Pranvera Kola
Infeksionet mykotike janë ndër patologjitë më të hasura në praktikën e përditshme mjekësore. Bluzat e bardha vënë në dukje se prej këtyre infeksioneve rrezikohen të gjitha grupmoshat. Ndër infeksionet mykotike më të shpeshta, pohohet të jetë kandidoza, e cila shkaktohet nga lloji myku që mban po të njëjtin emër.
Mjekja infeksionsite, Ilda Xhelili, sqaron për lexuesit e “Dita”, se ky lloj infeksioni përhapet kryesisht në aparatin tretës, lëkurë, si dhe në organet gjenitale. Simptomat e sëmundjes ndryshojnë në varësi të vendit ku lokalizohet infeksioni. Mjekja tregon se personat që kanë probleme me imunitetin, ata që janë të detyruar të përdorin vazhdimisht medikamente për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme, gratë shtatzana, si dhe personat që mbajnë proteza të ndryshme në organizmin e tyre, janë më të rriskuar për t’u prekur nga infeksionet mykotike kandidozoike.
Trajtimi mund të ndjekë rrugë të ndryshme, kjo në varësi të vendit dhe stadit ku ndodhet infeksioni i shfaqur. Megjithatë, përdorimi i rregullt i medikamenteve trajtuese të përshkruara nga mjeku, ndjekja e një diete të balancuar ushqimore që ndihmon në forcimin e imunitetit, si dhe higjiena maksimale, janë gurë themeli jo vetëm në parandalimin e shfaqjes së këtyre infeksioneve, por edhe në trajtimin e tyre pasi janë diagnostikuar nga mjeku specialist.
Ç’janë infeksionet mykotike të njohura si kandidoza?
Kandioza është një infeksion mykotik që shkaktohet nga një lloj majaje (myku) që quhet “Candida”. Infeksionet mykotike me të shpeshta ndodhin në aparatin tretës (goja, ezofagu, zorrët), në aparatin gjenital, në lëkurë, si dhe shumë rrallë infeksioni mund të jetë invaziv, duke u përhapur në të gjithë trupin dhe prezantohet me simptoma në varësi të zonave të prekura. Ekzistojnë më shumë se 20 lloje kandidash që mund të shkaktojnë infeksione të shumta, por lloji më i zakonshëm rezulton “Candida albicans”.
Kush preket më shumë nga këto infeksione?
Infeksionet mykotike të gojës janë mjaft të zakonshme për fëmijët më të vegjël se 1 vjeç, për të moshuarit, si edhe për personat me dobësi të sistemit imunitar. Tek personat me sistem të dobët imunitar, ku përmendim ata që vuajnë nga HIV/AIDS, ata që vuajnë nga diabeti, personat që mjekohen gjatë dhe me doza të mëdha të kortizoikëve, si dhe ata që përdorin medikamente pas transplantimit të organeve. Të rrezikuar janë edhe ata që përdorin shumë antibiotikë, apo personat që kanë proteza në pjesë të ndryshme të trupit (përfshirë këtu edhe protezat e dhëmbëve). Infeksionet mykotike gjenitale ndodhin më shpesh gjatë shtatzanisë, pas ndërhyrjeve operatore dhe pas përdorimit të antibiotikëve. Mjaft të prekur rezultojnë edhe pacientët që trajtohen me kimioterapi për sëmundje të ndryshme malinje. Sipas studimeve konstatohet se rreth tre të katërtat e femrave kanë kaluar gjatë jetës së tyre të paktën një infeksion të llojit mykotik.
Si klasifikohen infeksionet kandidozike të gojës dhe zorrëve?
“Candida” mund të prekë mukozën e gojës dhe të faringut, e në këtë rast njihet si kandidoza orofaringeale. Mjaft të predispozuar për këtë lloj myku janë personat me proteza të dhëmbëve, të cilat shërbejnë si trauma lokale, duke ulur rezistencën lokale të kavitetit oral dhe duke zhvilluar kushte të favorshme për zhvillimin e kandidozës (candida është saprofit i florës normale të gojës, e cila në kushte të caktuara kalon nga saprofite në patologjike). Në rreth 20 për qind të rasteve infeksioni kandidozik rezulton i përzier me infeksionin bakterial të shkaktuar nga stafilokoku. Kur infeksioni përparon, mund të kemi prekje të ezofagut dhe të zorrëve.
Po në rastet kur infeksioni prek lëkurën, ose organe të tjera të trupit ç’mund të themi?
Forma tjetër është kandidoza e lëkurës, e cila prek më tepër zonat midis gishtave të duarve dhe të këmbëve, rrëzat e kofshëve, si edhe zonën e sqetullave dhe përreth gjoksit (për femrat). Mjaft i vështirë për t’u trajtuar është infeksioni mykotik që prek thonjtë, në mënyrë të veçantë thonjtë e këmbëve. Forma tjetër është edhe ajo që njihet me emrin kandidoza jatrogjenike, që vjen pas përdorimit me antibiotikë. Infeksioni mykotik arrin kulmin kur nëpërmjet gjakut mund të përhapet në të gjithë trupin duke shkaktuar infeksione mykotike në zona të ndryshme, nga të cilat rezultojnë më të prekura mëlçia, shpretka dhe mushkëritë. Femrat preken shpesh edhe nga kandidoza vaginale. Nuk mbeten pas as meshkujt në kandidozat uro-gjenitale.
Cilat janë shenjat e dukshme klinike që shoqërojnë shfaqjen e këtyre infeksioneve?
