Shumica e ministrave të partisë shqiptare BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim) nuk do të jenë pjesë e qeverisë kalimtare.
Marrëveshja e arritur disa ditë më parë midis liderëve të katër partive parasheh që ministrat e qeverisë kalimtare më tepër të jenë personalitete publike, që janë të dëshmuar në sferat profesionale, por që aktualisht nuk janë të përfshirë në organet partiake të partive. Ky kusht do të vlejë edhe për partinë shqiptare të Ahmetit, ku siç mësohet nuk do të lejohet që të nominojë ministrat që janë pjesë e koalicionit qeverisës aktual.
Zëvendëskryeministri Musa Xhaferri, Fatmir Besimi, Abdilaqim Ademi janë ministrat që nuk preferohen edhe nga opozita maqedonase për të qenë pjesë e koalicionit kalimtar, por nuk janë në preferencë edhe të faktorëve ndërkombëtar.
Siç mëson INA, Zaev kohë më parë ka theksuar se qeveria kalimtare do të përfshijë kryesisht njerëz që nuk kanë lidhje me pushtetin e deritanishëm dhe figura të dëshmuara në aspektin professional, të cilët do të përgadisin vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Por, edhe në BDI nuk përjashtojnë mundësinë që të emërohen figura jopartiake, por që përkrahin këtë parti.
“Është edhe ky opsion, që të largohen ministrat e deritanishëm, sepse një pjesë e tyre do të jenë të angazhuar në hartimin dhe realizimin e fushatës zgjedhore. Por dihet se një pjesë e ministrave nuk kanë pasur rezultate gjatë qeverisjes. Po shqyrtohen emra të dëshmuar”, theksoi për INA, një zyrtar i lartë i BDI-së.
Ndër emrat e mundshëm të ministrave do të jenë Ermira Mehmeti, Blerim Reka, Aziz Pollozhani, Hazbi Lika, etj.
Në BDI prej tani ka nisur shqyrtimi i disa kandidaturave, ndërsa Ahmeti po synon që të përfshijë sa më shumë emra të intelektualëve të afërt me BDI që janë të njohur në botën shkencore dhe profesionale. Nga ana tjetër, nga VMRO-DPMNE gjithashtu shumica e ministrave aktual nuk do të jenë pjesë e qeverisjes së përkohshme. (INA)