Armash Nalbandian, është një ndër priftërinjtë në Siri, të cilët përballen çdo ditë me dhimbjen dhe vuajtjen e familjeve siriane
Në prani të qindra evropianëve, të cilët u lutën për paqen në botë, ai solli vuajtjen dhe dhimbjen e familjeve siriane, të cilët ndërmarrin rrugën e eksodit edhe pse e dinë se mund të përballen me vdekjen.
“Ne po flasim për 220 mijë njerëz që janë vrarë. 12 milionë kanë nevojë për ndihmë humanitare, 4 milionë janë larguar nga vendi, 7.6 milionë kanë lënë shtëpitë e tyre. Ky është një gjenocid në gjithë tiparet e tij”, tha prifti Nalbandian.
Armash Nalbandian, na tregon se Turqia për sirianët është toka e ëndrrave. Në avionin me të cilin ai duhej të nisej, u ndesh me një vajze të vogël e cila shoqërohej nga e ëma.
“Po shkoja në Bejrut të merrja avionin tim, pashë 20 autobusë me njerëz që kalonin kufirin. Në avion ishin të gjithë sirianë që po fluturonin drejt Turqisë, e cila për ta është bota e re. Në avion ishte një vajzë e vogël dhe e ëma, ato vinin nga verilindja e Sirisë. Kishin ecur deri në Liban dhe kishin pritur në aeroport dy ditë pa pasur asgjë për të ngrënë, donin të ruanin furnizimet. Pas dy ditësh vajza ishte dobësuar aq shumë sa i ra te fikët”, rrëfen prifti sirian.
Armash kërkon që Europa të hapë dyert, për këta njerëz që çdo ditë po përballen me vdekjen.
“Ne nuk mund të ndërpresim këtë eksod masiv për të ndërprerë konfliktet e ndryshme, fetë duhet të luajnë një rol më të madh. Europa duhet t’i ndihmojë refugjatët, t’ i pranojë, t’i japë asistencë”, tha Armash.