Tashmë që ëndrra për të marrë pjesë në një kampionat europian është bërë realitet për kombëtaren kuqezi, vëmendja shkon te shorti i “Euro 2016”, që do të hidhet në Paris në datën 12 Dhjetor.
Ende nuk janë përcaktuar 4 vazot me nga 6 skuadra pasi Uefa e bën këtë ndarje vetëm pasi të kenë përfunduar eliminatoret përfshirë këtu edhe fazën play-off, por sido që të shkojë Shqipëria ka një koeficent të ulët në renditjen e Uefas për kombëtare dhe do të jetë në vazon e 4-t, atë të skuadrave më pak favorite.
Gjasat që kuqezinjtë e Gianni De Biasit të shortohen në një Grup shumë të vështirë janë të mëdha, gjithsesi Shqipëria shpreson që të paktën nga vazo e tretë të peshkojë një skuadër të kalueshme për të prendetuar kualifikimin në ruandin e 1/8-ave si një nga 4 skuadrat më të mira të renditura në vendin e tretë.
Sigurisht që ky është vetëm një parashikim pasi kjo kombëtare ka treguar se e pamundura nuk ekziston dhe kur bëhet fjalë për një sport si futbolli gjithcka mund të ndodhë.
Nëse përpara fillimit të eliminatoreve ëndrra e të gjithëve ishte të kualifikoheshim për herë të parë në një kampionat europian tashmë dëshira e një populli të tërë dhe e futbollistëve të kombëtares është të përballemi me përfaqësuese të mëdha si Gjermania, Spanja, Anglia apo Italia në finalet një kampionati europiani.
Dicka e tillë është mëse e mundur sepse në shortin që do të hidhet në pallatin e kongreseve në Paris 12 Dhjetorin e ardhshëm, Shqipëria do të jetë në vazon e 4-t bashkë me përfaqësuese të tilla si Uellsi, Islanda e Irlanda e Veriut dhe pritet të ketë në Grup minimalisht dy kombëtare shumë të forta.
Në short do të marrin pjesë 24 ekipe dhe 6 skuadrat me koeficentin më të lartë në klasfikimin e Uefas për kombëtare do të jenë pjesë e vazos së parë.
Për momentin praninë në këtë vazo e kanë siguruar Franca si vend organizator dhe Spanja si kampionja në fuqi e Europës.
Gjithsesi pjesë e vazos së skuadrave favorite pritet të jenë edhe Gjermania, Anglia, Portugalia dhe 1 mes Italisë, Rusisë. Edhe në vazon e dytë do të ketë shumë përfaqësuese me emër, me Belgjikën, Zvicrën, Suedinë e Ukrainën nëse kualifikohen që spikatin më shumë se të tjerat.
Në vazon e tretë e sigurtë është prania e Rumanisë, Austrisë dhe Hungarisë skuadra këto që mund të jenë mëse të kalueshme për Shqipërinë.
Me pak fjalë për përfaqësuesen kuqezi parashikohet një short shumë i vështirë kjo për vetë madhështinë e eventit në të cilin Shqipëria do të marrë pjesë, megjithatë për këtë kombëtare asgjë nuk është e pamundur dhe duke qenë se kualifikohen në ruandin e dytë edhe 4 skuadrat më të mira të renditura në vendin e tretë nga të 6 Grupet, kualifikimi për më tej mund të mos jetë një mision i paarritshëm për të besuarit e Gianni De Biasit.