Një përkeqësim i krizës së imigracionit kërcënon të copëtojë ”zemrën” e Bashkimit Evropian, theksoi ministri italian i Punëve të Jashtme duke ngritur alarmin për vënien në pikëpyetje të marrëveshjeve të Shengenit.
”Skenat kaotike si ajo e ditës së premte dhe të shtunë në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë përbëjnë një kërcënim real për qarkullimin e lirë të personave në mbarë bllokun”, shprehu me keqardhje, Paolo Gentiloni në një intervistë të publikuar nga e përditshmja ”il Messaggero”.
Rrethime janë bërë në kufirin greko-maqqedonas ku disa mijëra persona kanë mundur më në fund të hyjnë në Maqedoni dhe një operacion i gjerë në Mesdhe ka mundësuar shpëtimin e rreth 3 000 imigrantëve.
Gjatë javës, Maqedonia ka toleruar hyrjen masive të imigrantëve të ardhur nga Greqia në territorin e saj, por qeveria e Shkupit dekretoi gjendjen e emergjencës dhe vendosi në këto zona forca të policisë dhe ushtrisë për të frenuar fuksin e imigrantëve.
Evropa rrezikon të tregojë më të keqen përsa i përket imigracionit, paralajmëroi ministri, egoizëm, marrje e vendimesh të rrezikshme dhe mosmarrëveshje mes shteteve anëtare.
Alternativa, theksoi ministri italian, do të ishte shembja e marrëveshjeve të Shengenit duke mundësuar qarkullimin e lirë në një pjesë të Evropës kontinentale.
“Në rrezik është një prej gurëve të themelit të Bashkimit Evropian, qarkullimi i lirë i personave”, theksoi Paolo Gentiloni.
“Nga brigjet siçiliane në Kos, nga Maqedonia në Hungari dhe Kalais, tensionet rriten dhe mund të vendosin Shengenin në pikëpyetje”, shtoi ai.
“Mund të imagjinojmë një Bashkim Evropian pa Shengen? Një rikthim në kufijtë e vjetër?, pyet ai. “Imigrantët nuk arrijnë në Greqi, Itali apo Hungari. Ata mbërrijnë në Evropë. Ja përse rregullat e pritjes duhet të europianizohen”, sipas tij.