Barack Obama u bë dje presidenti i parë në detyrë që udhëton për në Rrethin e Arktikut, për të vizituar Kotzebuen, Alaskë, në ditën e fundit të turit treditor në shtetin e vetëm të Arktikut.
“Jam përpjekur që ta bëj pjesën tjetër të vendit të vetëdijshme për ndryshimet klimatike. Ju po e shihni vetë me sytë tuaj”, deklaroi ai përpara publikut në një auditor të një shkolle në Kotzebue.
“Aktualisht, temperaturat mesatare në Alaskë priten të rriten mes tre dhe gjashtë gradë Celsius deri në fund të shekullit”, shtoi Obama.
Rajoni është i kërcënuar nga zjarret në pyje, rritja e nivelit të detit, akullnajat që shkrijnë dhe rrëshqitjet e tokës, që rrezikojnë infrastrukturën dhe vijën bregdetare si pasojë e erozionit.
“Jo shumë vende në Amerikë po përballen me këto pasoja, por do të vijë koha”, theksoi ai.
“Ajo çka po ndodh këtu është thirrja e Amerikës për ndërgjegjësim. Duhet të jetë zëri ndërgjegjësimit për mbarë botën”, theksoi ai.
Ai u shpreh në një konferencë ndërkombëtare të organizuar të hënën se bota duhej të bashkohej për të ngadalësuar ritmin e ngrohjes globale ose do të duhej të përballej me pasojat në të ardhmen.