances Hardy që e joshi të shkonte me të në një ekspeditë për hapje shkollash në Alpet e veriut, duke i thënë: “Kostandinopoja s’është gjë prej gjëje; çdokush vete në Kostandinopojë. Por, nëse nuk sheh Shqipërinë, ke humbur rastin më të madh në jetë…Për të madhin Skot, grua! Dhe ti më rri këtu dhe më flet për Kostandinopojën!”
Me sytë e një amerikaneje
Ajo që Rose Lane dinte për shqiptarët deriatëherë, mund të përmblidhej në një epitet të vetëm: “banditë.” Pra, ky qe momenti kur udhëtimi i Rose Lane mori një kthesë krejt të papritur, drejt maleve të Veriut të Shqipërisë, ku sipas Frances-ës, njerëzit jetonin siç kanë jetuar para njëzet shekujsh. Megjithëse tashmë Lane kishte shëtitur një pjesë të mirë të botës, aventura që e priste përpara, nuk kishte asgjë të përbashkët me përvojën e saj. Si pjesë e ekipit, asaj iu desh të ecte mbi mushka apo në këmbë, duke u përballur me kushte shumë të vështira të relievit dhe me një presion të vazhdueshëm psikologjik, në një botë krejt të panjohur për të. Gjithçka që i shfaqet me shpejtësi para syve, përbën një shok kulturor për Lane-in, duke filluar nga peizazhet përrallore të Pultit, Shalës dhe Thethit, mitet, legjendat, kodet e komunikimit e deri tek gjakmarrja, institucioni më i ashpër ligjvënës për ta.
Për shkak të pneumonisë, Rose u detyrua të ndërpriste parakohe qëndrimin e saj në male, dhe më ndihmën e Rexhë Metës, djalit dymbëdhjetevjeçar, inteligjent dhe që fliste një anglishte të shkëlqyer, i cili në kthim i shpëtoi edhe jetën, ajo u kthye në Shkodër, duke i dhënë fund udhëtimit të saj të parë në Shqipëri, në këtë vend, me të cilin, Rose Lane do të hapë një histori të gjatë dashurie.
Shënimet e këtij udhëtimi, Lane i botoi në librin “Majat e Shalës” në vitin 1923, dhe pati një sukses të menjëhershëm, saqë u ribotua edhe dy herë të tjera radhazi. Por, për Lane, ky do të ishte vetëm fillimi, sepse ajo do të rikthehej në Shqipëri. Në vitin 1926, për të tretën herë, Rose Lane do të kthehej me një miken e vet shkrimtare fotografe nga Parisi në Tiranë, me një Ford të cilin ajo e quante “Zenobia”, me qëllimin që të ndërtonte  një shtëpi e të shpërngulej përgjithmonë këtu. Për fat të keq, për arsye familjare, ky plan nuk funksionoi dhe Roze Lane u detyrua të kthehej në Amerikë në fillim të vitit 1928. Ky vit, përkon me kohën e Depresionit të Madh, dhe për arsye financiare, një udhëtim tjetër në Shqipëri, qe i pamundur. Por kjo lidhje e Rose-s me Shqipërinë, do të vazhdonte në një mënyrëe tjetër, pas mbylljes së kufijve politikë, përmes historisë së saj me Rexhë Metën, djalin e vogël jetim që e shoqëroi në Alpet e Shqipërisë, të cilin edhe e adaptoi.
Habia e bajraktarit të Shalës dhe dilemat e Rose Lane-it
Por, ajo çka e bën “Majat e Shalës” librin, që mund të thuhet pa frikë, se është libri më i mirë i shkruar për Shqipërinë nga një i huaj, është pikërisht këndvështrimi prej shkrimtareje i Roze Lane-t, i cili kapërcen interesat antropologjike, historike, politike dhe gazetareske. Zbulimi i këtij populli, që për arsye mbijetese, ishte konservuar në një epokë primitive, e ndihmon Lane-in të reflektojë mbi kuptimin e progresit ose tendecën e civilizimit: çfarë e dallon njeriun e qytetëruar nga modeli primitiv? Pra cili është kuptimi i dymijë viteve qytetërim? Dhe më tej: çfarë e bën njeriun të kthehet kaq shpejt në fillesën e vet, në egërsinë e vet, dhe të institucionalizohet kaq lehtësisht me të, duke ndjerë të zhduken si të panevojshme brenda pak minutave, disa shekuj qytetërim? Më konkretisht, Lane shprehet: “e tëra ajo që ne e quajmë qytetërim, është si një melodi që e kemi dëgjuar dje, diç e vockël që lundron mbi suprinën e mendjeve tona, me të cilën herë-herë mund ta mbajmë hapin dhe pastaj për një hop na humbet, kështuqë nuk mund ta mbajmë në mend.”
