Kryeministri grek do të propozojë zgjedhje legjislative të parakohshme në muajin shtator, sipas agjencisë së lajmeve ANA që citon burime qeveritare në përfundim të një takimi me këshilltarët dhe ministrat e qeverisë së tij për të vendosur për strategjinë.
Sipas medias greke duket se populli do të thirret në votime më shpejt nga sa ishte parashikuar. Marrëveshja e tretë mes Athinës dhe kreditorëve u arrit dhe kryeministri Aleksis Cipras nuk do të zgjedhë më një votëbesim në Parlament, por do të thërrasë më herët zgjedhjet legjislative.
Ka qenë stacioni publik ERT që ka theksuar fillimisht se kryeministri i të majtës radikale do të jepte dorëheqjen dhe do t’i hapte rrugën zgjedhjeve të parakohshme.
”Zgjedhjet e parakohshme mund organizohen në shtator apo në tetor”, theksuan sot pasdite mediat ndërkohë që kryeministri grek, Aleksis Cipras pritet të japë dorëheqjen për popullin grek në mbrëmje.
Burime të afërta të qeverisë greke cituar nga agjenci ndërkombëtare lajmesh njoftojnë se zgjedhjet legjislative të parakohshme mendohet të organizohen në Greqi më 20 shtator.
Më herët ishte folur që kryeministri grek, Aleksis Cipras t’i nënshtrohej një votëbesimi në Parlament, ndërkohë që plani i tretë i shpëtimit të vendit me vlerë prej 86 miliardë eurosh ishte në rrugën e duhur.
Ndërkohë që Cipras do t’i drejtohet popullit grek në mbrëmje, tashmë ai pritet të paraqesë dorëheqjen duke i hapur rrugën zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme më 20 shtator.
Aleksis Cipras, 41 vjeç dhe në pushtet që prej shtatë muajsh kërkon të rivendosë autoritetin e tij me një mandat të ri nga populli pas negociatave me Evropën dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Këto negociata kanë rezultuar në një program financiar ndihme që bie ndesh me disa prej premtimeve zgjedhore të Aleksis Cipras.
Duke thirrur zgjedhje të parakohshme, Aleksis Cipras kërkon gjithahstu t’i përgjigjet rebelimit në radhët e partisë së tij.