Heqja e kufijve politikë në Irak, Siri e rajon dhe krijimi i kushteve për dështimin e qeverive dhe për nxitjen e luftës civile sektare. Pastaj, krijimi i Kalifatit Islamik, që së pari do të përfshinte Irakun e Sirinë dhe më pas të zgjerohej edhe më shumë.
Mobilizimi dhe sjellja e mbështetësve nga tërë bota për të luftuar së bashku dhe për t’u vendosur në territorin e kontrolluar prej tyre. E si rrjedhojë e kësaj të zgjerohej pastaj edhe territori i kontrolluar prej ISIS-it dhe të fuqizohej lidhja me komunitetin e gjerë myslimanë, sipas këtij hulumtimi, janë disa prej objektivave që ISIS-i po mundohet t’i arrijë përmes fushatës ushtarake, transmeton Republika.info.
Udhëheqësit e Shtetit Islamik vlerësojnë se janë i vetmi autoritet legjitim që mund të udhëheqin xhihadin dhe përveç luftimit të jomyslimanëve, si prioritet të tyre e propagandojnë edhe pastrimin e shoqërisë myslimane. Shembull, sipas këtij hulumtimi, në konfliktin izraelito-palestinez, ISIS-i e vlerëson grupin e Hamasit si renegatë që nuk kanë autoritet legjitim të udhëheqin xhihadin dhe e vlerëson luftimin e Hamasit, si hapin e parë drejt konfrontimit me Izraelin.
Burimi kryesor i financimit të ISIS në fillimet e tij, thuhet se kanë qenë fondet e pranuara nga individët e pasur të GCC-së (GCC-ja janë Këshilli për Bashkëpunim në Gjirin Persik). Në mediet e huaja shpeshherë është argumentuar se qeveritë e këtyre vendeve, sidomos Kuvajti, kanë bërë shumë pak për të parandaluar që këto fonde të arrijnë te ISIS-i dhe grupet e tjera radikale. Ndërkaq, sipas këtij hulumtimi, këto fonde kanë arritur në qindra milionë dollarë. Por, me kontrollimin e shumë territoreve në Siri dhe Irak, ISIS-i kishte rritur edhe mundësinë për të financuar operacionet e veta edhe përmes reketimit, plaçkitjes së bankave dhe shitjes së burimeve natyrore.
Sipas të dhënave të inteligjencës irakiane, thuhet në këtë hulumtim, konsiderohet se ISIS ka asete që arrijnë vlerën e mbi 2 miliardë dollarëve dhe ato e bëjnë këtë grup xhihadist më të pasurin në botë. Nga aktiviteti plaçkitës i bankave në Siri, ISIS kishte arritur të mblidhte para të gatshme dhe asete në vlerë të 515 milionë dollarëve. Ndërsa, pas marrjes së Mosulit, kësaj shume i ishin shtuar edhe rreth 450 milionë dollarë të plaçkitura nga Banka Qendrore në këtë qytet, së bashku me sasinë e parave të gatshme dhe arit të plaçkitur në bankat e tjera.
“ISIS grumbullon para edhe nga prodhimi i naftës bruto dhe shitja e rrymës elektrike në veri të Sirisë. Një pjesë e rrymës së gjeneruar mendohet se i shitet edhe qeverisë siriane. Në fund të vitit 2012, ISIS kishte arritur të merrte kontrollin e fushave të naftës në lindje të Sirisë. Ndërsa, në territoret e kontrolluara, ISIS është i përfshirë edhe në kontrabandimin e lëndëve të para, artefakteve arkeologjike, kidnapimit, reketimit të biznesmenëve dhe tatimit të bizneseve të ndryshme që operojnë në territoret e tyre. Por, edhe pse në përqindje më të vogël, individë të pasur nga vendet e GCC-së vazhdojnë të financojnë aktivitetet e ndryshme të ISIS”, thuhet në këtë hulumtim të siguruar nga Republika.info.
Lufta në Siri kishte filluar pa ISIS-in, por më vonë ky grup kishte arritur të nxiste luftën në Irak për të destabilizuar vendin. Ndërkaq, ISIS synon të shkatërrojë në mënyrë permanente shtetin e Irakut që mos të ringritet më. Kjo është e rëndësishme për të mbrojtur kalifatin e tyre nga sulmet e jashtme.
Sipas këtij hulumtimi, ekspertët e sigurisë thonë se ISIS nuk ka më shumë se 14 mijë luftëtarë në Irak dhe Siri (rreth 9 mijë veprojnë në Siri e rreth 5 mijë në Irak). Por, gjatë aksionit për marrjen e qytetit të Mosulit, rreth 800 pjesëtarë të këtij grupi kishin arritur të mposhtin dy divizione të ushtrisë irakiane, që arrinin në rreth 30 mijë trupa.
ISIS vazhdon të ketë mbështetje të madhe nga konflikti në Siri, e cila ka rezultuar në numër të madh të rekrutëve, municion të sofistikuar dhe burime të tjera për operacionet në Irak. Kurse, paradat e terroristëve të ISIS-it kanë demonstruar se ky grup ka artileri edhe amerikane, mjete ushtarake të lëvizshme dhe pajisje të tjera. Në Irak, sipas hulumtimit, ISIS ka kontrolluar qytetin Rutbah, Al-Qa’im, Rawa, Sharqat, Anah, Fallujah, Sulaiman Bek, Tikrit, Hawijah, Mosul, dhe Tal Afar, ku vlerësohej se popullsia e tyre arrin në rreth 3 milionë banorë. Ndërsa, qytetet siriane që kontrolloheshin nga ISIS janë Al Barakah, Al Kheir, Ar-Raqqah, Al Badiya, Halab, Idlib, Deir Al-Zawr dhe Hama.