Shenjat dhe simptomat klinike të kandidozave ndryshojnë në varësi të zonës së prekur. Shumica e infeksioneve kandidozike rezultojnë me komplikacione minimale të tilla si skuqje, kruajtje dhe parehati, por komplikacionet mund të ndërlikohen nëse nuk trajtohen në kohën e duhur. Në personat me ulje të imunitetit kandidoza është një infeksion shumë i lokalizuar i lëkurës ose mukozave, si për shembull në zgavrën e gojës dhe në gjithë traktin tretës, tek thonjtë dhe tek organet uro-gjenitale. Gjatë kandidozave të aparatit tretës kemi skuqje të gjuhës dhe të mukozave të brendshme të faqeve, veshje e mukozave me një cipë të bardhë, çarje të këndeve të buzëve, djegie të fytit dhe vështirësi në gëlltitje. Kur preken zorrët mund të kemi dhimbje barku dhe diarre gjatë defekimit. Simptomat e infeksionit vaginal përfshijnë skuqje, kruajtje të forta, djegie dhe sekrecione të bardha, ose të bardha në gri në trajtën e gjizës. Tek meshkujt shenjat përfshijnë lëkurë të kuqe dhe ënjtje të organit seksual, dhimbje gjatë urinimit, ose gjatë marrëdhënieve seksuale.
Ç’rrugë duhet të ndjekë trajtimi i këtyre infeksioneve?
Trajtimi nis me marrjen e masave parandaluese të shfaqjes së infeksioneve, të cilat përfshijnë kujdesin në higjienën personale, përzgjedhjen e kujdesshme të ushqimeve që ndihmojnë në rritjen e sistemit imunitar, si dhe kujdesin që duhet të kenë pacientët me mbajtjen nën kontroll të nivelit të sheqerit në gjak, nëse vuajnë nga diabeti. Kujdes maksimal në këtë drejtim duhet të kenë edhe femrat gjatë shtatzanisë ku infeksionet e shkaktuara nga “candida” janë mjaft të shpeshta. Ndërsa përdorimi i medikamenteve duhet të ndjekë vetëm rekomandimin e përshkruar nga mjeku specialist. Kjo pasi në raste të caktuara përdorimi i antimykotikëve mund të shoqërohet edhe me efekte anësore.
Si duhet të jetë trajtimi me preparatet antimykotike?
Natyrisht që trajtimi i kandidozës kërkon edhe preparate antimykotike, të cilat janë në formë tabletash (kur trajtimi merret nga goja), por infeksionet mykotike mund të trajtohen edhe vetëm lokalisht, apo dhe të dyja mënyrat së bashku. Trajtimi me antimykotikë, në mënyrë të veçantë ato që merren nga goja, duhet të bëhet vetëm me këshillimin e mjekut. Antimykotikët mund të kenë efekte të padëshiruara, të cilat mund të dëmtojnë shumë mëlçinë. Në këtë lloj trajtimi duhet të jemi të sigurt që pacienti nuk vuan nga sëmundjet e mëlçisë. Ecuria e trajtimit në përgjithësi është e mirë, por edhe pak e gjatë në varësi të zonave të prekura. Më të vështira për t’u trajtuar janë mukozat e thonjve, dhe pastaj shkalla e vështirësisë rritet në mykozat sistemike, të cilat mund të kërkojnë dhe trajtim spitalor.
Këshilla për parandalimin e infeksioneve mykotike
- Duke qenë se kandidoza zhvillohet më shpesh tek njerëzit me sistem të dobët imunitar duhet t’i kushtohet rëndësi e madhe forcimit të sistemit imun. Rekomandohet një dietë e ekuilibruar në karbohidrate për të pasur një ekuilibër të shëndetshëm të florës së gojës dhe të zorrëve.
- Tek njerëzit që vuajnë nga diabeti, mbajtja nën kontroll e nivelit të sheqerit në gjak, ul rrezikun e zhvillimit të kandidozës. Çdo çrregullim i nivelit të glukozës përben potencial për zhvillimin e infeksioneve mykotike.
- Pacientëve u rekomandohen veshje të brendshme pambuku, të cilat ndihmojnë për të zvogëluar rrezikun e zhvillimit të mykut në lëkurë.
- Myku zhvillohet shumë në ambiente të lagështa prandaj tregoni veçanërisht kujdes për zonat ku djersini më shpesh. Bëni banjo të shpeshta dhe thahuni mirë pas dushit, në veçanti zonat midis gishtave, rrëzët e kofshëve, sqetullat dhe zona për rreth gjoksit.
- Higjiena orale mund të ndihmojë në parandalimin e kandidozës së gojës. Mjaft të mira janë gargarat me “Chlorhexidinë” për të zvogëluar ose parandaluar mykozat orofaringeale. Njerëzit që përdorin pompat kortizonike me thithje nga goja, mund të zvogëlojnë mjaft rrezikun e zhvillimit të kandidozës në qoftë se shpëlajnë gojën thjesht me ujë, ose me gargarën e mësipërme pas çdo thithjeje të ilaçit të tyre.
- Ndër ushqimet e shëndetshme që ndihmojnë në trajtim është edhe kosi, i cili ka përmbajtje të lartë të “laktobacilevenatyrale”, të cilat ndihmojnë në rregullimin e florës së aparatit tretës.
- Gjithashtu, në kushtet e shtëpisë nuk duhet të neglizhohen shpëlarjet ose gargaret me ujë sode (sodë buke), të cilat kontribuojnë pozitivisht në krijimin e pehasheve normale për të pasur një florë normale të lëkurës dhe mukozave.
- Trajtimi me antimykotikë, në mënyrë të veçantë ato që merren nga goja, duhet të bëhen me këshillimin e mjekut. Antimykotikët mund të kenë efekte të padëshirura, kryesisht në mëlçi. Në këtë lloj trajtimi duhet të jemi të sigurt që pacienti nuk vuan nga sëmundjet e mëlçisë.