Në një bashkëbisedim me gazetarët ditën e sotme, Drejtoresha e Tatimeve tha se përballë kërkesave për paga më të larta, inspektorët duhet të kenë fillimisht vullnetin dhe idealin të ndryshojnë vendin përmes punës së tyre.
Në këtë kontekst ajo mori si shembull veten e saj, kur tha se për të sjellë në binarët e ligjit këtë shtet, la punën me rrogë 3-fish më të lartë se ajo që merr tashmë krye të Tatimeve, vetëm 700 euro!
“Shpresoj shumë të largohen ata që nuk e ndjejnë veten dhe nuk kanë as minimumin e idealit për këtë vend. Se ne të gjithë kërkojmë rroga më të larta, siguri dhe rend publik, kërkojmë shkolla, më të mira, kopshte, rrugë, i kërkojmë të gjitha ne, por ama dëshira të paguajmë është zero, dëshira e këtyre inspektorëve të bëjnë punën është zero.
Mua më zor nuk më mori njeri në punë, kisha 3-fishin e pagës atje ku isha, erdha këtu me një ideal për të thënë që ky vend bëhet”.
Por pavarësisht dëshirës për të bërë Shqipërinë, Shehaj duket se rroga që merr si Drejtoreshë e Tatimeve, nuk e kënaq.
“Unë jam drejtor i Përgjithshëm dhe kam një pagë neto prej 700 euro, nuk e di në çfarë vendi të botës mund të ndodhë por ndodh në Shqipëri”, – tha Shehaj.