Quantcast
Channel: Portali FLURUDHA
Viewing all articles
Browse latest Browse all 5466

Dhimbja në fytyrën e burrit

$
0
0
Nga Bedri Islami
Një përjetim (dhe një përkujtesë) në stacionin e trenit në Budapest


Në 10 shtator, paradreke, padashur jam bërë dëshmues i një skene që do të jetojë gjatë tek unë.
Ndodhi në stacionin e trenit, në Budapest. Në të vërtetë së bashku me një mikun tim, ishim nisur për në Shqipëri, kur në mesin e rrugës, një telefonatë na detyroi të kthehemi edhe një herë.
Në Budapest, ku kisha qenë edhe më parë, gjithçka ishte në një rrëmujë të pazakontë dhe rrugëve të tij, si kurrë më parë, mund të shikoje emigrantë që vërviteshin, duke kërkuar, në aq shumë gjuhë të ndryshme, stacionin qendror të trenit, për t’u nisur më pas drejt vendeve të tjera.
Ishin të gjithëfarshëm, të rrahur nga dielli, të zeshkët nga lindja, disa ende kishin mjekrat e dendura, të tjerë tipikë europianë të vendeve ballkanike; mes tyre takova tre djem mirditorë të rinj, që ende nuk e dinin se ku do e kishin cakun; të tjerë që mbanin në supe ose majë kokës fëmijë të vegjël, gra me çanta të mëdha në duart e lodhura dhe këmbët që i hiqnin zvarrë; fytyrat shprehin aq shumë dhimbje dhe aq shumë lodhje sa që nuk kishte më asnjë tipar që nuk ishte tjetërsuar.
Miku im, Dieter L. për shkakun e të cilit ishim kthyer, po vonohej në një takim në njërin nga qendrat e mbajtjes së njerëzve të atyshëm. Një mik i tij, libian, e kishte kërkuar sapo kishte arritur në Budapest, si duket, duke menduar se edhe aty, njeriu që kërkonte mund të ishte i njohur.
Libiani kishte qëndruar në mesin e oborrit dhe fliste me duar e me këmbë me mikun tim, dhe as që e kuptoja se çfarë kishin. Herë pas here zëri i tij ngrihej më lart dhe vinte deri tek unë, që isha më tej, si një thirrmë dëshpëruese.
Në rrugën e gjatë, herë nëpër trena dhe herë në këmbë, në nxitimin për të kapur gjithçka sa më parë, ai kishte humbur familjen e tij. Nuk e dinte se ku ishte, ku kishte mbetur. Kishin qenë së bashku në anije, pastaj në një tren, kishin vazhduar në një tren tjetër, pastaj në vijën e kufirit, dhe, kur gjërat kishin shpërthyer, policia hungareze kishte ndërhyrë forcërisht, gazi ishte sjellur mbi kokat e tyre, ai ishte ndjerë i vetmuar, turma shtyhej e shtyhej dhe më pas asgjë nuk mbante mend.
Kur kishte hapur sytë ishte në një qendër kurimi, buzë rruge dhe askush nuk e dinte gjuhën e tij.
Dhe pashë dhimbjen në fytyrën e burrit. Dhimbja kishte pamjen e një tmerri, që shpërfytyronte gjithçka, që merrte pas vetes të gjitha tiparet e tij, i ndalonte të folurën, i kishte prishur shikimin e syve, shpatullat ia kishte rrudhur, në dy ditë ishte zbardhur dhe nga gjoksi i dilnin gulçima. Çdo gjë fliste tek ai, fjalët i dilnin rrëmujshëm, lotët i kishin ngrirë, shpërfytyrimi ishte i pazakontë, të dukej sikur nga çasti në çast ai do të çmendej në të gjithë akthin e tij.
Ishte një rast kur dhimbja ishte më shumë se sublime, ishte e shenjtë. Dhe e ndjeva dhimbjen e tij.
Pak më pas, kur po largohesha, marramendshëm shpejt, në kujtesën time u ngjitën tragjedi të tilla, të cilat herë pas here, e fatkeqësisht jo rrallë, kishin ndodhur me ne shqiptarët. Tek shikoja atë burrë , krejt i panjohur për mua, më dukej sikur ndjeja edhe pikëllimin e atyre që kishin humbur të afërmit në Otranto, të atyre që ishin zhdukur në kufi, të nënave dhe motrave në Kosovë që ende nuk e dinë se ku i kanë vllezërit e bijtë e tyre…
Dhimbja ka tipare të njëjta, në të gjitha kontinentet.

Budapest, 10 shtator 2015

Viewing all articles
Browse latest Browse all 5466


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>