Pronari i një restoranti në Gjermani ka gjetur një mënyrë të veçanet për të reklamuar biznesin e tij. George Chrissidis, me origjinë greke dhe që ka emigruar në Gjermani në vitin 1984, në menynë e restorantit të tij ka shtuar disa pjata të reja të cilave u ka vendosur emrat e politikanëve grek dhe atyre gjerman.
Pjata me emrin “Grexit Schaeuble”, është frymëzuar nga ministri i Financave të Gjermanisë, dhe përmban mish qengji, djathë dhe perime. Pjata “Varufakis”, është me mish viçi, djathë të bardhë dhe piper të kuq djegës për t’ia përshtatur temperamentit të ish-ministrit të Financave të Greqisë.
“Tsipras i Dashur”, është pjata që i referohet Aleksis Tsipras dhe që përmban një djathë as të butë, as të fortë që reflekton natyrën e pavendosur të kryeministrit grek. Ndërsa pjata që mban emrin e Kancelares gjermane Angela Merkel është një ëmbëlsirë dhe quhet “Angie e ëmbël”, me arra dhe akullore me vanilje.
Chrissidis tha se fillimisht kishte dyshime për idenë, duke menduar se njerëzit do të reagonin negativisht, por ata kanë qeshur dhe besojnë se kjo është interesante.