Është detyruar të japë dorëheqjen nënkryetari i dhomës së lordëve në parlamentit britanik, Baroni Xhohn Sjuëll ( John Sewel) pas publikimit të një videoregjistrimi të tij nga tabloidi “The Sun”, duke përdorur kokainë në një festë me prostituta të shtrenjta.
Sjuëll, pjesëtar i Partisë Laburiste, shfaqet duke thithur pudër të bardhë përmes një kartmonedhe 5-paundshe, si dhe dëgjohet të bëjë komente raciste mbi femrat aziatike dhe të ankohet për paratë e pakta që përfitonte si dieta për pushime. Ironikisht ai ishte edhe kryetar i komisionit parlamentar për mbikqyrjen e privilegjeve dhe sjelljes së mirë të depuetetëve.
Në videon 45-minutëshe të publikuar nga “The Sun”, Sjuëll është xhiruar ndërsa organizon festa me drita të kuqe në apartamentin e tij në Londër, me prostituta që i paguan 200 stërlina në ditë, ndërsa për një çast përmbys edhe fotografinë e bashkëshortes mbi tavolinë.
Mendohet që video e 69-vjeçarit, dikur aleat i ngushtë i ish-kryeministrit Toni Bler dhe mbrojtës i madh i të drejtave të skocezëve, është regjistruar javën e kaluar, pak ditë pasi kishte shpalosur në parlamentin britanik një plan për të dënuar deputetët që nuk silleshin sipas standardeve, me pretendimin se veprimet e tyre cënonin reputacionin e të gjithëve.