Të gjithë ata si unë, që iu është imponuar të zgjedhim se çka jemi (vetëm njërën anë) në të kaluarën, ndoshta nuk do t’mund ta kenë as këtë mundësi të zgjedhjes në të ardhmen nëse ju, Albin Kurti, vini në pushtet, pasi që ju vetëm se keni vendosur se çka duhet të jemi të gjithë
Nga Shenaj Shala
Votën që ta dhashë ishte falë aderimeve të reja në lëvizjen tënde dhe për shkak të disa njerëzve vizionet e të cilëve iu besoja shumë. E ndjeja që këta do t’ia jepnin një frymë të re lëvizjes tënde dhe do të na kthehet shpresa edhe neve përmes juve. Kur bëre thirrje për manifestimin e republikës, kundër Zajednices dhe demarkacionit, mendova se republikën për të cilën flisje ishte ajo e Kosovës. Dhe si secili qytetar që ia do të mirën këtij vendi, e asnjëherë ndarjen, vendosa të dal në përkrahje të saj.
Si gjysmë shqiptare që jam- siç e tregon mbiemri, dhe gjysmë turke- siç e tregon emri, jam rritur duke mu imponuar gjithnjë nga shoqëria që të zgjedh njërën anë dhe të deklaroj se çka jam. Sa me kënaqësi dëgjoja ish-kolegët e UNMIK’ut kur thoshin “jam gjysmë italian, gjysmë francez”, “jam gjysmë spanjolle, çerek portugeze (se gjyshja ka qenë angleze nga ana e babit) e çerek angleze”. Sa u merrja lakmi që aq lehtë shprehnin atë se çka janë, pa pasur nevojë të zgjedhin njërën apo tjetrën anë dhe, çka është më e rëndësishmja, sa lehte i shihnin si një tërësi/person/karakter pa marr parasysh se cilit nacionalitet u përkisnin prindërit apo gjyshërit e tyre. Arsyeja pse po të tregoj për këtë, është se me në fund jam në gjendje që t’iu ‘ik’ të gjitha pyetjeve provokative që insistojnë që unë të zgjedh njërën apo tjetrën anë (për ata që nuk pranojnë që përgjigjja të jetë gjysmë-gjysmë)- duke dhënë përfundimisht përgjigjen “jam kosovare- ashtu më thotë në pasaportë!”. Nuk pres që ju të kuptoni sikletin tim që e kam mbajtur me vete sa herë që më është bërë kjo pyetje në fëmijëri, por e di që vajza juaj shumë mirë do t’më kuptojë një ditë.
Babi im i ndjerë ka qenë një nder ballistët më të ‘flaktë’ që kam njohur ndonjëherë. Nuk e di se çka është me këta burra shqiptarë që martohen me gra të ‘huaja’, por të gjithë ata që i njoh po qëllojnë të jenë shumë më nacionalistë se të tjerët.
Kur në videon promovuese që kishit përgatitur për manifestimin treguat hartën e Kosovës të copëtuar, dhe se si do të dukej pas zajednices e demarkacionit, mu copëtua zemra! Kjo nuk është çka asnjë kosovar që është lindur në Kosovë dhe ka dashuri të sinqertë për të (pa marrë parasysh nacionalitetin) do ta dëshironte. Mbylla sytë që ta zhduk atë hartë të çrregullt nga mendja- vetë pamja e së cilës më bëri të rrëqethem. Në atë moment ti flisje…flisje kundër zajednices. Kundër një bashkimi të komunave serbe. Mirëpo, flisje edhe për një bashkim tjetër…
I rendite të këqijat e zajednices, duke treguar se çka do të mbetet nga Kosova përmes asaj harte të tmerrshme. Por, çka do të mbetet nga Kosova, Albin, pas bashkimit kombëtar? U mundova ta parafytyroj hartën e Kosovës atëherë – por nuk shihja asgjë!
Ti flisje për ‘faljen’ e pjesëve të Kosovës nga ata në pushtet, por poashtu (po i bie që) nëse ti vjen në pushtet, do ta falësh tërë Kosovën.
E di qe kjo letër do të keqkuptohet nga shumë njerëz dhe do t’më shohin si njeri që nuk dua bashkim të shqiptarëve (madje ndoshta si dikush që është pro-zajednices). Këta janë ata të njëjtit që më kanë shtyrë me vite të zgjedh vetëm njërën anë, e t’ju tregoj se çka jam. Unë jam kategorikisht kundër zajednices, të kuptohemi! Unë dua bashkimin e shqiptarëve, por jo vetëm. Dua bashkim të shqiptarëve, serbëve, turqve, romëve, kroatëve, egjiptianëve, të gjithë të tjerëve të cilët jetojmë në këtë vend. Dua që udhëheqësit e mi të mos bëjnë ndarje dhe të mos përfaqësojnë vetëm interesat e njërës palë. Dua që të keni një vizion për të ardhme të përbashkët, për të gjithë, pa marrë parasysh çka jemi. Përfaqësim për një jetë të mirë e të shëndoshë, në harmoni! Si prisni ju që të keni përkrahjen e minoriteteve të tjera nëse në njërën anë jeni kundër zajednices së komunave serbe, por nga ana tjetër synoni një bashkim tjetër? E kujt është kjo Kosovë? Dhe pse duhet ta falim, apo ta copëtojmë? Apo ndoshta paragjykoni e supozoni se ajo çka të gjithë dëshirojnë në Kosovë dhe çka është më e mira për të gjithë, është bashkimi kombëtar pa marrë parasysh cilit komunitet i përkasin qytetarët e Kosovës? Apo ndoshta minoritetet e tjera të Kosovës nuk janë edhe fort të rëndësishme, e nuk ka dert se çka duan?
Më 28 nëntor, e zhgënjyer me faktin se manifestimi për të cilin dola kundër copëtimit të Kosovës u shndërrua në diçka krejt tjetër nga ajo që ishte thirrur, vazhdova të ec përgjatë sheshit Nënë Tereza, kokulur e me lot ne sy, me ndjenjën se isha mashtrruar. Dikush më thirri emrin. Ishte tezja X, kojshikja ime gorane e cila kishte dalë të shesë produktet e saja punëdore në panairin që ishte vendosur një ditë më parë. “Blej shqip. Blej prodhime shqiptare”, thoshte posteri gjigant, i cili ishte vendosur në shesh nga ana e komunës që drejtohet nga lëvizja juaj. Në moment kuptova se të gjithë ata si unë, që iu është imponuar të zgjedhim se çka jemi (vetëm njërën anë) në të kaluarën, ndoshta nuk do t’mund ta kenë as këtë mundësi të zgjedhjes në të ardhmen nëse ju vini në pushtet, pasi që ju vetëm se keni vendosur se çka duhet të jemi të gjithë.