Nga Arben Llalla
Në vitin 1985, disa shtetas grek me kombësi të fshehur shqiptare nga Tiqeroja që gjendet afër kufirit greko-turk erdhën dhe bënë vizitë në Shqipëri. Ata shkuan edhe vunë kurora me lule tek varri i ish- udhëheqësit Enver Hoxha. Në foto që botojmë është njëri nga aktivistët e çështjes arvanitasve, mik i ngushtë i të ndjerit Aristidh Kola, Kosta Kazaqis dhe kushëriri i tij Petro Kolgjoni. (Kurora tek varri i Enver Hoxhës ka vënë edhe deputeti i Agimit të Artë, Kristo Papa alias Kiço Lapi ose Kiço Prifti dhe Antoni Andruçopulos alias Peridrucas ose Periandos, kur e vizituan Tiranën më 1988, por kjo është temë më vete.) Në vitin 1983 personalisht Enver Hoxha i ka shkruar një letër falënderimi të ndjerit Aristidh Kolës, kryetari i Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë.
TIQERO, dikur quhej Bintikli dhe ndodhet 48 km në verilindje të qytetit Aleksandropoli dhe 4 km në perëndim të lumit Evro. Sot 90% e banorëve janë me origjinë shqiptare.
Duhet të përmendim se pikërisht edhe Fan Noli ishte nga një fshat që banohej nga ortodoks shqiptar, por që i përkiste deri në vitin 1922 Turqisë dhe më vonë këta banorë braktisën fshatin e tyre Ibrik-Tepe që e quanin QYTEZA edhe u ngulën përfundimisht në Tiqero. Në Tiqero sot banojnë rreth 2.500 njerëz, ku 90% janë shqiptare dhe pak pondios e trakas.