Pasi i kalon tronditja e parë dhe pasi mësohet me të ftohtin, frikën, me urinë, me kushtet tejet primitive të jetesës, me një lloj minimalizmi ekstrem, autorja pëson një lloj katarsisi; ajo pothuajse harron reflekset e jetës komode. Dhe jo vetëm kaq; gjatë bisedave rreth zjarrit të cilat zakonisht zgjasin deri në orët e para të mëngjesit, Rose Lane ndjehet e pafuqishme në forcën e saj argumentuese, përballë këtyre burrave të pashkollë, por befasues dhe bindës me argumentat e tyre sa naivë, po aq edhe të mprehtë. Duke i shpjeguar se ç’është martesa në Perëndim, ajo ndeshej me një habi të kësaj natyre, tek malësorët: “s’e kuptoj, pse u dashkan shumë para për t’u martuar?” Po kështu, për Rose-n ishte po kaq i pashpjegueshëm dhe sfidues fakti që në këto kushte primitive, “burrat dhe gratë janë shokë të mirë; pothuajse kurrë nuk grinden dhe  u përkushtohen fëmijëve. Këtë do të mund ta shihni vetë.” Fakt që binte në kundërshtim me pozitën kanunore të femrës në atë bërthamë shoqërore, por, në të njëjtën kohë, ringre çështjet e emancipimit, individualizmit, në shoqëritë materialiste. Gjithashtu divorci, prona private, ligji, (“I vetmi ligj është ligji moral”), në mënyrën e tyre të organizimit, krijojnë ngërçe logjike (që fillimisht duken si ngërçe të pëkthimit), për Lane-n, dhe në të njejtën kohë, rrisin simpatinë e saj për këtë popull, të cilin, ajo nuk e kishte hasur më parë.
Rose Lane magjepset nga kureshtja e këtyre njerezve të izoluar për të njohur dhe kuptuar, në mënyrë empirike, ligjet e natyrës dhe botën. Ajo citon Bajraktarin e Shalës: “nëse Toka e fortë është e rrumbullakët, dhe nëse uji qëndron në të i lakuar, atëherë Toka lëviz me shpejtësi të madhe. Se po të rrinte toka në një vend, atëherë uji do të binte.”- shprehje për të cilën, Roze Lane thotë se “e ndjeja veten fëmijë para asaj mendjeje, pra një njeri me të cilin, nuk mund të merresha me çështje të vogla, siç ishte gjetja e një mushke për të vajtur disi deri në Shkodër.”
Ajo gjithashtu magjepset me faktin që edhe brenda ligjeve të ashpra të Kanunit, ku gabimet paguheshin me jetë njerëzore, në mënyrë paradoksale përfshihej një lloj finsikërie mjaft prekëse, si psh, askush nuk lëndon një grua dhe askush nuk merr gjak në sy të grave. Apo se si i ati qëndron me vrasësin e të birit nën një kulm, dhe sigurohet për jetën e tij, përsa kohë është mysafir në konakun e tij, dhe më pas, me marrëveshje, hyn në fuqi ligji i hakmarrjes.
Kjo metamorfozë, ky udhëtim mbrapa në histori i Lane-t, fashit gjithashtu dy nocione bazë të qytetërimit modern, që janë: hapësira dhe koha (“Shtëpia ime është vetëm dy male matanë. Aty jeni të mirëpritur,“- shprehet Qerimi).
Por syrit të Lane-it nuk i shpëton, as ndjeshmëria që shqiptarët tregonin ndaj fesë së njeri-tjetrit;  se si një natë, ata pritën darkën deri pas mesnate “sepse mikpritësit kishin vetem mish derri për darkë e meqë Rexha ishte muhamedan, duhej respektuar, ndaj dërguan dikë në fshatin fqinj, tre orë larg, të gjente disa vezë që të mund të bënin darkën e tij!”
