Ashtu siç ishte lajmëruar nga organizatorët e Çmimit “Kadare”, romani i Rudolf Markut, i cili është edhe fituesi i parë i këtij çmimi, sapo është botuar në siglën “Mapo Editions” .
Ditën e djeshme, në mjediset e panairit u organizua edhe një ceremoni promovimi, ku i pranishëm ishte vetë autori dhe dashamirës të librit. Vizitorët u rreshtuan në radhë të gjata për të marrë një kopje të autografuar nga shkrimtari. Në stendën e UET-Press dhe botimeve “MAPO”, autorët e botuar nga këto shtëpi botuese, si Ben Blushi, Preç Zogaj, Spartak Ngjela e Adrian Civici, janë të pranishëm për të dhënë kopje të firmosura për admiruesit e letërsisë së tyre.
Romani “Tre divorcet e Viktor N.”, i autorit Rudolf Marku, rrëfen jetën e zymtë të personazhit Viktor N., shqiptarit që prej vitesh jeton në Londër.
Në një moment të jetës, ai divorcohet nga bashkëshortja për motive klasike që mund të shtyjnë një çift drejt këtij vendimi. I gjendur në këto kushte, vendos të rikthehet në vendin e tij, që do e çojë në një divorc të dytë, jo ai për motive klasike…
Fati apo rastësia e bëjnë të ritakohet me ish të dashurën, të cilën nuk e shihte prej 25 vitesh. Kur kupton që ideja se dashuria mund të kishte po atë zjarr dhe intensitet si vite më parë, është vetëm një iluzion, Viktor N. pëson divorcin e tretë…Rudolf Marku është një ndër autorët më aktive e më të pranishëm në letërsinë shqipe. Është nderuar me çmimin e Poezisë Europiane në Berlin në vitin 2007, me çmimin Naim Frashëri, për vitin 2012 në Tetovë dhe Prishtinë; me çmimin “At Zef Pllumi” për librin poetik; me çmimin “PEN” dhe me çmimin “Penda e Argjendtë”, akorduar nga Ministria e Kulturës, për vitin 2012. Esetë dhe shkrimet e tij publicistike kanë pasur jehonë te lexuesit dhe kritikët. Poezitë e tij janë përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë të botës dhe janë përfshirë në disa antologji prestigjioze.