Pas tri minutash bisedë me Ahmet Bej Matin…
Pikërisht, një vit më vonë, në vitin 1922, Rose Lane kthehet sërish në Shqipëri, duke u bërë dëshmitare e revoltës së dibranëve me në krye Cen Elezin, një rast që i mundësoi asaj të njihte nga afër Shqipërinë zyrtare dhe sidomos Ahmet Zogun, princin e Matit, për të cilin kishte dëgjuar të flitej aq shumë në malet e Shqipërisë. Ky kapitull, që është edhe i fundit në libër, zbulon cilësinë e një vëzhgueseje të hollë në përshkrimin e karaktereve. Një ndër ta ishte pikërisht Ahmet Zogu. “Ai ishte i mprehtë, i vetëpërmbajtur, vullnetplotë. Kjo ishte përshtypja e parë”, apo “Ishte ai burrë që vishej më mirë nga të gjithë, në kuptimin europian, nga çdo njeri që kisha parë për një kohë të gjatë. Vishej si një biznesmen amerikan, që i ofron carte blançe një rrobaqepësi shumë të mirë dhe i harron rrobat.” Dhe pa e fshehur simpatinë e menjëhershme për Zogun: “Ky ishte njëri prej njerëzve të paktë të mëdhenj që kisha takuar.” Gjatë kthimit triumfal në Tiranë, pas thyerjes së revoltës, Rose do ta përshkruante Zogun në këtë mënyrë: “Një fytyrë e zbardhur dhe errësirë nën sy, sy që shohin thellë deri në fundin e gjërave…”
Rrallëherë na ka ndodhur të gjejmë një portret fizik dhe psikologjik, kaq të detajuar të mbretit Zog, pavarësisht natyrës së tij karizmatike për të gjithë ata që e kanë njohur. Por, pak më tej, Lane zbulon edhe qartësinë e tij, natyrën pragmatike por edhe largpamëse politikisht të Ahmet Zogut, duke e plotësuar portretin e tij përmes këtij rrëfimi fill pas thyerjes së revoltës së dibranëve: ”Shqipëria ka nevojë për burra, për burra të mësuar. Çfarë jam unë, me këtë forcë në duart e mia kur s’mund ta përdor pasi jam i pamësuar? Nuk e njoh Europën, Amerikën. Tirana ka nevojë për fabrika. Shqipëria ka nevojë për industri. Populli ka uri dhe është i leckosur. Kemi nevojë për një zhvillim kapitalist, jo pas njëqind vjetësh, por që tani. Atëherë, pse t’i gjykojmë dhe t’i varim (rebelët)? Paratë e tyre do të na duhen më tepër se trupat e tyre. Do t’i gjykojmë dhe do t’i gjobisim..” (Me paratë e të cilëve, mendonte të paguante dritën elektrike në Tiranë.)
Dhe kjo njohje e shkurtër, i mjaftoi Rose Lane-it: “Vetëm gjashtë shkencëtarë a biznesmenë janë heronjtë e mi. Pse, pra, pas tre minutash bisedë me Ahmet Bej Matin, ia shtova kësaj liste timen të shkurtër, këtë të parë malësor të fiseve gjysmë të egra, i cili nuk merrte erë as nga shkenca e as nga biznesi modern.”
Kjo është pak a shumë historia që Rose Wilder Lane e shkroi dhe e botoi plot nëntëdhjetë vjet më parë, një histori shqiptare, që të trondit dhe ngre pikëpyetje për gjithçka kemi mësuar dhe dimë, për qytetërimin në të cilin jetojmë dhe sistemin tonë konceptual mbi botën, një libër që për nga pasuria e fakteve, personazhet e gjallë të pikturuar, rrëfimet dhe historitë e bëjnë atë një ngjarje të rrallë kulturore, që do t’i bënte nder çdo populli, në veçanti ne shqiptarëve, që pak kush na ka dhënë kaq shumë dashuri, kaq shumë shpirt.
Lexuesi mund ta gjejë këtë libër në treg në dy versione të ndryshme, në shqip: versionin e përkthyer nga Avni Spahiu dhe botuar nga ARGETA LMG, dhe botimi më i ri, i përkthyer nga Kujtim Ymeri dhe botuar nga DITURIA.

Viewing all articles
Browse latest Browse all 5466


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>